Intervista/ Sulejman Mema: Renditja do ketë luhatje, kampionati varet nga “Final 4”

24

Flet për “Telegraf” Sulejman Mema, e mendon të fortë garën dhe skuadrat me dritëhije

Sigal

Nga Agron KAJA

Nga java e 13-të në të 14-ën, Superiorja po luan shumë ngjeshur, si ndikon kjo hapësirë te performanca e skuadrave?

Nga java e javë mendoj se është mirë në këtë ritëm me ndeshje. Sepse kur mendojmë që do jemë 40 javë kampionat, shoqëruar edhe me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, ngarkesa e skuadrave është normale dhe pa problem.

Janë mbyllur pesë ndeshjet e javës së 14-të, cili është përshkrimi juaj për sfidat e luajtura?

Më duket çudi se si Skënderbeu që ishtë në avantazh, barazoi me Kukësin! Sepse është një nga skuadrat që ka një menaxhim shumë të mirë e korrekt, e po kështu edhe Egnatia që sot (dje) me meritë ka marrë tri pikët në Laç.

Cilën prej ndeshjeve të kësaj javës e veçoni si më të bukurën, dhe cilën me rezultat të papritur?

Kam përshtypjen se në sfidën Laçi-Egnatia ishte një ndeshje ku skuadrat luajtën mirë, por rrogozhinasit u treguan me më shumë kapacitet gjatë gjithë 90 minutave, e administruan më mirë lojën duke treguar se e meritojnë kreun e renditjes.

Renditja në këto javë pati ndryshime, ju ku prisnit lëvizje në tabelë?

Duke ditur se kampionati varet shumë nga “Final 4”, do ketë gjithmonë ndryshime në renditje nga të gjitha skuadrat. Ato skuadra që e slmojnë kreun, nga vendi I parë në të katërtin do ushtrojnë presionin e tyre në çdo ndeshje.

Java e 15-të luhet pas katër ditësh, me kryendeshje “derbin” Tirana-Partizani, ju si e parashikoni?

“Derbi” Tirana-Partizani në javën e 15-të mendoj se do të prodhojë një ndeshje të bukur. Ndoshta Tirana do nxjerrë mësime nga ato luhatje që ka kaluar, por gjithsesi, nisur nga historia mes tyre janë të treja rezultatet, 50 me 50.

Si ish-futbollist bardheblu, sa herë e keni luajtur këtë ndeshje “derbi” ndaj Partizanit?

Në kohën kur unë luajta futboll me Tiranën, në “derbin” me Partizanin kemi patur gjithmonë problem, sepse luhej nën një tension të brendshëm nga të gjitha anët. Atëhere ndikonin shumë fakatorë, të pakrahasueshëm me sot.

Në 14 javë Tirana nuk është në pritshmëritë, ku mendoni se ka gabuar gjatë garës?

Këto ndeshjet që ka humbur, nisur nga deri me Partizanin, ndoshta e dhe largimi I trajnerit Shehi mund të jenë shkaqet e kësaj situate te Tirana. Por edhe pse Ahmataj po tregon profesionalitet, ende skuadra nuk po e kalon momentin e keq.

Jemi në mesin e fazës së dytë, një këndvështrim e keni për zhvillimin e garës në tërësi?

Deri tani duket se po zhvillohet një garë interesante, pavarësisht oshilacioneve që kanë treguar skuadrat nga java në javë. E përmenda më sipër, gara do bëhet edhe më e fortë dhe e vështirë, sepse “Final 4” ua imponon trysninë.

ABISSNET SUPERIORE – NDESHJET DJE

Laçi-Egnatia 0-2

Transfertë me tri pikë për Egnatian, stopon Laçi

Në përballjen e djeshme me Laçin, skuadra e Egnatias ka arritur një fitore me shumë vlera për renditjen. Duke e mposhtur Laçin 0-2 në transfertë, tashmë  rrogozhinasit kryesojnë të vetëm me 30 pikë, me 2 pikë më shumë se se Partizani që ka një ndeshje më pak. Duke e administruar e dominuar më mirë lojën, Egnatia arriti ta “ulë në gjunjë” Laçin, i cili në 14 javë kampionat e ka humbjen e gjashtë që pëson. Me këtë humbje, duket se kurbinasit po nisin ethet e zonës së ftohtë në tabelën e renditjes, pasi vendi i 7-të aty po e orienton. Ndërkohë, në javën e 15-të Egnatia pret Vllazninë, ndërsa Laçi ka transfertën e vështirë me Dinamo City.

Kukësi-Skënderbeu 2-2

Kukësi rigjen pikën, Skënderbeu nuk humbet

Dje në stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë, Kukësi dhe Skënderbeu luajtën një transfertë të dyfishtë mes tyre. Moti me rreshje shiu e bore e bëri e zhvendosi atë në Tiranë, dhe jo në qytetin verilindor. Një sfidë pa fitues, duke treguar dy pjesë loje të ndryshme. Në të parën ishte Skënderbeu që dominoi gjithçka, madje duke shënuar dy gola me Frenklin dhe Likën. Kontrrolli i lojës nga korçarët zgjati 45 minuta, sepse në të dytën ishin kuksianët ata kontrrolluan lojën dhe shënuan dy gola me Zhongon e Da Motën. Një ndeshje me dy pamje në të dyja pjesët, por që korçarët i mban në vendin e katërt, ndërsa Kukësi mbetet i parafundit.

Vllaznia largohet nga “mbijetesa”, Teuta “çimenton” fundin

Goli i Grudës në minutën e 4-t e nderoi Vllazninë dje në Durrës, duke e larguar nga zona e ftohtë në renditje. Ndërsa Teuta vazhdon ta “çimentojë” vendin e fundit në renditje. Kështu, Teuta-Vllaznia 0-1 për ta mbyllur javën e 14-të.

 

ABISSNET SUPERIORE

     NDESHJET, JAVA 14

E hënë, 27 nëntor 2023

Erzeni-Tirana                 1-0

Partizani-Dinamo City    0-0

E martë, 28 nëntor 2023

Laçi-Egnatia                   0-2

Kukësi-Skënderbeu        2-2

Teuta-Vllaznia               0-1

RENDITJA 

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              14      30

2.Partizani   (-1)    13      28

3.Tirana                14      21

4.Skënderbeu        14      18

5.Vllaznia             14      17

6.Dinamo City      14      16

7.Erzeni                14      16

8.Laçi                   14      16

9.Kukësi               14      15

10.Teuta     (-1)    13      12