Mediat italiane: Fati i karrierës së Strakoshës vendoset në 9 ndeshje

490
Thomas Strakosha ka 9 ndeshje në dispozicion për të treguar se e meriton një fanellë titullari te Lacio. Deri në mbyllje të Serisë A kanë mbetur 8 ndeshje të cilave u shtohet edhe finalja e Kupës së Italisë kundër Juventusit. Gjatë kësaj periudhe, Strakosha do të jetë titullar i padiskutueshëm te Lacio për shkak të dëmtimit të Marketit dhe duhet që deri në fundin e majit, të ketë bindur klubin se e meriton ai të jetë portieri i parë.
Dëmtimet e vazhdueshme thuajse kanë bindur Lacion që të largojë Marketin, i cili edhe kur ka luajtur, nuk është shfaqur edhe aq i sigurt mes shtyllave. Berisha nuk do të kthehet dhe për këtë as nuk ka më dyshime. Ndaj kërkohet një portier titullar për sezonin e ardhshëm dhe në perspektivën afatgjatë.
Emri që qarkullon më shumë në klub prej disa muajsh është ai i Matia Perin, aktualisht jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, por që pritet të kthehet i gatshëm në fillimin e sezonit të ri. Por sipas mediave italiane, paraqitjet bindëse të Strakoshës kanë bërë që në klub të shihet me prioritet ideja e fillimit të një cikli të ri me portierin shqiptar.
Nëse Strakosha do të paraqitet në lartësinë e duhur në këto 9 ndeshje të mbetura deri në fundin e sezonit, fanella e titullarit për sezonin e ardhshëm do të jetë e tij. Përndryshe, klubi do të hidhet në merkato gjatë verës për të kërkuar një titullar tjetër. Ndaj Strakosha ka në duar fatin e tij në këto dy muaj ku nëse bën gjithçka si duhet, mund të garantojë një karrierë të suksesshme te klubi i Serisë A e jo të vazhdojë të jetë gjithmonë alternativë e dytë.
Sigal