Suplementi Pena Shqiptare/ Shezai Rrokaj promovon librin “Çështje të politikave arsimore në Shqipëri (2003-2018)”

454
Sigal

Të dashur miq, kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e botimit të librit tim më të ri, me titull “Çështje të politikave arsimore në Shqipëri (2003-2018)”. Në këtë botim përfshihet një pjesë e qëndrimeve të mia publike për politikat arsimore në një hark kohor mbi 15-vjeçar, i cili në mënyrë të veçantë lidhet me universitetin në periudhën kur kam kryer detyrën e rektorit (2003-2007), detyrën e dekanit (2008-2015) si dhe atë të deputetit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (prej vitit 2017 e këndej). Si pjesë e këtyre qëndrimeve publike një vend të posaçëm zënë edhe disa çështje lidhur me reformat e ndërmarra në sistemin parauniversitar, veçanërisht çështje të mësimdhënies së gjuhës dhe të letërsisë. Natyrisht, shumë prej këtyre vlerësimeve duhen vendosur në kontekstin e kohës, por edhe në kontekstin vijues deri në ditët e sotme. Ideja për botimin e këtij libri m’u sugjerua prej koleges prof. dr. Mimoza Gjokutaj, të cilën gjej rastin për ta falënderuar edhe për faktin se më ka ndjekur nga afër në shkrimet e mia. Dëshiroj gjithashtu t’i shpreh mirënjohje dr. Elsa Skënderi Rakipllari për ndihmesën në përgatitjen e këtij botimi, si dhe Botimeve “Pegi” për bashkëpunimin e përhershëm e të frytshëm. Arsimi është pasuri kombëtare e kësisoj të gjitha politikat që lidhen me të duhen parë në shërbim të së mirës publike. Pavarësisht nga këndvështrimet e qëndrimet e ndryshme, çdo përpjekje dhe kontribut për të mirën e arsimit është një shërbim i vyer!