Julian Ahmataj: Katër javë ferri për Partizanin, Skënderbeu skuadër me stabilitet

770
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi mëngjarash, i cili në karrierën 18 vjeçare, luajti me 7 skuadra të Superiores
Sa interes keni për ta ndjekur Kategorinë Superiore sot, pasi jeni larguar nga futbolli i luajtur?
Mendoj se këtu futen bashkë nostalgjia, respekti për karrierën e futbollin në tërësi, por edhe pasioni për këtë lojë. Kategorinë Superiore e kam ndjekur në vazhdimësi, edhe në këto tre vite që jam larguar nga futbolli i luajtur, edhe pse gjatë kësaj hapësire të shkurtër kohe, kam qenë i angazhuar në disa bankina si trajner, sot te Korabi.

Në katër javë, janë luajtur 20 ndeshje, si i përshkruani ato në një këndvështrim specialisti?
Ka pasur gjithçka në këto katër javë të luajtura, në të cilat kanë spikatur edhe lojtarët cilësorë, por edhe disa ndeshje të mira. Më shumë, skuadrat e kanë ngritur nivelin e lojës, edhe pse është shpejt për ta thënë, por kjo i ka vënë edhe në vështirësi për çka kanë arritur. Në përgjithësi, skuadrat nuk kanë luajtur vetëm për rezultat.

Sa janë shprehur skuadrat në këto katër javë, nisur nga rezultatet që kanë arritur, si dhe nga renditja në tabelë?
Sa i përket të shprehurit në lojë, jo të gjitha kanë treguar atë çka mund ta kenë si vlerë brenda vetes. Kështu, Skënderbeu ka treguar vlera cilësore, ndërsa e palogjikshme në këto katër javë mbetet renditja e Partizanit. Këtu mendoj se nevojitet ndryshim, sepse nga java në javë po mbetet shumë prapa.

Si flet renditja për ju, kur në krye është Skënderbeu dhe në fund pozicionohet Partizani?
Mendoj se renditja është sipas cilësisë që kanë skuadrat, dhe lojës që kanë zhvilluar. Mbi këto tregues kanë marrë edhe rezultatet, ku duket se një gjashtëshe do të bëjë diferencën, ndoshta duke menduar që aty të jetë edhe Partizani gjatë javëve në vazhdim.

Po emrat e merkatos që janë afruar te skuadrat, kanë bërë diferencën, apo kanë dështuar?
Është herët të themi se, futbollistët që janë afruar në merkaton e verës kanë dhënë më të mirën e tyre, apo kanë dështuar. Rasti i Çanit nuk është i tillë, sepse ai ka ardhur te Partizani i dëmtuar dhe duhet të rikuperohet. Ndoshta edhe për të tjerët ka kondicione fizike jo të mira, papërgatitjeje apo edhe mospërshtatje, të cilët do të vijnë në vazhdimësi.

Po arbitrimet, si kanë qenë në këto katër javë të para të Kategorisë Superiore 2017-2018?
Në përgjithësi, arbitrimet kanë qenë të mira në këto 20 ndeshjet e katër javëve të para. E rëndësishme është se nuk kanë pasur gabime të rënda si në sezonet e kaluara, edhe pse në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu u dha një penallti e dyshimtë. Paraqitja e arbitrave nuk e ka prishur imazhin e ndeshjeve, ndoshta kanë qenë edhe ata mes të mirës në këto katër javë.

Çfarë mund të ndryshojnë skuadrat deri më 11 tetor, kur duhet të rinisin ndeshjet me javën e pestë?
Janë rreth 10 ditë, që më shumë do të jenë “oksigjen” për Partizanin, për të marrë qetësinë e munguar në kolaudimin e skuadrës. Edhe të tjerat kanë pak kohë të bëjë ndonjë “riparim” në aspektin fizik dhe taktik.
Jo të gjitha skuadrat kanë treguar atë çka mund ta kenë si vlerë brenda vetes. Kështu, Skënderbeu ka treguar vlera cilësore, ndërsa e palogjikshme në këto katër javë mbetet renditja e Partizanit. Këtu nevojitet ndryshim, sepse nga java në javë po mbetet shumë prapa
20 ndeshje
Në katër javët e para që janë luajtur në Kategorinë Superiore, janë zhvilluar 20 ndeshje, nga pesë në çdo javë
33 gola
Kaq gola janë shënuar në katër javët e para të Superiores, 3 janë autogola dhe 5 janë shënuar me penallti
Ahmataj për Teutën në katër ndeshje
“Mendoj se për Teutën, starti i mirë i sezonit u zbeh nga humbja me Flamurtarin e barazimi në Kamzë. Nëse vinte fitorja në ndeshjen e fundit, gjithçka do të ishte perfekt, por edhe 7 pikë në 4 ndeshje, tregojnë se kjo skuadër të bën optimist për këtë sezon. Një arsye më shumë për të qenë optimistë në Durrës, është se fillimi i sezonit ishte pjesa më e vështirë, pasi skuadra është rindërtuar, ndërsa në vazhdim, Magani ka formatuar formacionin dhe e ardhmja duket pozitive”.
Ndeshjet-Java e pestë
Datë 11 tetor 2017 
Lushnja-Kukësi
Skënderbeu-Laçi
Vllaznia-Flamurtari
Luftëtari-Kamza
Teuta-Partizani

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 4 10
2.Kukësi 4 7
3.Flamurtari 4 7 
4.Teuta 4 7
5.Laçi 4 6
6.Luftëtari 4 5
7.Vllaznia 4 4
8.Kamza 4 3
9.Lushnja 4 2
10.Partizani 4 2
Sigal