Jashtë liste gjashtë titullarë, debutojnë tre emra të rinj

498
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Trajneri Panuçi publikon listën për dy ndeshjet e radhës, konfirmohen risitë dhe mungesat e rëndësishme
Dje ka qenë ditë listash në FSHF, sepse si Kombëtarja, ashtu edhe Shpresa U 21, kanë qenë “peng” të listave, me emrat e futbollistëve që kanë besuar për veprimtaritë e tyre të radhës. Kështu, dje janë konfirmuar risitë në listën e trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjet me Litehshteinin e Maqedoninë, në kuadrin e eliminatoreve të Botërorit 2018, Grupi G. Tekniku i ri i kuqezinjve ka afruar tre emrat e rinj në përfaqësuese, por ka lënë jashtë njëkohësisht disa emra të njohur, për shkak të formës jo të mirë të tyre. Të rinjtë janë Ivan Balliu, Hysen Memolla dhe Valon Ahmedi, të tre emra të rinj në listë, pasi tekniku e ka ndjekur ecurinë tyre në kohët e fundit dhe është gati t’u japë mundësinë të tregojnë vlerat edhe me fanellën kuqezi. Por njëkohësisht, ai ka vendosur të mos grumbullojë për këtë ndeshje Taulant Xhakën, Ergys Kaçen, Shkëlzen Gashin dhe Naser Alijin, me këtë të fundit që është i vetmi “i justifikuar” për shkak të një dëmtimi të pësuar që e ka lënë jashtë fushave të lojës. Mungesë e paparashikuar është ajo e Ermir Lenjanit, i cili së fundmi kishte filluar të aktivizohej rregullisht me Sionin në kampionatin zviceran të futbollit. Jashtë mbetet edhe Bekim Balaj, i cili ka qenë i dëmtuar së fundmi dhe nuk është në formën më të mirë. Të hënën, më 28 gusht 2017, trajneri Kristiano Panuçi do të jetë në Tiranë, ku paradite do të dalë para mediave për të treguar gjithçka ka menduar në përgatitjet për dy sfidat, njëherësh edhe për të treguar ndryshimet që ka në këtë listë, largimet dhe afrimet. Pas nënshkrimit të kontratës një muaj më parë, kjo është e para herë që Panuçi merr komandën në skuadrën tonë Kombëtare, ku për ndeshjen me Litehshteinin që do të luhet në Elbasan do të ketë mundësi për pesë ditë përgatitje, ndërkohë që për ndeshjen me Maqedoninë, ngarkesa stërvitore do të jetë më e lartë, sepse psikologjia ndaj kundërshtarit nuk e bën të lehtë këtë sfidë. Shqipëria ndodhet në vendin e 3-të në Grupin G eliminator për “Botërori 2018”, pas Spanjës dhe Italisë, por me pikë të barabarta me Izraelin. 
Agjenda e ndeshjes së parë
Grumbullimi i ekipit kombëtar do të nisë ditën e hënë, në hotel “Tirana”, ndërsa seanca e parë stërvitore do të jetë në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 18.00. Sipas programit, tre ditë me radhë, të hënën të martën dhe të mërkurën, në orën 13:30, do të jenë përpara medieve dy futbollistë të ekipit kombëtar, teksa të enjten, një ditë përpara ndeshjes me Litehshteinin në stadiumin “Elbasan Arena”, do të zhvillohet konferenca për shtyp me trajnerin dhe kapitenin e ekipit kombëtar.
Kupa e Botës Rusi 2018 
Grupi G-Ndeshjet
Ndeshja e luajtura
Datë 5 shtator 2016
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Datë 6 tetor 2016 
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017
Itali-Shqipëri 2-0
Datë 11 qershor 2017
Izrael-Shqipëri 0-3

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 6 16
2.Itali 6 16
3.Shqipëri 6 9
4.Izrael 6 9
5.Maqedoni 6 3
6.Lihtenshtein 6 0
Do të luhen
Datë 2 shtator 2017
Shqipëri – Lichtenstein
Datë 5 shtator 2017
Maqedoni – Shqipëri
Datë 6 tetor 2017
Spanjë – Shqipëri
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri- Itali
Sigal