Naxhi KASORUHO/ Tefta Duda – zëri hyjnor që u ndalua të këndonte

732
Sigal

Teftë Duda nuk arriti ta prekte skenën e festivalit. Nuk e lejuan, e dëbuan nga grupi përfaqësues

Ishte shtator i  vitit 1973, kur papritur një urdhër i partisë  se Rrethit  e ndaloi këngëtaren zagorite Tefta Duda të këndonte në Festivalin Folklorik Kombëtar të atij viti, që do të fillonte më 5 Tetor në skenën madhështore të kalasë historike të Gjirokastrës. Ishte ky një urdhër befasues që na shtangu të gjithëve …. Ishte  si i thonë fjalës  një vetëtimë në qiell të hapur që goditi rrufeshëm këngëtaren e re Tefta Duda  duke i ndërprerë këngën në buzë. Për të  arritur  deri në këtë ditë të dhimbshme Tefta Duda dhe grupi i këngëve të Zagorisë kishin kaluar në te gjitha ballafaqimet dhe koncertet që organizoheshin në rang fshati  – komune  e Rrethi  si faza përgatitore të Festivalit Folklorik Kombëtar . Tefta Duda vinte në këtë festival  me një nga këngët më të bukura – të veçanta –brilante befasuese në një variant melodik si një baladë e dhimbshme e mbështetur në një polifoni të avancuar 4 zërëshe – këngë, e cila kur e dëgjuam në festivalin e rrethit e përzgjodhëm ne 400 këngë dhe vendosëm njëzëri specialistë  e spektatorë se kjo do të shkonte në  kalanë e festivalit.

 Por jo!

Tefta Duda  nuk do të ngjitej në skenën e festivalit

Ishte një moment tronditës mbasi të dëboje një artist nga festivali aq më tepër një femër ishte me pasoja për jetën e saj siç i ndodhi më  tej Teftës.  Përpara se të vinte kjo ditë e mallkuar Televizioni Shqiptar  e filmoi këtë këngë te kënduar  nga Tefta Duda dhe grupi i këngëve zagorite në formën e një video-klipi në ambientet e kalasë se Gjirokastrës si të vetmin  kujtim të jashtëzakonshëm,  duke përjetuar në celuloid një këngëtare me zë brilant , të papërsëritshëm deri më sot , si një dokumentacion me vlerë duke hyrë në arkivin e trashëgimisë tonë folklorike kombëtare . Teftë Duda nuk arriti ta prekte skenën e festivalit – nuk e lejuan- e dëbuan nga grupi përfaqësues i  rrethit, madje, nga ajo ditë nuk do ta lejonin të këndonte as me grupin e këngëve në Sheperin e saj të dashur e në gjithë zagorien. Kënga e saj ishte sa e bukur aq e veçante- ndërtuar në një motiv muzikor herë të dhimbshëm por edhe të ndritshëm –melankolike e shpërthyese me kontraste që shprehte në dy pamje të djeshmen e të sotmen e që përfundonte me fjalët: “Kurrë më s’do marrësh udhët e kurbeteve” . Kënga bën fjalë për plagën e rëndë të kurbetit si dukuri e spikatur e kësaj krahine, e cila ka përjetuar e vuajtur këtë realitet të dhimbshëm e tronditës. Dhe kujt më shume se Zagories do t’i takonte ta këndonte këtë  këngë e të pasqyronte këtë plagë të rëndë të shoqërore. Por në festival “Këngën e kurbetit” e solli një grup miks i Zagories me marrëse, nxënësen e shkollës së mesme Nivan – Vasilika Mboqe  – me kthyes Thoma Stani e hedhës Jorgo Telo me ison e Margarita Kllapit –Afërdita Meçi –Liljana Dine – Natasha Mila etj.. Në një interpretim befasues e të veçantë e emocionues që entuziazmoi publikun e shumtë në kalanë e Festivalit.

      Ja disa nga fjalët e këngës:

                                  Të përcollën nënë e nuse

                                    Larg për në kurbet

                                   Fushës Sheperit ca lot

                                   Shamizeza derdh

                                                   Nusja se ç’të tha mënjanë

                                                   Kthehu se të pres

                                                   Shkuan vite ajo priti të priti

                                                    Të priti një jetë

                                     Tu rrit djali të bën letër

                                     Hajde ç’bën atje,

                                     Eja të shoç  Zagorien

                                     Kush është si ne

                                                  Një ditë të bukur Maji

                                                   Qielli pa re

                                                  Fushës Sheperit po vije

                                                   Përmes arave

                                        Djalin që ngiste traktorin

                                         nuk e vure re

                                         Nuk i fole ku ta dije

                                         Qe ai a s’qe

                                                Prapë tu kthye djalëria

                                                Erdhe në atdhe

                                            Kurrë më s’do marrësh udhët

                                             E kurbeteve .

Nëse kënga buçiti fuqishëm në bedenat e kalasë historike për Tefta Dudën kjo ishte një dite e trishtuar dhe fundi i rrugës së këngës që ajo e donte me gjithë dashurinë e shpirtit .

 Raste jo të rralla

Ngjarje të tilla, ku artistët nuk lejoheshin të këndonin në koncerte të ndryshme kishte jo vetëm në Gjirokastër, por  në të gjithë vendin. Në detyrën time si  Udhëheqës Artistik me grupet popullore që përfaqësonin rrethin e Gjirokastrës në kalanë e Festivalit më ka ndodhur disa herë që urdhra te partisë ndalonin këngëtarë popullorë të këndonin ne Festivalin Folklorik Kombëtar. Nuk do të ndalem të përmend këtu këto shembuj të shëmtuar por do të theksoj se çdo rast kishte – tronditjen – befasinë – dhimbjen dhe revoltën  e të gjithëve por rasti i Tefta Dudës më ka mbetur i pashlyer . Kur u ula të shkruaj këto rreshta për Tefta Dudën mendova se ka diçka të përafërt midis përmbajtjes së këngës dhe jetës së saj . Në mënyrë metaforike mendoj se përkojnë largimi i kurbetlliut dhe kthimi i tij që gjen djalin e rritur mbi traktor  me Teftën që emigroi në harresën e këngës por që sot pas 40 vitesh ka si trashëgimtare vajzën e saj Mimozën .Dhe vazhdon trashëgimia e këngës brenda familjes. Zoica  -Nëna e Teftës ishte e njohur në Sheper e në Zagorie për zërin e saj të bukur e këngët e shumta që këndonte në sebepe familjare e dasmat e fshatit ku e thërrisnin për të gjallëruar festën  . Nga ajo mësoi Tefta duke u bërë simbol i zërit femëror të Zagories . Dhe  ja  vijmë në ditët e sotme ku edhe Mimoza e rritur që fëmijë në përkundjet e zërit hyjnor të Nënës së saj është sot një zë i fuqishëm i interpretimit të këngës polifonike . E arsimuar në Akademinë e Arteve në degën e kantos si këngëtare lirike Mimoza Duda( Kosturi ) kulturën e lartë muzikore e investoi me tërë dashurinë e shpirtit edhe në këngën Polifonike. Ajo tashmë është një korife me zë të spikatur në interpretimin e polifonisë . Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe – si bija e Tefta Dudës ajo e trashëgoi atë zë brilant me dashuri të pakufishme për këngën Zagorite. Tashmë Mimoza  ka realizuar dy C.D, me grupin e saj polifonik ku ndjehet niveli I lartë i interpretimit- zëri brilant – vokali i kultivuar  një sopranoje lirike – motivet befasuese – kontrastet dinamike – kompaktësia deri në perfeksion  janë garanci dhe premtojnë për një rrugë të bukur drejt suksesit . Tashmë Mimoza Duda (Kosturi ) e ka nisur fluturimin e saj në “Qiellin e Këngës”  për t’u bashkuar me “ Mbretëreshat “ e Polifonisë Shqiptare : Katina Bejleri – Paro Ziflaj – Ermioni Mërkuri  e Irini Qiriako me personalitetin dhe individualitetin e saj .

                            UDHË TË MBARË!