Gjoba 50 mijë dollarëshe e Peshëngritjes dhe paratë e Ministrisë së Sporteve

534
Sigal

Shtanga shqiptare nuk u lejua të marrë pjesë në Kupën e Mesdheut, në Itali. Rrezikohet Europiani në Tiranë

Katër rastet me doping në sportin e peshëngritjes: ato të Shqiponja Brahjas (në Botërorin e Parisit, nëntor 2011), Ilirjan Sulit (jashtë gare), Erkand Qerimajt (në Europianin e Antalias, prill 2012) dhe Hysen Pulakut (në Londër, para fillimit të Lojërat Olimpike) detyruan Federatën Botërore të Peshëngritjes t’i vendosin (më 15 shtator 2012) një gjobë prej 50 mijë dollarë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe nga një gjobë prej 5000 eurosh për secilin nga shtangistët në fjalë, kjo e shoqëruar edhe me pezullime dy deri katër vjeçare. Shuma prej 50 mijë dollarë është një shifër e jashtëzakonshme për një federatë shqiptare, pasi përbën gati gjysmën e fondit grant që ajo merr nga Ministria e Sporteve. Federata Shqiptare e Peshëngritjes u mbështet financiarisht (fond-grant) prej 17 milionë lekësh në vit, pavarësisht se kjo gjobë nuk mund të paguhet kurrsesi nga fondi i akorduar prej MTKRS-së, pasi në këtë drejtim gjërat janë të qarta. Ajo që e bën edhe më shumë shqetësues faktin, se nëse gjoba nuk do të paguhet në afat (deri më 16 mars), atëherë Shqipëria do të jetë e munguara e madhe e Kampionatit Europian për Të Rritur, që do të zhvillohet në Tiranë (5-14 prill 2013), një nga tre projektet më të mëdha të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për këtë vit. Më 22 dhjetor 2012,

ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, si dhe ai i shtangës shqiptare, Elez Gjokaj, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit. Sipas, presidentit Urso, në Shqipëri priten të vijnë mbi 400 sportistë nga 39 vende europiane. Kampionati do të transmetohet nga televizioni prestigjioz “Eurosport”.

 REAGIMI I MTKRS-së –  “Ministria e Sporteve nuk mund të paguajë për gjobat që i vendos Agjencia Botërore e Antidopingut, WADA, një federate shqiptare, për shkak se sportistët e saj rezultojnë me doping. Kjo është mjaft e qartë dhe drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes e dinë atë. Ata duhet ta paguajnë gjobën. Madje presidenca e re ka premtuar se do të bëjë ç’është e mundur që ta paguajë atë. Ne (si MTKRS dhe Drejtori e Sporteve) merremi me politikat sportive dhe jo me gjobat e federatave, – the Arjan Konomi, specialisti i Sportit Cilësor në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Vitin e kaluar, Ministria e Sporteve mbështeti aktivitet e “Albania Open 2012”, “Moto Rally 2012”, “Albania of Road 2012”, ndërkohë që ka garantuar edhe mbështetjen për zhvillimin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Tiranë (5-14 prill 2013). “Kampionati Europian është një aktivitet madhor dhe do ta mbështesim atë me infrastrukturë, logjistikë dhe gjithçka tjetër. Po, kështu do të mbështetim Lojërat Mesdhetare në Turqi, si dhe

organizimin në Shqipëri të Kupës së Botës në sportin e mundjes, në muajin tetor”, – shtoi Konomi. Në lidhje me grantin që akordon Ministria, Konomi tha se, federatat deri në fund të këtij muaji duhet të sjellin projektet e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. “Më pas, – shtoi ai, – ato do të shqyrtohen dhe do të akordohen fondet. Prioritet do të kenë sportet që do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare”. Në fakt, kurba “financiare” është në rënie, të paktën këtë e kanë provuar katër vitet e fundit, ku buxheti i akorduar ndaj federatave është pakësuar vazhdimisht.

 REAGIMI I FEDERATËS – “Neve si Federatë na është bërë e qartë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, përmes faksit të dërguar nga presidenti i saj, Tamash Ajan, pas vendimit të saj të marrë në mbledhjen e Sllovakisë, se nëse nuk i paguajmë shumën prej 50 mijë dollarësh brenda 16 marsit të këtij viti, pra brenda një afati gjashtëmujor, pasi vendimi ka hyrë në fuqi më 16 shtator të vitit kaluar, atëherë ne nuk do të lejohemi më të marrim pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Pra, edhe pse ne dëshironim te merrnim pjesë në Kupën e Mesdheut me tre sportistë, neve na është ndaluar pjesëmarrje. Ne nuk arritëm të bënim pagesën në kohë. dhe kjo na u bë qartë. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se, nëse nuk e paguajmë brenda këtij gjashtëmujori ajo do të na falet, por ajo do të na mbartet dhe dënimi do të shkojë deri në një vit, pra ne rrezikojmë kështu edhe pjesëmarrjen në Kampionatin Europian që, do të zhvillohet në Tiranë, nga data 5 deri më 14 prill. Nëse ne nuk do të paguajmë do të thotë që nuk do të marrim pjesë, jo vetëm në këtë kampionat, por dhe në ata pasardhës kudo që të zhvillohen kampionatet. Duhet të gjejmë mënyrat, dhe nga pikëpamja teknike për të gjetur paratë dhe t’i paguajmë ato. Është një çështje jo e thjeshtë, megjithëse besojmë se me donatorët e Federatës do të mund ta zgjidhim atë ”, – tha për gazetën “Telegraf’, sekretari i përgjithshëm i FSHP-së, Ilir Kraja. Në fakt, do të ishte një turp, që vendi organizator – dhe kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria do të jetë organizatore e një evenimenti kaq të rëndësishëm europian – të mos ketë shtangistët e saj në pedanë. Pra, të mungojë flamuri kuqezi, si në ceremoninë e hapjes, ashtu dhe podiumin e fituesve nëse do të kishim një të tillë.

 KUPA E MESDHEUT – Shqipëria, edhe pse është anëtare e Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes, dhe një prej 20 vendeve që do të marrin pjesë në edicionin e shtatë të Kupës së Mesdheut, që do të zhvillohet në Brindizi të Italisë (26 janar 2013), nuk do të jetë e pranishme me shtangistët e saj, ashtu si Algjeria, Bosnja, Kroacia, Egjipti, Franca, Italia, Libia, Malta, Maroku, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Tunizia, Turqia, Izraeli, Palestina dhe Libani. Sipas sekretarit të Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja, Shqipëria pritej të paraqitej me Fetije Kasajn (58 kg), Bruno Nuhon (56 kg) dhe Sopot Sulën (85 kg), pra peshëngritës të nivelit të dytë. Por, tashmë ata, në mungesë të pagesës së gjobës prej 50 mijë dollarësh të vendosur nga Bordi Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, nuk do të mund të garojnë në Kupën e Mesdheut. Gjithsesi, në Brindizi do të jetë dhe një delegacion i lartë i shoqërohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, presidenti i nderit Esat Ademi, si dhe zëvëndëspresidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kulla. Të tre këta zyrtarë do të jenë dhe në asamblenë zgjedhore të Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes (26 janar 2013). Elez Gjozaj pritet të bëhet pjesë e bordit mesdhetar të shtangës. Kupa e Mesdheut u krijua në vitin 2005, dhe edicioni i parë u zhvillua në Bari. Në vitin 2006 u zhvillua në Palermo (Itali), në vitin 2007 në Limasol (Qipro), në vitin 2008 në Antalia (Turqi), në vitin 2009 në Peskara (Itali), në vitin 2010 në La Valeta (Maltë) dhe në vitin 2011 në Tel Aviv (Izrael).

 SPORTISTËT ME DOPING

  SHQIPONJA BRAHJA – Peshëngritësja 38-vjeçarja Shqiponja Brahja, e cila zuri vendin e shtatë në kampionatin botëror të Parisit,  rezultoi pozitive me substancën epitestosteron, në shkallën 65, afro 15 herë më lart se normalja 4. Brahja u përjashtua katër vjet nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, deri më 5 nëntor 2015.

 ILIRJAN SULI – Rezultoi pozitiv me doping, për shkak të përdorimit të substancës së ndaluar “methandion”, por ai u kap jashtë kompeticionit. Kontrolli u bë në Tiranë, më 4 prill nga dy oficerë të ËADA-s. Pezullimi i Sulit, i cili ka rezultatin më të mirë të Shqipërisë në Olimpiada, vendi i pestë në “Sidney 2000”, është po katër vjet, skadon në prill të vitit 2016.

 ERKAND QERIMAJ – Goditjen më të madhe shtanga shqiptare e mori me Erkand Qerimajn. Shkodrani fitoi titullin e Kampionit të Europës në peshën 77 kg, por mw pas rezultoi me doping, përdorimi i substancës së familjes “Metyl hexanamine”, teksa humbi dhe medaljet. Fillimisht pezullimi i Qerimajt ishte dy vjet, por pas ankimimit Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë, koha iu ul në 15 muaj.

 HYSEN PULAKU – Peshëngritësi Hysen Pulaku u bë i pari sportist shqiptar me doping në Olimpiadën. Ai u gjet me substancën “stanozolol”, një substancë e vjetër dhe lehtësisht e dallueshme, duke u përjashtuar nga Lojëra Olimpike “Londër 2012”. Ai është pezulluar deri, më 27 korrik 2016.

Dhjetë klubet më të pasura në botë

 Real “500-milionësh”

  Me një total prej 513 milionë euro të ardhurash, Reali i Madridit barazoi rekordin e Mançester Junaitid, duke qenë për të tetin vit rresh klubi më i pasur i botës, dhe i pari që kalon kufirin e 500 milionë euro në një sezon të vetëm. Barcelona renditet e dyta, 483 milionë euro, ndërsa në “podium” është dhe Mançester Junaitid me 395.9 milionë euro. Në “Top 20” janë shtatë klube angleze: Mançester Junaitid, Çelsi, Arsenali, Mançester Siti, Liverpuli, Totenhemi dhe Njukasëlli. Italia përfaqësohet me pesë klube: Milani, Juventusi, Interi, Napoli dhe Roma; Gjermania me katër: Bajern Munih, Dortmund, Shalke, Hamburg; Spanja, me dy klube: Real i Madridit dhe Barcelona, si dhe Franca po me dy: Marseja dhe Lioni. Mançester Siti është rritur me pesë vende, dhe tani ndodhet i shtati, pasi të ardhurat e tij u rritën me 51% në raport me sezonin e mëparshëm. Në total, të ardhurat e 20 klubeve më të pasura në botë u rritën me 10% dhe tani kapin shumën e 4.8 miliardë eurove. “Reali ka gjetur rrugën për të arritur në një nivel fenomenal të rritjes së të ardhurave duke qenë midis klubeve më të pasura në botë në dy dekadat e fundit”, – thuhej në raportin e kompanisë së njohur audituese “Deloitte”. “Rritja e të ardhurave të klubit spanjoll janë të dallueshme. Në sezonin 1996-1997, kur për herë të parë u publikuan edhe të dhënat tona në lidhje me “Money League’ (paratë e ligave), Reali gjeneronte rreth 85 mililonë të ardhura, një të gjashtë e të ardhurave që gjeneron në sezonin 2011-2012”. “Deloitte” gjithashtu nënvizoi faktin se, klubi po “shijon” një të ardhura të balancuara nga burimet, me 25% që vijnë nga ndeshjet, 39% nga transmetimi dhe 36% nga shitjet komerciale. “Kjo tregon sesa shumë e duan njerëzit sportin e tyre, edhe pse bota ndodhet në recension”, tha Den Xhons, një partner i “Deloitte”. Borusia e Dortmundit renditet në vendin e 11-të, falë suksesit të jashtëzakonshëm në fushë, ndërkohë që Interi doli jashtë “Top 10” për herë të parë në dhjetë vitet e fundit. Totenhemi ra dy vende, dhe tani është në pozicionohet i 13-ti, ndërsa Shalke ra katër vende dhe është në vendin e 14-të. Jashtë pesë kampionateve të mëdha europiane, apo “Big Five”, është Ajaksi ekipi më i pasur, me holandezët që kanë arkëtuar 100,4 milionë të ardhura dhe që ndodhen në vendin e 24-t. Gjiganti turk, Gallatasaraj renditet në vendin e 30-të, me 95.1 milionë euro të ardhura. Sipas “Deloitte”, të ardhurat e klubeve angleze do të rriten, për shkak të shitjes së të drejtës të transmetimeve televizive, ku për tre sezonet: 2013-2014 dhe deri në 2015-2016, kampionati anglez e shiti në shumën e 3.5 miliardë eurove.

TË ARDHURAT E KLUBEVE 2011-2012

 1. Real Madrid:            512.6 mln euro

2. Barcelona:        483.0 mln euro

3. Mançester Jun.    395.9 mln euro

4. Bajern Munich:    368.4 mln euro

5. Çelsi:            322.6 mln euro

6. Arsenal:          290.3 mln euro

7. Mançester Siti:   285.6 mln euro

8. Milan:            256.9 mln euro

9. Liverpul:         233.2 mln euro

10. Juventus:        195.4 mln euro

Lila dhe Vila “marrin” Fostirasin në Greqi

 Gola me shije kualifikimi të realizuar nga mbrojtësi Andi Lila dhe sulmuesi Emiljano Vila, në triumfin 3-2 në transfertë të PAS Janinës ndaj APO Fostirasit në Kupën e Greqisë. Ndeshjen e parë, PAS Janina e kishte fituar 2-0, duke kaluar kështu në çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 5-2. Bubas kaloi në avantazh Fostirasin në minutën e 4-t, ndërsa Jakos barazoi për Janinën në të 8. Më pas erdhën edhe dy golat e lojtarëve shqiptarë: Andi Lila realizoi në të 34’, ndërsa Emiljano Vila në të 50’, duke i çuar shifrat në 1-3. Vlahos (89’) shkurtoi diferencën në minutën e 89-të. Po dje, Sepehan i sulmuesit Xhevair Sukaj dhe mesfushorit Ervin Bulku fitoi 2-0 me Paykan, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit iranian. Kjo ishte fitorja e tretë rresht për ekipin e dy shqiptarëve, që renditen në vendin e tretë (me një ndeshje më pak). Sezonin e kaluar, Sepehani fitoi titullin kampion, teksa medaljen e shijoi vetëm shkodrani Sukaj, pasi Bulku mbërriti këtë sezon në Iran.