Sinqerisht këtë radhë Duka ka të drejtë të indinjohet….

500
Sigal

Faqe 21

“Rroftë Duka!”, për projektorët dhe fushat; “poshtë Duka” për nivelin mizerabël të futbollt tonë

  Shqipëria po ndryshon, për mirë apo për keq. Natyrisht, duke qenë vendi me zhvillimin më të madh ekonomik në Europë, sikurse deklaron me të madhe Kryeministri Berisha, nuk ka se si futbolli të mbetet pas. Edhe ai, sipas “kryeministrit” të vet, vijon të jetë krah të përparuarve të kontinentit me ndryshimet. Sa të besueshme e seriozë janë këto dy qëndrime? Merret me mend: kur e ke “lugën bosh” do ta bësh demagogji, do mundohesh të “mbahesh me shpinë në ujë”, si i thonë fjalës. Pas dy ndeshjeve eliminatore të kombëtares, personalisht jam super i kënaqur me rezultatet, përse jo edhe me lojën. Fundja “nuk na mundi Zvicra, por mundëm vetveten”, tha dikush në justifikim e sipër, sepse gafat e disa lojtarëve po bëhen aq të shpeshta në Kombëtare sa nuk bëjnë më çudi. Personalisht jam i kënaqur edhe me De Biazin, që për herë të parë i ka dhënë kombëtares më tepër rini e freski, por ende nuk ka një skuadër. Këtë e thotë dhe vetë misteri me shumë dinjitet… Natyrisht, nuk ka pasur kohë për ta konsoliduar kombëtaren, pasi tetë muaj në dispozicion janë pak, po të kesh parasysh se shefave në vendnumëro më lart u duken orë dekadat në kolltuqet që mbajnë, me futbollin tonë që e ka “hapin kilometër”. Dhe për këto “njësi matëse” të pulsit të futbollit tonë meriton të thuhet: Rroftë Duka! Sepse “revani” i futbollit tonë, sikurse e përshkruante edhe në letrën e hapur publike të së premtes, është kontribut i tij dhe i vizionit të tij drejtues!

 Le të bëhemi tashmë seriozë e të mos e trashin me vetëtalljen tonë. Personalisht them se infrastruktura e futbollit ka ndryshuar totalisht për mirë, ka ndryshuar edhe institucioni, zyrat, por nuk lëvizin të njëjtët njerëz, që sikur kanë hedhur rrënjë dhe e kanë kthyer tërë kupolën drejtuese të këtij sporti në vendin tonë tamam si në atë pellgun me ujë të ndenjur. Ka ndryshuar për mirë edhe organizimi i FSHF-së në departamente e rroga punonjësish, edhe për këtë: rroftë Duka! Mund të vazhdoja gjatë me “rroftë Duka”, por do të ngelem tek ideja e këtij shkrimi. Një kosovar thoshte se Duka merr lekë për lojtarët që duan të vishen kuqezinj. Edhe përse ka shumë vite që shkruaj hapur për të metat e institucionit “dukian” të federatës, edhe pse shumë të pakënaqur prej tij më kanë siguruar informacione të papara kompromentuese të institucionit që ai drejton, për një gjë jam i sigurt: Armando Duka nuk ka marrë asnjë lekë për kësi gjërash, ndaj vlerësoj se janë vërtet shpifje ordinere.

  Presidenti Duka nuk ka nevojë për 3000 apo 10 mijë euro para fukarenjsh, aq më shumë kur flitet për të rinjtë, por jam i sigurt se atje nëpër kombëtare ka pasur dhe mund të ketë punonjës e trajnerë pa moral, që kanë abuzuar në emër të tij, që kanë marrë deri në 5 mijë euro për një grumbullim të këtij apo atij lojtari. Prandaj, them se të mirëpaguarit prej tij abuzojnë me vetë Dukën në këtë drejtim! Prandaj, mund të themi: poshtë Duka që mban rreth e rrotull persona të diskretituar, servilë pa “shtyllë kurrizore” që i prishin imazhin atij dhe FSHF-së. Mund ta themi me plot gojën: poshtë Duka, sepse ai i lejon presidentët-gangsterë të futbollit tonë të trukojnë e ta damkosin këtë sport në mes të ditës. “Rroftë Duka!” për prozhektorët, fushat, stadiumin që do të ndërtojmë, por “poshtë Duka” për nivelin mizerabël të futbollit të moshave, andej nga nis e ardhmja, ku prindër e trajnerë e degjenerojnë atë pa kufij.

       Rroftë Duka për europianizimin e gjithë funksionimit të federatës, por poshtë Duka që bashkëfajësohet me presidentë pa identitet, pa asnjë burim të ardhurash, madje edhe me precedentë penalë, të cilët po e kriminalizojnë në thelbin e vet tërë futbollin. Rroftë Duka thonë të gjithë, duke u rënë borive për mbështetjen ndaj futbollistëve kosovarë e të tjerë, për hapësirën që u ka dhënë në kombëtare, por poshtë Duka që la Xhakën e të tjerë të na i marrin të huajt, dhe tashmë e përgojojnë pa baza, mendoj unë, se u marrka edhe lekë futbollistëve të rinj. Madje kjo lloj akuze më ka indinjuar. Në fakt, shpesh kam folur për trukime, por ato kanë qenë hapur dhe të vërteta, i kanë parë të gjithë, edhe pse s’ka reaguar njeri. Asnjëherë nuk kam besuar apo thënë se Duka merr para nga moshat apo nga futbollistët. Pra, ata që thonë tashmë “poshtë Duka”, me akuza jo reale, janë më së paku mosmirënjohës për kontributin e tij.

      Rroftë Duka për marrëdhëniet institucionale, edhe korrektësisht personale me median, edhe me gazetarë “kundërshtarë”, që si ka qejf, si puna ime, por poshtë Duka që mban afër gazetarë matrapazë, që me emrin dhe pushtetin e tij abuzojnë për t’u bërë menaxherë, për të shitur e blerë lojtarë të kombëtares, për t’i thënë trajnerit fut në formacion këtë apo atë lojtar, apo mos e dhëntë zoti edhe prapësira të tjera…

 Pra, themi rroftë Duka për gjithë investimin e tij shumëplanësh, për hapësirën që u jep kosovarëve, trajnerëve të huaj dhe servilëve të paftë, por s’mund të rrimë pa thënë poshtë Duka që duhet të krijojë ligën profesioniste dhe të shpërndajë përgjegjësitë, duke i dhënë kampionatit shqiptar pavarësi. Poshtë Duka që ka prodhuar një Komitet Ekzekutiv eunukësh, servilë e të paaftë, që janë bërë si shushunja për futbollin tonë. Mjafton t’i shohësh si nuk i shqiten kombëtares në asnjë ndeshje jashtë, duke u trashuar e majmur nga udhëtime luksoze e dieta. Edhe atje janë veçse manekinë, sepse kurrë nuk guxojnë të kundërshtojnë, të korrigjojnë apo replikojnë për probleme që duhen bërë ndryshe. Duke mbajtur servilë e të paaftë pas, ndodhi edhe skandali me fanellën rezervë të kombëtares, që pavarësisht justifikimeve me ngjyrat të vetë Dukës, s’ka “detergjent” që e pastron këtë gafë. Ngjyrat e kombëtares janë kuq e zi dhe këtu nuk ka asnjë justifikim me të bardhën e blunë, me Spanjën a Gjermaninë, me “Adidas”-in apo “Nike”. Nuk po them se ky skandal ka lidhje me Dukën drejtpërdrejt, por nëse ai vazhdon të justifikohet me arsye të paarsyeshme, kjo s’e nderon as vetë atë, sepse thjesht mbulon me “gjethe fiku” të paaftët rreth tij. Dhe vetë del zbuluar, si “mbreti lakuriq” në përrallat e Andersenit.

Tare-Cana kryesojnë Serinë A

 Lacio e Lorik Canës e ka nisur në mënyrën të mirë sezonin e ri të Serisë A, duke koleksionuar fitoren e tretë në po aq ndeshje. Dje bardhekakltërit e drejtorit sportiv, Igli Tare, fituan 3-1 në transfertën me Kievon, me këtë të fundit aktivizohet kosovari me pasaportë finlandeze, Përparim Hetemaj. Cana luajti zi zëvendësues nga minuta e 66-të, kur rezultati ishte 2-0 pr lacialët. Golat për Lacion u shënuan nga Hernanes (5’), Kloze (37’) dhe sërish Hernanes (74’). Për Kievon realizoi me penallti Serxho Pelisier (83’). Pas tri ndeshjeve të para, Lacio ka nëntë pikë të plota, po aq sa Juventusi dhe Napoli.

 Fiton Paderborni i Mehës

 Padeborni i Alban Mehës fitoi 1-0 në transfertën me rivalin direkt, Erzgebirg Aue, në javën e 5-të të Bundesligës 2 gjermane, edhe pse luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 47-të. Golin e vetëm të takimit e shënoi Hofman (51’). Meha nuk ishte në 18-she, ndërkohë që tirnasi Ronald Gërçaliu qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë për Erzegebirge Aue.

 Fiton DC Junaitid i Salihit

 DC Junajtid i Hamdi Salihit fitoi 2-1 më Nju Ingland, në kampionatin amerikan të futbollit. Golat bajnë firmat e amerikanit Kris Pontius (32’) dhe anglezi Ljuis Nil (63’). Nju Ingland shënoi i pari më anë të Kejlin Rou (29’). Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti si zëvendësues nga minuta e 67-të në vend të braziliani Maikon Santos.