Sigal

Pavarësisht kreut të konsoliduar me 9 pikë epërsi nga vendi i dytë, që i sheh bardhezinjtë favoritë absolutë për titullin e tetë radhazi, te Juventusi gjërat nuk janë dhe aq të qeta.

Kjo pasi qendërmbrojtësi maroken Mehdi Benatia është i pakënaqur me aktivizimin e pakët dhe u ka kërkuar drejtuesve që ta lejojnë të largohet, pavarësisht se trajneri Alegri e sheh si një zëvendësues ideal për njërin nga dy titullarët, Bonuçi e Kielini.

Gjithsesi Benatia është me valixhe në dorë dhe pritet të firmosë në Katar për 10 milionë euro. Në të tilla kushte, drejtuesit e Juventusit po mendojnë për një zëvendësues dhe emri i parë në listë është ai i uruguajanit Martin Kaseres, që ka një të kaluar të afërt me ekipin torinez.

Por Kaseres është nën kontratë me Lacion dhe Juventusi duhet fillimisht të gjejë akordin me ekipin bardhekaltër, përpara se të rikthejë bardhezi uruguajanin.