Humbi dy ndeshje radhazi, Bushi: Pse të mos mendojmë pozitivisht?

505
Kombëtarja Shpresa mori dy rezultate zhgënjyese në 2 ndeshjet e fundit kundër Sllovakisë në Grupin 2, duke dalë jashtë objektivave. Në takimin e parë të luajtur në “Selman Stërmasi” ku U-21 humbën 2-3, trajneri Alban Bushi drejtoi gishtin nga gjendja e keqe e fushës, por ky justifikim ra poshtë ku Kombëtarja humbi 4-1.
Si rrjedhojë janë të shumtë personat që e shohin Bushin si jo të duhurin për të drejtuar Shpresat, megjithatë vetë trajneri nuk ndihet i shqetësuar, ndaj ka dalë sot në konferencë për shtyp, ku ka bërë një analizë të asaj që ndodhi në dy eliminaoret e këtij muaji
Si ndiheni pas dy humbjeve me Sllovakinë?
Pas një humbjeje të thellë 4-1, nuk ndihem mirë, sepse ishte e rëndë. Si staf bëjmë analizën dhe shohim ku kemi gabuar. Disfata e parë në “Selman Stërmasi” ndikoi në ndeshjen e dytë. Kishim lojtarë me pak minuta në këmbë dhe shumë mungesa. E dinim që do ta kishim të vështirë. Kemi bërë gabime amatoreske në mbrojtje, por nuk mund të themi se kemi qenë të shthurur. Është e vështirë të përballesh me një skuadër si Sllovakia, që ka lojtarë shumë të mirë. Kemi patur vetëm një “stoper” për një vit. Sa i përket lojës, mendoj se kemi marrë atë që kërkojmë, duke mbajtur në kontroll dhe qarkulluar topin. Shqipëria po e qarkullon topin më shumë se kundërshtarët.
Pra, ju thoni se skuadra iu është përgjigjur mirë…
E vetmja ndeshje, ku ekipi nuk u përgjigj si duhet, ishte kjo e fundit dhe ndodhi për shkak të mungesave. Bare, Abazaj dhe Ramadani e kishin ngritur nivelin e lojës, por edhe shumë të tjerë. Na munguan 11 lojtarë, praktikisht e gjithë skuadra. Është kënaqësi, kur sheh që 3 lojtarë u grumbulluan në Kombëtaren A. Kjo është arsyeja pse jam shprehur se e ardhmja është e sigurtë, dikush edhe mund të ketë qeshur. Mendoj se Manaj dhe Ndoj do të shkojnë te Kombëtarja A.
Skuadra ka qenë në avantazh dy herë në ndeshjen e parë me Sllovakinë, por kemi humbur…
Na ka munguar qarkullimi i topit dhe moseksperienca në minutat e fundit. Duhet të riparohet ky problem, duhet të luajmë pa emocione. Janë djem të rinj, shumë prej tyre luajnë në kategorinë e tretë në Itali dhe janë rezervë.
Manaj ka qenë edhe më parë në Kombëtare, nuk u zbulua sot…
Ekipi kombëtar e ka të vështirë të marrë një lojtar me pak minuta në këmbë. Ne e morëm dhe u treguam të guximshëm dhe tani tregoi se është gati për Kombëtaren A. Është lojtar shembullor, ka sakrifikuar dhe luftuar për skuadrën.
Si do të zgjidhet problemi i aktivizimit të paktë të lojtarëve?
Është shumë e vështirë për trajnerin të ketë lojtarë pa minuta në këmbë. Për këtë i jap të drejtë edhe Panuccit. Po punojmë shumë me të gjitha skuadrat e moshave për të nxjerrë lojtarë, aty ku kemi nevojë, siç janë stoperat. Është edhe çështje brezash, mendoj. Kemi elementë tek U-17 dhe U-19, e ardhmja është e mirë.
Cilat janë objektivat në 3 ndeshjet e radhës, dy me Spanjën dhe një me Estoninë?
Përballë Spanjës është shumë e vështirë. Janë tri ndeshje. Jetoj me mendimin që të mund Spanjën këtu dhe t’i marr një pikë atje. Dua edhe 3 pikë me Estoninë. Pse të mos mendojmë pozitivisht. Objektivin për të çuar lojtarë te skuadra e parë e kemi realizuar.
A ka ardhur koha që trajneri i U-21 të ketë një plan më të detajuar, bashkë me trajnerin e Kombëtares A?
Edhe unë do të veproja si Panucci, sepse objektivi është Kombëtarja A. Rasti i Abazajt? Është pozitive që ishte te Kombëtarja dhe nuk duhet ta mbajë mendjen që nuk luajti. Është 21vjeç dhe mund të luajë për 15 vite me Kombëtaren. Ne mund të mundeshim edhe sikur t’i kishim të gjithë këta lojtarë, por përshtatja e futbollistëve të tjerë ishte e vështirë. Kemi një grup të mirë të datëlindjes 1998. Sezonin e ardhshëm, ekipi Shpresa do të jetë pretendent në çdo grup ku do të shortohet.
Kosova barazoi me Gjermaninë dhe kishte në stol të gjithë lojtarë të Superligës së Kosovës…
Secila federatë ka strategjinë e vet. Të marrësh barazim me Gjermaninë është shumë pozitive. Kosova ka shumë futbollistë, brenda dhe jashtë, ndoshta më shumë se ne. Do t’i bënte mirë futbollit tonë në përgjithësi, nëse te Shpresat aktivizohen lojtarët e kampionatit shqiptar. Gjithsesi, mua më intereson të marr më të mirët.
Ndoshta ka ardhur momenti të heqim dorë nga lojtarët kosovarë?
Lojtarët, që janë shqipfolës, do t’i ftojmë të gjithë. Disa lojtarë, që janë aktualisht te Kosova, kanë shprehur dëshirën të luajnë me Shqipërinë, i kemi marrë në disa ndeshje, i kemi pëlqyer, por në fund na kanë thënë që do të luajnë me Kosovën. S’ka asnjë lloj problemi se ku luajnë.
Sigal