Inaugurohet stadiumi “Elbasan Arena”, çdo gjë gati për Kombëtaren

456
Sigal

Ndeshja e parë hapëse ishte ajo mes Shqipërisë dhe Elbasani U-19

Dje u inaugurua stadiumi “Elbasan Arena” një inaugurim që u bë nëpërmjet ndeshjes miqësore të Përfaqësueses tonë me Elbasani U-19. Ky takim më shumë u luajt për të testuar stadiumin sesa skuadrën e në fakt çdo gjë shkoi ashtu siç duhet dhe stadiumi nuk zhgënjeu, që nga dritat, tabelat, bari, ndenjëset dhe bukuria. Madje, duhet thënë se nuk munguan as tifozët që ishin të shumtë në radhët e stadiumit dhe se në këtë ndeshje ishte lënë hyrja e lirë për çdo tifoz që donte ta shikonte Kombëtaren drejtpërdrejtë. Fitorja me goleadë e Kombëtares ishte e pritshme, pasi kjo ndeshje shërbeu më shumë si seancë stërvitore sesa një ndeshje korrekte për testimin para-Danimarkë. Problemi i vetëm që u pa gjatë ndeshjes ishte zëvendësimi i Ramës për probleme me fund shpinën në minutat e para të takimit, pasi kishte shënuar edhe dy gola. Gjithsesi, ngelen edhe dy ditë nga ndeshja dhe duket se çdo gjë është gati, që nga organizimi e deri tek Kombëtarja jonë, që ashtu siç u shpreh De Biasi do luajnë vetëm për fitore.

 Formacioni i mundshëm

Stërvitja që u zhvillua dje dha të dhënat e para për formacionin e pritshëm ndaj Danimarkës e në fakt nuk pritet të ketë shumë ndryshime nga formacioni me Portugalinë, kjo edhe për shkak të dëmtimeve që kanë prekur skuadrën tonë. Në portë padyshim do të jetë Berisha që ka dhënë prova se tani për tani nuk e rivalizon askush për atë pozicion. Gjithashtu edhe mbrojtja nuk pritet të pësojë ndryshime duke lënë përsëri Agollin në të majtë, Hysajn në të djathtë dhe Cana-Mavraj në qendër. Përsa i përket mesfushës do të ketë ndryshime kjo edhe për shkak të rikuperimit dhe përfshirjes së dyshes Meha-Rama në grupim. Lojtarët tjerë që mund të përfshihen në mesfushë janë edhe Abrashi, Kukeli, Xhaka, ndërsa për krahët e sulmit mund të luajë Lila, që pritet të zëvendësojë Roshin e dëmtuar, bashkë me Valdet Ramën. Në sulm, tani për tani duket i padiskutueshëm Bekim Bala por deri në ditën e ndeshjes çdo gjë mund të ndryshojë pasi De Biasi është shprehur se do ta luajë ndeshjen për fitore dhe formacioni deri diku do ju përshtatet karakteristikave të kundërshtarit.

Shqipëria fiton 2-1 ndaj Danimarkës…..sipas tabelës elektronike

 Provat teknike duhet të bëhen gjithmonë në mënyrën e duhur dhe kështu është vepruar edhe në “Elbasan Arena”, ku është kontrolluar dje tabela elektronike e rezultatit duke vendosur fitoren 2-1 në favor të vendasve, për më tepër golat do “shënohen” nga Salihi dhe Bulku në minutat ‘10 dhe ‘20.

Situata për biletat me Danimarkën ngre pikëpyetje tek tifozët

Dje,ashtu siç ishte premtuar nga FSHF, dolën në pikat e shitjes biletat për ndeshjen me Danimarkën. Në fakt u vu re që kishte kërkesa të larta nga tifozët, por bashkë me kërkesat pati edhe pakënaqësi që fillonin nga fakti se nuk kishte orare të caktuara për pritjen dhe ishin të detyruar të prisnin në radhë për një kohë të gjatë dhe se kishte vetëm bileta që binin prapa porte pasi të tjerat nuk ishin në shitje. Kjo situatë ka irrituar së tepërmi tifozët që shprehen se biletat në tribuna janë shitur ditë më parë tek të afërmit e FSHF dhe se ata nuk kishin mundësi ti blinin pasi nuk ka më të tilla.

 

Ivanovic: në Serbi të vijnë tifozët shqiptarë

Kapiteni i Serbisë dhe futbollisti i Chelsea, Branislav Ivanovic është shprehur pro pranisë së tifozëve shqiptar në Serbi. Ai tha se, nëse flasim në aspektin sportiv është mirë që edhe kundërshtari ynë në fushë, të mbështetet nga tifozët e vet, por i pyetur për rrezikun potencial nga ana e sigurisë që paraqet kjo ndeshje, ai është përgjigjur duke thënë se në qoftë se ekziston një mundësi e tillë, nuk duhet të jenë as tifozët miq dhe as tifozët tanë në stadium për të shmangur çdo të papritur. Por meqë një vendim në lidhje me këtë çështje është marrë, ai u ndal vetëm tek atmosfera që duan të krijojnë dhe se një mënyrë për atmosferë të bukur është vetëm fitorja.

Odise Roshi përfundimisht jashtë dy ndeshjeve me Kombëtaren

U duk në fakt se me punën që po bënte Roshi, do ishte në kohë për riaftësimin para ndeshjes me Serbinë, por pas kontrolleve të bëra dje nga mjekët, kjo gjë rezultoi thjeshtë e pamundur pasi dëmtimi ishte më i keq se sa mendohej. Nuk dihet akoma sa kohë do ta mbajë larg fushave ky dëmtim Roshin, por ajo që dihet me siguri është se  Kombëtarja jonë do të duhet të bëjë pa Roshin, që kujtojmë ishte një nga më të mirët, për të mos thënë më i miri, në ndeshjen me Portugalinë.

 Mesut Ozil jashtë fushave për 3 muaj

Dhimbja e kokës duket se nuk ka fund për Arsen Venger, që e sheh veten përsëri në vështirësi. Mesut Ozil, pas një vizite mjekësore që ka bërë gjatë kohës që është i grumbulluar tek Kombëtarja gjermane, ka rezultuar se ka probleme në ligamentin e gjurit të majtë. Mungesa e tij i shtohet edhe mungesave të tjera të shumta të Arsenalit si Arteta, Ramsei, Giroud, Uolkot. Ozil ishte grumbulluar me Kombëtaren për ndeshjet kualifikuese që kanë ndaj Polonisë dhe Irlandës së Veriut.

 Premier League mund të zhvillohet jashtë Anglisë

Duket e çuditshme, por Federata Angleze e Futbollit po mendon që të zhvillojë ndeshjet e kampionatit jashtë Anglisë Në fakt kjo ide nuk është e re, pasi ka që në 2008 që ekziston, por për mos rënien dakord të klubeve u hodh poshtë. Tani, në 2014 duket se klubet kanë rënë dakord që të paktën një fazë të një sezoni ta luajnë jashtë, në SHBA dhe kjo bëhet vetëm për të rritur fitimet e klubeve. Sigurisht që, kjo ide do kohë që të vihet në zbatim dhe mendohet që pas pesë ose gjashtë vitesh çdo gjë të jetë gati.