Intervista/ Armand Duka: Kemi trokitur në portën e Europianit, Silvinjo “bast” i fituar

112
Sigal

Kombëtarja në prag të kualifikimit në “Euro 2024”. Presidenti Armand Duka flet për “Telegraf”

Agron Kaja

“Për t’u treguar korrekt me kalendarin, unë them se na duhen edhe 180 minuta fituese. Kur kam vendosur për Silvinjon, asnjëherë nuk u ndjeva i pasigurtë, dhe sot them se ai është një “bast i fituar”.

Po mbyllet muaji tetor, por atmosfera e fitores me Çekinë duket se do na mbajë në tension. ju çfarë ndjesie keni sot?

Edhe unë kam ndjesinë që mund ta ketë sot çdo shqiptar, kudo që mund të ndodhet, në Shqipëri, në Europë e në Botë. Sepse me Çekinë ishte një fitore e madhe që na dha kreun e grupit, dhe deri më 17 nëntor do mbetemi në “ethet” e kualifikimit.

Ju e festuat si tifoz kuqezi fitoren 3-0 me Republikën Çeke, menduat se aty nis kualifikimi ynë në “Euro 2024”?

Që të jesh tifoz i Kombëtares shqiptare, natyrisht të jep shumë emocione, të bën të papërmbajtur, aq më shumë të jesh në detyrën e presidentit e shton edhe më shumë kënaqësinë, apo emocionin. Aty trokitëm në dyert e kualifikimit tonë në Europian.

Këtë muaj- tetor, për ju ishin dy festime, fitorja e Kombëtares dhe zgjedhja si zëvendëspresident i UEFA-s?

Ajo që ka dhuruar ekipi Kombëtar ka qenë me të vërtetë një festë fantastike, sepse fitoi ndaj kundërshtarit më të fortë në grupin tonë. Ka qenë legjitim gëzimi, jo vetëm për mua, ndërsa festimi për zgjedhjen si zëvendëspresident në UEFA ishte në plan të dytë.

Pas kësaj situate, e mendoni se me Silvinjon Kombëtarja shkon në finalet e Gjermanisë?

Për t’u treguar korrekt me kalendarin dhe me dy kundërshtarët, që do ndeshemi në nëntor, unë them se na duhen edhe 180 minuta fituese. Kur kemi vendosur për Silvinjon, asnjëherë nuk u ndjeva i pasigurtë dhe sot them se ai është një “bast i fituar”.

Para ndeshjes me Çekinë, në Kombëtare kishte edhe largime, pse ndodhi me Brojën?

Nuk jam mjek të them se ka qenë i dëmtuar ose jo. Broja erdhi në ekip për të luajtur dy ndeshjet e radhës dhe gjithçka e ka sqaruar trajneri Silvinjo se nuk ishte i gatshëm për të luajtur. Ne nuk mund ta pengonim dhe them se nuk ka një çështje Broja-Silvinjo.

Cili është lojtari që ju e veçoni më shumë përshtypje në këto ndeshje kualifikuese?

Unë nuk do flas me emra të përveçëm, por diferencën në këtë edicion e kanë bërë Asani me gola fantastikë, dhe mbrojtësi i majtë Mitaj që është një djalë i ri me talent. Mbase këto janë dy gjërat e veçanta, por të gjithë janë shumë të mirë.

Asnjë lojtar nga Superiorja në Kombëtare, pse ndodh kështu me Silvinjon?

Nuk mendoj se Silvinjo s’e njeh Superioren, apo nënvleftëson lojtarë që dallojnë në këtë kampionat. Por duke qenë se ai e ka thuajse të konsoliduar grupin, ndoshta mendon të jetë besnik në emrat e tyre.

Si e mendoni Shqipërinë në këtë Europian, të ngjashëm me atë të vitit 2016?

Në Evropian do të jemi pasi të bëjmë dy rezultate pozitive, ne duhet t’i luajmë këto dy ndeshje me shumë seriozitet. Nuk janë të krahasueshme, por janë të dyja të bukura, sepse ka qenë shumë emocionuese edhe kualifikimi në Euro 2016, i pari në historinë e Shqipërisë. Në këto kualifikuese jemi më shumë bindës.

Tashmë ju në FSHF i keni nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në finalet e Europianit në Gjermani 2024?

Stafi i FSHF-së ka nisur të mendojë për Gjermaninë. Kemi shumë yje, por jo të gjithë mund të jenë besnikë si Gjimshiti. Kemi më shumë se 23 futbollistë, që meritojnë të jenë në Evropian, por trajneri dhe stafi do të zgjedhin 23. Nuk është e lehtë.

Në rast kualifikimi në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, do ta shpërbleni financiarisht skuadrën?

Natyrisht që do shpërblehet, sepse në start të çdo eventi përcaktohen objektivat dhe shpërblimet, premio. Brenda këtij shpërblimi do të jetë edhe ky Evropian, ku edhe qeveria do të kontribuojë në shumën 4.5 milion euro e ndoshta do të ketë sërish një premio nga qeveria për stafin.

“EURO 2024” / SHQIPËRIA

GRUPI E

NDESHJET E LUAJTURA

Poloni-Shqipëri           1-0

Shqipëri-Moldavi                 2-0

Ishujt Faroe-Shqipëri  1-3

Rep. Çeke-Shqipëri     1-1

Shqipëri-Poloni           2-0

Shqipëri-Rep. Çeke     3-0

BILANCI I SHQIPËRISË

Nd 6, F 4, B 1, H 1, Golat 11:3

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Shqipëria                   6       13

2.Rep. Çeke                  6       11

3.Polonia            7       10

4.Moldavia                   6       9

5.Ishujt Faroe     7       1

DO TË LUHEN

E premte, datë 17.11.2023

Moldavi-Shqipëri                 18:00

E hënë, datë 20.11.2023

Shqipëri-Ishujt Faroe  20:45

 

IN MEMORIAM/ SHQIPËRIA NË EURO 2016

Nuk besoj se janë të krahasueshme, janë të dyja të bukura

“… Ka qenë shumë emocionues edhe kualifikimi ynë në Europianin 2016, pasi ka qenë për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Paraqitja e ekipit ka qenë me të vërtetë shumë bindëse, gola shumë të bukur, spektakël, spektakël në shkallët e stadiumit, por ky tani duket edhe më i bukur se në 2016. Pra, çdo gjë është pak më e bukur, por nuk e zbeh kënaqësinë dhe emocionin që na ka dhuruar kualifikimi në finalet e Euro 2016 …”

 

 

NDESHJET-GRUPI A

Shqipëri-Zvicër           0-1

Francë-Shqipëri           2-0

Rumani-Shqipëri                   0-1

Shënues: A. Sadiku 46’

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Franca              3       7

2.Zvicra               3       5

3.Shqipëria                   3       3

4.Rumania          3       1

 

KATEGORIA E PARË

Bylis nis “arratinë”, Vora ndjek si “Hirushe”

Java e 9-të e Kategorisë së Parë konfirmoi dy skuadrat më në formë. Së pari Bylisin kryesues të padiskutueshëm, e së dyti Vorën, debutuesen që është kthyer në “Hirushe” e këtij kampionati. Në gjashtë ndeshje u shënuan 13 gola, një mesatare 2.1 gola për ndeshje, por ndoshta ky tregues del në plan të dytë, pasi më parë veçohet lëvizja, që pësuan pjesa më e madhe e skuadrave në tabelën e renditjes. Duke përjashtuar Bylisin kryesues dhe treshen e vendeve të fundit Besa, Burreli dhe Luzi 2008, u ngjitën AF Elbasani, Vora dhe Lushnja, zbritën nga vendet e javës së 8-të, Apolonia, Flamurtari, Tomori dhe Kastrioti. Java e 10-të do të luhet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën, 4-5 nëntor 2023.

NDESHJET, JAVA 10 

Të shtunën, 4 nëntor 2023

Vora-Lushnja               14:00

Korabi-Flamurtari                 14:00

Kastrioti-Apolonia                14:00

Bylis-Besa                    14:00

Tomori-Burreli            14:00

Të dielën, 5 nëntor 2023

Luzi2008-AF Elbasani         14:00

 

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Bylis                 9       25

2.AF Elbasani       9       19

3.Vora                9       18

4.Apolonia          9       17

5.Flamurtari        9       15

6.Korabi              9       11

7.Lushnja            9       10

8.Tomori             9       10

9.Kastrioti           9       9

10.Besa               9       8

11.Burreli           9       7

12.Luzi 2008      9       2