Java e pestë e Superligës, luhet për kreun e Kampionatit

467
Sigal

Ndryshojnë datat e ndeshjeve për shkak të vizitës së Papës në Shqipëri ditën e diel

Ndryshon kalendari i Superligës, pasi në këtë javë të pestë, ndryshe nga sa ishte vendosur, ndeshjet nuk do të luhen ditën e shtunë dhe të diele por të premten dhe të shtunën, shkak për këtë është bërë ardhja e Papës në Shqipëri ditën e diel dhe është vendosur që mos të zhvillohet asnjë ndeshje në qytetin e Tiranës. Pra ndeshjet e parashikuara ditën e shtunë Partizani-Teuta dhe Skënderbeu-Kukësi do të spostohen të premten në ora 19:00 të ndjekura të shtunën me tre ndeshjet e tjera Elbasani-Flamurtari, Vllaznia-Apolonia dhe Laçi-Tirana, të gjitha në ora 14:00. Këtë javë përballjet do të jenë shumë të forta, sidomos përsa i takon luftës për kreun me Tiranën që kryeson tre pikë para ndjekësve më të afërt, që nuk janë pak, por plot katër skuadra si Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari dhe Partizani. Këto skuadra përveçse do luajnë ndeshjet e tyre do të kenë edhe një interes për  ndeshjen që luan Tirana kryesuese në Laç, me shpresën se kryeqytetasit do të lënë pikë aty. Deri më tani Laçi nuk ka arritur të marrë asnjë fitore, por vetëm 1 humbje dhe tre barazime duke treguar kështu një repart të fortë në mbrojtje, çka e bën një skuadër të rrezikshme pasi do të provojë të arrijë fitoren e parë. Ndërkohë  për Tiranën është detyrim fitorja nëse do të vazhdojë të kryesojë tabelën e pa shqetësuar nga rezultatet e kundërshtarëve. Të premten përballjet premtojnë spektakël me Partizanin që synon fitoren e tretë rresht dhe me Teutën që do të luajë për më shumë pikë sesa ndaj Laçit. Ndeshja tjetër e të premtes vë përballë njëra tjetrës kampionen dhe nën kampionen në fuqi të kampionatit. Skënderbeu pret në Korçë, Kukësin për një ndeshje që mund të quhet vendimtare për të dyja, duke parë se si Skënderbeu ashtu edhe Kukësi në dy ndeshjet e fundit kanë arritur të mbledhin secila vetëm nga 1 pikë të arritur me barazime ndaj Apolonisë për korçarët dhe  ndaj Laçit për kuksianët, ndërkohë që bilanci i humbjes ju vjen nga e njëjta skuadër, Partizani. Ndeshja do të mbahet në ora 19:00. Ndërsa të shtunën, bashkë me Laçi-Tirana do të mbahen edhe Elbasani-Flamurtari dhe Vllaznia-Apolonia, ndeshje delikate që të dyja, me Elbasanin që nuk e ka provuar akoma shijen e fitores apo të barazimit në këtë kampionat duke mbledhur kështu 4 humbje rresht, por ndeshja e fundit që zhvilloi ndaj Tiranës paralajmëron në një farë mënyre Flamurtarin se nuk do jetë një ndeshje e lehtë për të. Flamurtari nga ana tjetër kërkon të kthehet tek fitorja pas barazimit aspak të kënaqshëm me Vllazninë në Vlorë që e pa duke humbur pikë të çmuara për kampionatin. Vllaznia nga ana tjetër, pret në një “Loro Boriçi” të boshatisur Apoloninë, pas barazimit të arritur në Vlorë. Fitorja për shkodranët është shumë e rëndësishme pasi deri më tani janë në kuotën e dy pikëve dhe gjenden në vendin e parafundit të renditjes, ndërkohë Apolonia që po shfaqet si një skuadër e fortë në shtëpi, ku arriti ti merrte edhe një barazim Skënderbeut, i duhet tani të tregojë forcën edhe në Shkodër.

Ndeshjet e javës së pestë

Të premten

Partizani 19:00 Teuta

Skënderbeu 19:00 Kukësi

Të shtunën

Elbasani 14:00 Flamurtari

Vllaznia 14:00 Apolonia

Laçi 14:00 Tirana

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 4 3 1 0 10
2 KF Flamurtari 4 2 1 1 7
3 KF Kukësi 4 2 1 1 7
4 KF Skënderbeu 4 2 1 1 7
5 KF Partizani 4 2 1 1 7
6 KF Teuta 4 1 1 2 4
7 KF Apolonia 4 1 1 2 4
8 KF Laci 4 0 3 1 3
9 KF Vllaznia 4 1 2 1 2
10 KF Elbasani 4 0 0 4 0

  Shtëpia e re e Kombëtares “Elbasan Arena” drejt përfundimit

 Aktualisht po punohet shumë që stadiumi më i ri në Shqipëri, i planifikuar edhe si stadiumi kombëtar, të përfundohet në kohë për ndeshjen Shqipëri- Danimarkë, që do jetë edhe ndeshja e parë që do luhet aty, me 11 tetor. Dje kanë filluar që të vendosen stolat e parë në shkallët e stadiumit dhe gjithashtu bëhet e ditur se, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka qenë dje për inspektim dhe ka nxitur punonjësit që të përfundojnë çdo gjë në kohen e caktuar.

Fiton në sekondat e fundit Liverpool, Anderlehtin e Besnik Hasit e barazojnë në fund të ndeshjes

 Champions League, Reali fiton me goleadë, Dortmundi i jep leksione futbolli Arsenalit

  U luajtën mbrëmë ndeshjet e para të Champions League, me Realin dhe Dortmundin që dhuruan spektakël në fushat e tyre. Reali arriti të mbyllte ndeshjen me rezultatin 5-1 ndaj Baselit. Pjesa e parë për Realin ishte thjeshtë shembullore, duke shënuar 4 gola deri në minutën e 37. Serinë e golave për Realin në fakt e hap një futbollist i Baselit, Sushi, që shënon në portën e vet, më tej golat u shënuan nga Bale, Ronaldo dhe Rodrigez. Goli i pestë u shënua në pjesën e dytë nga Benzema, ndërsa golin e nderit për Baselin e shënoi Gonzalez. Po në këtë grup, Liverpool arriti të merrte një fitore të vështirë ndaj Ludogorets 2-1,  vetëm në minuten e fundit me një penallti të ekzekutuar nga Xherard. Në grupin D, Borusia Dortmund mund Arsenalin në lojë dhe në rezultat, në një ndeshje të madhe për futbollistët e Klopp  që tani e gjejnë veten në vendin e parë në grup pas barazimit 1-1 të Gallatasarait me Anderlehtin e Besnik Hasit. Në grupin A, Olimpiakos mund 3-2 Atletikon që vinte si favorite dhe si nënkampione e këtij kompeticioni ndërsa Juventusi merr tri pikë ndaj Malmos me rezultatin e pastër 2-0. Në grupin C Monako bën detyrën me vështirësi ndaj Leverkusenit duke e mundur 1-0 në një lojë shumë të vakët por që në fund kishte rëndësi fitorja, ndërsa Benfica mundet 2-0 në shtëpi nga Zeniti, duke komplikuar shanset për kualifikim duke parë edhe grupin  e vështirë në të cilin ndodhet.

Në ndeshjet që do të luhen sonte në darke spikat mbi të gjitha sfida Bayern Munchen-Manchester City, dy klube që e njohin shumë mirë njëra-tjetrën pasi janë ndeshur shumë shpesh në fazën e grupeve të Champions League. Për Bayern do të jetë një ndeshje e vështirë pasi i mungojnë shumë nga yjet e saj si Ribery, Thiago, Badstuber, Schëeinsteiger, por trajneri Guardiola është shprehur optimist për ndeshjen e sotme pavarsisht mungesave, ndërsa Company i Man.City pohon se Bayern është një nga tre skuadrat më të mira në botë, por që gjithsesi kanë shumë mundësi ta mundin sepse potenciali nuk u mungon. Ndeshje tjetër që paraqet interes është edhe Ajaks-PSG me holandezët që do të përpiqen të mbijetojnë në një grup të vështirë bashkë me Barcelonën dhe Apoelin. Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtin orar 20:45.

Ndeshjet e luajtura mbrëmë

Grupi A

Olimpiakos 3-2 Atletiko Madrid

Juventus 2-0 Malmo

Grupi B

Liverpool 2-1 Ludogorets

Real Madrid 5-1 Basel

Grupi C

Monako 1-0 Leverkusen

Benfica 0-2 Zenit

Grupi D

Gallatasarai 1-1 Anderleht

Dortmund 2-0 Arsenal

Ndeshjet që do të luhen sot

Grupi E

Roma 20:45 CSKA Moska

Bayern.M 20:45 Man.City

Grupi F

Barcelona 20:45 Apoel

Ajaks 20:45 PSG

Grupi G

Chelsea 20:45 Schalke

Maribor 20:45 Sporting

Grupi H

Porto 20:45 Bate

Ath.Bilbao 20:45 Shakhtar