Kaçe-Vukiç, dashuri dhe urrejtje shqiptaro-serbe

552
Sigal

Trajneri holandez i PAOK-ut, Hub Stevens, kundër politikës së klubit për të ndëshkuar shqiptarin

Mesfushorin shqiptar Ergys Kaçe dhe sulmuesin serb Zvonimir Vukiç, fati i ka bashkuar të jenë në një ekip, pikërisht në skuadrën greke PAOK-u i Selanikut. Në fakt, me ta është edhe një shqiptar i lindur në Himarë, por i natyralizuar si grek, Sotiris Ninis. Klubi grek dhe lojtari i Kombëtares shqiptare vazhdojnë të jenë prej disa javësh në qendër të vëmendjes të mediave helene, shqiptare dhe ndërkombëtare, qysh kur Ergys Kaçe postoi një foto të tij me bluzën e kuqe me stemën e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës) në rrjetin social “Facebook”. Ngjarja i tejkaloi përmasat sportive, pasi në të u përfshinë u përfshinë jo vetëm Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Greqisë, por dhe aktorë politikë si partia greke me theks nazist, “Agim i Artë”, ashtu si nuk mungoi edhe një koment i ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjithsesi, në qendër të medias greke dje ishin pikërisht marrëdhëniet midis shqiptarit Kaçe dhe serbit Vukiç, pasi dihet botërisht qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës në përgjithësi dhe UÇK-së në veçanti. Sipas portalit sportiv grek, Novaspor.gr, Ergys Kaçe dhe Zvonimir Vukiç kanë zhvilluar një bisedë “kokë më kokë”, ku korçari është përpjekur t’i shpjegojë gjithçka në lidhje edhe me foton e tij me fanellën e UÇK-së. 20-vjeçari Kaçe dhe 34-vjeçari Vukiç kanë zhvilluar një bisedë jo shumë ngrohtë midis tyre, teksa sipas faqes greke, mësohet se Kaçe i ka thënë shokut të ekipit: “Të kërkoj falje, por unë nuk e dija…”. Nuk ka munguar edhe “këshilla” e serbit: “Më vjen keq për ty, jo për veten time. Je ti që, po rrezikon karrierën. Puna tënde është të luash dhe jo të flasësh. Unë nuk kam asnjë problem me ty”.

Gjithsesi, ndërsa Ergys Kaçe po vuan presionin e madh në Greqi si pasojë e fotografisë me fanellën e UÇK-së që po trazon edhe karrierën e mesfushorit shqiptar te PAOK-u, djaloshi korçar ka një aleat të fuqishëm në radhët e bardhezinjve. Ai është trajneri holandez, Huub Stevens, i cili nuk arrin ta zbërthejë një histeri të tillë kundër djaloshit 20-vjeçar, ndaj të cilit vazhdon të ushtrohet një presion i madh edhe pse ai ka dalë hapur duke kërkuar falje për gjestin e tij. Sipas faqes së specializuar Sportdog.gr, Stevens i kundërvihet shoqërisë, duke e cilësuar të pakuptueshëm vendimin për ta pezulluar lojtarin kuqezi. Tekniku beson se djaloshit i duhet dhënë edhe një mundësi, pasi është një lojtar i ri dhe shumë i talentuar. Stevens mendon se është e pamundur që skuadra të përballojë një fluks të tillë ndeshjesh me vetëm dy mesfushorë (grekun Tciolis dhe rumunin Lazar), prandaj Kaçe duhet të rikthehet sa më shpejt nën urdhrat e tij. Në vijim të shkrimit, media e specializuar sportive shton se Stevens e shikon si shumë të rëndësishëm mesfushorin shqiptar për ekipin e PAOK-ut, pasi Kaçe ka një stil të ndryshëm nga lojtarët e tjerë dhe mund të krijojë shumë hapësira për shokët e skuadrës. Gjithsesi, sipas portalit grek,  ashtu si të gjithë në klubin e PAOK-ut, edhe 59-vjeçari duhet të ulet në stol dhe të presë vendimin e aksionarëve të klubit, të cilët po vonohen në konkluzionet e tyre, duke bllokuar në bokset e skuadrës një lojtar që konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të klubit nga Selaniku. Stevens është në pritje tashmë të vendimit të presidentit Ivan Savidhis.

Ngec PAS Janina e katër shqiptarëve

 PAS Janina e katër shqiptarëve (Vila, Lila, Rrumbullaku, Muskaj) barazoi 0-0 në Kupën e Greqisë me Aiginaikos. Ndeshja me kryesuesit e të Futball League (kategoria e dytë në Greqi) ishte luftarake. Vetëm mesfushori Emiljano Vila luajti në atë takim. “Eci dhen PAS puthena” (“kështu nuk SHKON asgjëkundi) shkruante “Nova Spor”, duke bërë lojë fjalësh me fjalën “PAS” (shkon), që nis edhe emrin klubit nga Janina. Gjithsesi, ky ishte takimi i parë, pasi ai kthimit do të luhet më 31 tetor, ku do të vendoset edhe se kush do të kualifikohet. Në Poloni, Slasku i Sebino Plakut humbi 2-0 Krasovia Krakov.

Azdren Llullaku, kontingjent i Kombëtares sonë, realizoi dy gola në Kupën e Rumanisë

 Bakaj shënon pas 30 sekondash në Ukrainë

  Mesfushori shqiptar, Elis Bakaj ka shënuar gol në fitoren 4-0 të ekipit të tij Çernomorets Odesa kundër Enerhihas, në kuadër të fazës së 1/16-ve Kupës së Ukrainës. Lojtari i Kombëtares shqiptare shënoi pas vetëm 30 sekondash lojë, me një gjuajtje të bukur nga rreth 20 metra, çka e lehtësoi ekipin e tij që luante në transfertë. Më pas epërsia u rrit në 2-0 kur bashkëlojtari i tij Didenko shënoi, 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë, ndërsa kur afrohej fundi i takimit, Odesa shënoi edhe dy gola të tjerë, fillimisht me Slinkin e më pas edhe Valev për rezultatin përfundimtar prej 4-0. Nëse mesfushori Elis Bakaj luajti vetëm 45 minutat e para, mbrojtësi Kristi Vangjeli luajti 90 minuta të plota. Vorskla e dy kosovarëve të Kombëtares, Armend Dallku dhe Ahmed Januzaj barazoi 1-1 me Volinin, po për Kupën e Ukrainës.

Në Rumani, sulmuesi shqiptar, Azdren Llullaku ka shënuar dy herë në fitoren e thellë të ekipit të tij Gaz Metan kundër Petrolistuls Boldesti me rezultat 4-0, ne kuadër të kupës së Rumanisë në futboll. Llullaku ishte i pari që hapi serinë e golave kur nga pika e bardhë shënoi për 1-0, por ishte kosovari, i cili është thirrur edhe nga trajneri Xhani De Biazi, ai që mbylli goeladën e Gas Metanit. Në listën e shënuesve shkruan emrin e tyre edhe Markoviç e Avram.

Apeli “ridënon” Flamurtarin dhe Kukësin

 Komisioni i Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit rrëzoi kërkesat e Flamurtarit e Kukësit, për të rishikuar masën e ndëshkimit të tyre me nga katër ndeshjes në fushë asnjanës, duke

lënë në fuqi dënimet ndaj këtyre dy skuadrave. Gjithçka i referohet dhunës së shfaqur nga tifozët në takimet Flamurtari-Skënderbeu dhe Kukësi-Vllaznia. Apeli ka lënë në fuqi dënimin e dhënë nga disiplina për të dyja skuadrat, që do të vijojnë të luajnë ndeshjet shtëpiake jashtë stadiumit të tyre. Por ndërsa për nënkampionët e Kukësit dënimi është vetëm për fushën, tek Flamurtari shpresonin që apeli t’i rikthente pikët e hequra. Megjithatë komisioni i mbledhur, pasi shqyrtoi dokumentacionin e sekretariatit teknik la në fuqi vendimin e mëparshëm, duke konfirmuar dënimin e dhënë. Kështu konfirmohet humbja e Kukësit në tavolinë 0-3 ndaj Vllaznisë, si dhe dënimi i fushës për katër ndeshjet e ardhshme, penalitet që nisi fundjavën e kaluar me zhvillimin e sfidës Kukësi-Teuta në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Edhe për Flamurtarin konfirmohet dënimi i fushës me katër ndeshje si dhe penaliteti me tre pikë në klasifikim, që ishte edhe pika të cilën vlonjatët e kundërshtuan. Ashtu si Kukësi edhe kuqezinjtë nisën dënimin fundjavën e kaluar, pasi zhvilluan sfidën ndaj Kastriotit në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Kështu pritet që Kukësi të luajë larg shtëpisë ndeshjet ndaj Partizanit dhe Besës në kampionat si dhe Naftëtarit në Kupë. Ndërkohë për Flamurtarin endja do të vijojë me takimet ndaj Tiranës dhe Vllaznisë në kampionat si dhe Adës në Kupë.