Gjergj Ruli: Izmir Smajlaj, talent i madh i Atletikës shqiptare

751
Sigal

Nga Agron KAJA

ATLETIKË/ Në Kampionatin Evropian të vendeve të vogla, që u zhvillua në Shan të Lihteshtejnit, sportistët shqiptarë fitojnë dy medalje, flet Presidenti i FSHA

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, dhe të shtunën Izmir Smajlaj është shpallur Kampion i vendeve të vogla në Kampionatin Evropian, që u zhvillua në Shan të Lihteshtejnit. Në një veprimtari me pjesëmarrjen e atletëve nga shtetet si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Qipro, Gjeorgjia, Gjibraltari, Islanda, Lihteshtejni, Luksemburgu, Moldavia, Maqedonia, Malta, Monako dhe San Marino, dy atletët shqiptarë: Smajlaj dhe Murataj, treguan se janë krenaria e atletikës shqiptare. Nga Shan i Lihteshteinit, Presidenti i FSHA-së Gjergj Ruli, për gazetën “Telegraf” deklaroi se, ishte një rezultat i pritshëm, por që mundësitë ishin për rezultate edhe më të lartë. “Tashmë Izmiri po e tregon se është një talent i madh i atletikës shqiptare në të gjitha kohërat, sepse nga eventi në event po tregon qëndrueshmëri me rezultatet e tij. Në këtë Kampionat Evropian, ku morën pjesë rreth 20 shtete. Dhe Izmir Smajlaj e ka fiksuar vendin e parë në garën e kërcimit së gjati qysh në kërcimin e parë ku ka kërcyer 7.90 metra. Do përmirësohet ky rezultat, e pritshmëritë tona janë që në Lojërat Olimpike Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, në këtë fundmuaji, qershor 2018”, kështu deklaroi nga Lihteshteini Presidenti i FSHA-së, ndërkohë që Izmiri në tre kërcimet e tjera fiksoi 7.72 m, 7.70 m dhe 7.88 m. “Pretendimet janë për 8.30 metra, ndërsa duhen pritur Lojërat Mesdhetare në Tarragona, apo dhe Kampionati Evropian i Berlinit më 7-12 gusht”, vazhdoi më tej Gjergj Ruli. Në këtë Evropian, krenari për Shqipërinë ishte edhe atleti Edmond Murataj, i cili fitoi medaljen e bronztë në 400 m. Ndërkohë që, i mirë duhet konsideruar edhe atleti Marko Makaj në garën e 800 m, si dhe dhe Ravio Rama në 110 m/p. Në garën e kërcimit së gjati, Hallunaj u rendit në vendin e 9-të me 6.90 m, dhe në tërësi, në Lihteshtejn atletët shqiptarë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, ndërsa Smajlaj u shpall “Sportisti më i mirë” i Evropianit. Deri tani, shkodrani është Kampion Ballkani në salla të mbyllura me 7.80 m, në mitingun ndërkombëtar të Elbasanit me 7.88 m, në Kampionatin Kombëtar në maj 2018 me 7.87 m. Por rezultati i fundit tregoi rritje rezultati për të pretenduar dhe më shumë, kryesisht në garat e Lojrave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Falënderimi i atletit Izmir Smajlaj

“Jam shpallur Kampion i Kampionatit të shteteve të vogla Evropiane, dhe për këtë sukses kam një falënderim i veçantë për familjen time, trajnerin tim Gjergji Ruli, dhe sponsorin tim gjeneral “AMA Caffe”. Kjo për gjithçka që kam arritur dhe do të arrij në vazhdimësi”.

Çudisin spanjollët, blejnë shtretër të rinj në Rusi!

Pas mbërritjes në qytetin Krasnodar të Rusisë, ku do të përgatiten në pritje të ndeshjeve finale të Botërorit “Rusi 2018”, skuadra e Spanjës është përballur me disa probleme të vogla logjistike. Në dhomat e futbollistëve në hotel, kishte vetëm shtretër të vegjël, nga ata që përdoren kryesisht për fëmijët, dhe në një situatë të tillë, pjesëtarët e stafit kanë dalë në qytet dhe kanë blerë vetë shtretër të rinj, sipas përmasave të kërkuara, duke mos lënë që gjërat t’i zgjidhnin rusët. Gjithashtu, spanjollët ishin përballur më parë edhe me një tjetër problem të paparashikuar prej tyre, pasi në televizorët në dhomat e tyre kishte vetëm një kanal televiziv spanjoll të regjistruar, situatë kjo që u zgjidh nga stafi i hotelit në qytetin Krasnodar.

Nga Rusia vjen “ndalesa” e dytë për Salah nga rusi Kutepo: E mësova nga Ramosi, nuk më erdhi keq

Talenti egjiptian Mohamed Salah, është bërë “çështje” edhe në këto ditë parapërgatitore që skuadrat kundërshtare të Egjiptit po zhvillojnë në Rusi. Sepse forma e shkëlqyer që ka treguar Salah këtë sezon, ka bërë që të gjithë kundërshtarët të mendojnë një mënyrë se si mund ta ndalin atë, qoftë duke e dëmtuar ose jo. Dhe në këtë “valle” është futur edhe mbrojtësi rus, Ilia Kutepo, i cili dje është shprehur se, mënyrën si mund të ndalet Salah e ka mësuar nga Ramosi në finalen e Ligës së Kampionëve. “Loja e Salah nuk më tremb aspak. E ndaloj, nëse mund të bëj të njëjtën gjë që bëri edhe Ramosi. Ai më mësoi një mënyrë, se si mund të ndalet Salah. Nuk mund të them se u ndjeva keq kur ai pësoi dëmtim në finale”.