Sigal

Ismet Varfi

Fjalën e kam për Kristaq Laçin, i cili ka qenë dhe mbetet kampion i dyfishtë, madje edhe rekordmen. Kristaqi është lindur, më 1943. Në moshën 14-vjeçare filloi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, dhe qysh në fillim do të manifestoi cilësi dhe talent në sportin e boksit. Ishte i madhi Ali Kastrati që do të zbulonte talentin e tij dhe së bashku me Rami Sadushin, Ethem Ibrahimin, Luftar Hasanin, Bardhosh Llanaj, Zekman Bode etj., u bënë titullarë të ekipit të boksit të klubit sportiv “Partizani”. Shumë shpejt Kristaqi, jo vetëm që zuri vend në formacionin e ekipit të “Partizanit”, por edhe do të shpallej kampion kombëtar me të rinjtë, si dhe kampion kombëtar me kategorinë deri 21 vjeç. Gjatë kësaj kohe, Kristaqi është shpallur edhe dy herë kampion në spartakiadën e ushtrisë shqiptare. Në vitin 1960 në moshën 17-vjeçare do të ndeshej me kampionin e boksit të Hungarisë, Jozef Vakevraun, ndeshje të cilën e fitoi Kristaqi bindshëm duke manifestuar një teknikë të lartë boksimi. Kristaqi është dalluar, jo vetëm për rezultate të larta si sportist, por është edhe njëri nga nismëtarët e rifillimit të sportit të boksit në Shqipëri, pas asaj ndërprerje prej 30 vjetësh në vitin 1991, duke qenë një nga 13 protagonistët e krijimit të shoqatës shqiptare të boksit dhe rithemelimin e Federatës Shqiptare të Boksit (FSHBO), në të cilën ka dhënë një kontribut të veçantë për kualifikimin e gjyqtarëve të kësaj federate. Për kontributin e dhënë në organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e sportit të boksit në Shqipëri, Kristaqit i është dhënë titulli i lartë “Mjeshtër Sporti) Krahas sportit të boksit, Kristaq Laçi do të merrej edhe me atletikë. Si atlet I ekipit të “Partizanit) Kristaqi ka arritur rezultate të shkëlqyera. Ai është shpallur kampion kombëtar dhe ka vendosur rekordin në vrapimin e 60 metrave. Kristaq Laçi, është shpallur kampion në stafetën 4x100m, është rekordmen kombëtar në stafetën Ballkanike në 800- 400-200-100m. Kristaq Laçi, ka kontribuar edhe në sportin e basketbollit. Ai ka kryer detyrën e Sekretarit të Kolegjiumit të Arbitrave në Federatën e Basketbollit, gjithashtu në këtë sport Kristaqi është dalluar edhe si gjyqtar. Edhe në këtë fushë Kristaqi është shquar për aftësi dhe njohuri teknike, për korrektësi e paanësi në arbitrim duke merituar jo vetëm admirimin e sportistëve të basketbollit, por edhe të sportdashësve të kohës të këtij sporti. Zoti Kristaq do të kthehej përsëri në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, aty ku u zbulua talenti i tij si boksier dhe atlet, por këtë herë në rolin e pedagogut të edukimit fizik të kësaj shkolle. Ai përveç shkollës së lartë të oficerëve kishte mbaruar edhe Akademinë e Fizkulturës me rezultate të shkëlqyera. Gjatë periudhës si pedagog në shkollën “Skënderbej” Kristaqi ka përgatitur me dhjetëra sportist cilësor prej të cilëve kanë dalë kampionë kombëtarë në atletikë. Zoti Kristaq Laçi përveç talentit, rezultateve të larta si sportist ka ka rezultate dhe kontribute edhe si ushtarak i FA të Republikës së Shqipërisë, për këtë ai është nderuar me dekorata, medalje e urdhra. Personalisht i shkrova këto radhë, duke e ditur që për Kristaqin duhet shkruar shumë më tepër se sa kaq, gjë që unë nuk e arrijë dot me një shkrim. Por me këtë rast desha të kujtojë dhe të tërheq vëmendjen e federatave të sporteve përkatëse që të kujtojnë dhe vlerësojnë figurat e sportit ndër vite. Historia e aktiviteteve, rezultatet e arritura, dhe personalitetet e sportit përkatës përbëjnë bazën e traditave sportive dhe janë vlera të çmuara për brezat e sotëm e të ardhmen. Së fundmi, dua t’ju kujtojë lexuesve dhe dashamirësve të sportit që shumë vite më parë , aty nga Gushti i vitit 1961, i madhi profesor Ismet Bellova do të shkruante për Kristaqin në gazetë “Kampion në ring, kampion në pistë”…