Higuain rikthehet në Torino, e presin 14 ditë në karantinë

270
Sigal

Gonzalo Higuain është rikthyer në Itali. “El Pipita” ka mbërritur në Torino këtë pasdite, pasi ishte nisur mbrëmjen e djeshme nga Argjentina, mes komplikimeve e ndërrimit të fluturimeve, për shkak të situatës së pandemisë. Sulmuesi tashmë mund të vihet në dispozicion të teknikut Sarri, pasi ti nënshtrohet testit sierologjik e tamponit dhe më pas të kalojë periudhën e karantinës.

Gonzalo ka qenë për një kohë të gjatë në Argjentinë, në familje, në krah të së ëmës së sëmurë. Të hënën, bardhezinjtë do të rinisin stërvitjen kolektive, ndërsa Pipita për 14 ditë nuk mund të bashkohet me grupin.

Për më tepër, mund ta shqetësojnë edhe zërat e merkatos, me një kontratë në skadencë në 2021 e një raport që me shumë mundësi këtë muajin e fundit është dobësuar, aq sa Higuain duket i sigurt se do të largohet në fund të këtij sezoni. Me rinisjen e kampionatit, Sarri do të ketë nevojë për shërbimet e argjentinasit, i cili duhet të punojë shumë për të gjetur formën e tij më të mirë.