Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Geri Çipi: Silvinjo mos bëj eksperimente me Çekinë, fitorja na kualifikon

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Kombëtares, Geri Çipi, analizon Shqipërinë në Grupin B1

 

Nga Agron KAJA

NOA

Situata në Grupin B1 të Ligës së Kombeve duket me rivalitet, si e vlerësoni Shqipërinë në 4 ndeshjet e luajtura?

Futbolli mbetet i çuditshëm, sepse e arrin atë që do dhe pastaj kërkon të qëndrosh aty. Por duhet ta rruash e ta përmirësosh atë që ke arritur. Unë mendoj se mes katër ndeshjeve të luajtura, ka patur edhe të mira, kishte edhe luhatje.

Për dy sfidat e rradhës, Silvinjo ka thirrur 28 futbollistë, mendoni se me këtë numur trajneri shikon për larg?

Ai do t’i thërrasë 28 lojtarë, sepse mendon për sot dhe për nesër. Ekipin kryesisht e ka për dy ndeshje të rëndësishme, por edhe për një vazhdimësi. Ndaj ishte i detyruar ta zgjeronte listën, pasi ka lojtarë që nuk aktivizohen në klubet e tyre.

Ku duhet të ndryshojë Silvinjo me përgatitjet që po bën për dy ndeshjet e fundit në grup?

Ndryshimi bëhet në përshtatje me kundërshtarin, dhe mbi atë bazë përqaset ekipi që mund të bëjë më të mirën. Është zgjidhje e trajnerit brënda mundësive që ai ka, dhe natyrisht që ndryshime mund të bëhen, madje më shumë në vijën e sulmit.

Për sfidën e parë me Çekinë, trajneri u shpreh se është vendimtare! cili është mendimi juaj profesional?

Nuk e di sa ndikon kjo ndeshja me Çekinë, por me fitore na përmirësohet renditja. Ky është një test që trajneri ta shohë ekipin se ku është, sepse fati i Shqipërisë nuk varet nga këto ndeshje, nuk është për jetë a vdekje për në Botëror.

Sa do ndikojnë mungesat e disa titullarëve te skuadra jonë ndaj Çekisë?

Largimi i Gjimshitit është si të largohej gjysma e ekipit, por këto mungesa janë të pranueshme. Gjithsesi, unë kam besim se pikën e marrim, ndërkohë që fitorja do varet shumë edhe nga kundërshtari, se si ai e ka vlerësuar këtë ndeshje ndaj nesh.

Nisur nga situatat që kanë të dyja skuadrat, Çekia dhe Ukraina, Kryesisht ndeshjen me çekët si e shikoni?

Unë mendoj se do jetë një ndeshje me gola, por ne do të triumfojmë. Për kualifikim, mendoj se me Çekinë do të vendoset përfundimisht vëndi i parë në grupin tonë. Por gjithsesi, vetëm fusha do ta vendosë këtë sfidë.

Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen me Çekinë, do jetë tifozeria faktor pozitiv për Kombëtaren tonë?

Patjetër që po, pasi dihet impakti që krijon tifozeria jonë në stadium. Por nga eksperienca them se te futbollistët nuk do ndikojnë shumë. Kur je në fushë, nuk e ke me shumë emocion tifozerinë, je lojtar që zbaton detyrat në pozicion ku luan.

Sa vlerë ka kjo Ligë e Kombeve për futbollin europian në tërësi?

Zëvendësimi i ndeshjeve miqësore them se e krijoi këtë Ligën e Kombeve, pasi ndeshja zyrtare ka më shumë seriozitet se ndeshja miqësore. Ky është si rol i këtij kompeticioni, dhe mendoj se kombëtareve u shërben shumë për kompaktësimin.

 

Me Çekinë arbitron zvicerani Scharer

Arbitri që do të vendosë drejtësi në sfidën me Çekinë është zvicerani Sandro Scharer. Ai ka arbitruar finalen e Superkupës Real Madrid-Atalanta 2-0,

ndeshjen Çeki-Moldavi 3-0, të vlefshme për kualifikueset e Europianit, si dhe  miqësoren Belgjikë-Çeki 2-1. Scharer do të ndihmohet nga asistentët Jonas Erni dhe Stefan De Almeida, i katërt Joanes Von Mandach. Të gjithë nga Zvicra.

FORMACIONI MUNDSHËM

Shqipëria: 1-4-5-1

Portier: Strakosha

Mbrojtësa: Balliu, Ajeti, Ismajli, Mitaj

Mesfushorë: Ramadani, Asllani, Asani, Laçi, Bajrami

Sulmues: Tuci

LIGA E KOMBEVE

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet e luajtura

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

Çeki-Shqipëri             2-0

Gjeorgji-Shqipëri         0-1

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Çekia            4          7

2.Gjeorgjia      4          6

3.Shqipëria      4          6

4.Ukraina        4          4

Ndeshjet që do luhen

Datë 16 nëntor 2024

Shqipëri-Çeki  20:45

Datë 19 nëntor 2024

Shqipëri-Ukrainë         20:45

 

BILANCI

SHQIPËRI-ÇEKI

Ndeshje                4

Fitore                    1

Barazime              1

Humbje                2

Golat                 5:6

 

Trajneri i Shqipërisë

Silvinjo: Në fushë, me zemër e shpirt

Në konferencën e djeshme për shtyp, një ditë para ndeshjes me Çekinë, trajneri i Kombëtares sonë Silvinjo theksoi mes të tjerave se në fushë duhet të shkojmë me shumë zemër e shpirt. “Skuadra me të cilën kemi luajtur më shumë në këto vite, kemi fituar, barazuar e humbur, nesër mund të ndodhë gjithçka. Ata janë të fortë, janë fizikisht të forte dhe trajneri i tyre, është shumë inteligjent. Ka bërë 3-4 ndryshime në ekip dhe luan me 4. Ka Shulc, është Çeri i cili i jep ekuilibër skuadrës, Hoslek, Çernji, Provod, shumë të fortë e fizik. Ne duhet të bëjmë mirë lojën tonë, kemi cilësi teknike e organizim taktik. Por duhet të shkojmë në fushë me shumë zemër dhe shpirt, kjo mund të bëjë diferencën. Me tifozat tanë, ne kemi një avantazh dhe në fushë duhet të shkojmë të japim 100%”.

Trajneri i Çekisë

Ivan Hashek: Fitore për vendin e parë

Dje pasdite, trajneri i Çekisë Ivan Hashek nuk nguroi të deklaronte se skuadra e tij kërkon fitoren sot në “Air Albania”, për të përfunduar të parët në Grupin B1. “Ne kemi një objektiv të qartë dhe ai është që të kalojmë grupin në vendin e parë. Është në lojë edhe vendi në Kupën e Botës, ndaj duam të përfundojmë të parët në grup. Nga ky këndvështrim nuk dua të bëj llogari apo të them se do ta preferoja një barazim, sepse objektivi është të fitojmë grupin B1. Ne e kemi parë në ndeshje të ndryshme Shqipërinë, është një skuadër cilësore dhe me një trajner të shkëlqyer dhe lojtarë cilësorë. Por tranzicioni drejt sulmit i Shqipërisë është shumë i shpejtë dhe vdekjeprurës”, kështu deklaroi dje mes të tjerave trajneri i Çekisë, Ivan Hashek, i cili formacionin e titullarëve anti-Shqipëri nuk e zbuloi.