“Gjeneral” Devolli bashkohet me Partizanin

470
Sigal

 Klubi i kuq ka hyrë fuqishëm në merkaton për t’u rikthyer në Superligë

Bledar Devolli është lojtari i radhës që nënshkruan me Partizanin, duke ecur në gjurmët e futbollistëve të tjerë, si Fatjon Tafaj dhe Sokol Ishka. Veterani gjirokastrit firmosi deri në fund të sezonit me të kuqtë, duke qenë një “gjeneral” më shumë në radhët e të kuqve. Për Devollin bëhet fjalë për një rikthim të tij, madje mesfushori i ashpër, i njohur me nofkën “gjenerali”, për mënyrën sesi ai i feston golat, duke nderuar si ushtarak, është një nga idhujt e tifozerisë së kuqe. Mesfushori në fazën e parë ishte pjesë e Shkumbinit, teksa ka ndërprerë marrëdhëniet me klubin peqinase e ka vendosur të veshë deri në fund të këtij sezoni fanellën e Partizanit. Synimi i mesfushorit me eksperiencë është natyrisht që me Partizanin të ngjitet në Superiore, ashtu siç bëri në sezonin e kaluar me skuadrën e vendlindjes së tij, Luftëtarin. 34-vjeçari dha kontributin e tij të çmuar vjet në Gjirokastër, duke e rikthyer skuadrën bluzi pas pesë sezonesh mes më të mirave të futbollit shqiptar. Kështu që pas suksesit në sezonin e kaluar me Luftëtarin, “gjenerali” synon ta arrijë edhe këtë herë me fanellën e kuqe. Nëse ka ndonjë lojtarë që mund të quhet “shtegtar” në kampionatin shqiptar natyrisht ai është Bledar Devolli. Në 16 vjet të karrierës së tij futbollistike, Devolli ka ndryshuar plot 12 skuadra, ku në secilën prej tyre ka arritur të fitojë zemrat e tifozëve. Sidomos tek Partizani ai në sezonin 2007-2008, gjirokastriti ishte ndër më të spikaturit, por që nuk arriti të fitojë titullin, pasi të kuqtë humbën atë finale dramatike të 17 majit me Dinamon. Një peng që ka mbetur për mesfushorin, i cili në atë takim nuk luajti për shkak se ishte i pezulluar, por edhe për të gjithë tifozët e kuq. Devolli në karrierën e tij ka arritur të fitojë kampionatin me Tiranën dhe Kupën e Shqipërisë me Teutën, teksa me Flamurtarin e Partizanin është shpallur nënkampion.

Gjoka: “Flamurtari është stabilizuar”

Arritja e dy fitoreve radhazi në Kupën e Shqipërisë menjëherë pas largimit të trajnerit spanjoll Hulian Rubio kanë rikthyer optimizmin te Flamurtari, që ndonëse është jashtë gare për titullin kampion, ka ende mundësi për ta mbyllur me trofe sezonin. Pikërisht dy sukseset e fundit si dhe pauza dimërore do t’i shërbejë skuadrës për të reflektuar mbi gabimet e fazës së parë. Ernest Gjoka, pasuesi i Rubios në stolin e skuadrës vlonjate, siguron se situata te Flamurtari po shkon drejt stabilizimit dhe se me kualitetet që ka mund t’i arrijë objektivat. “Skuadra është drejt rehabilitimit. Kemi filluar mirë, kemi marrë 6 pikë në grup, por sërish do ta kemi të vështirë, pasi do të shkojmë që në ndeshjen e parë në Laç. Megjithatë them se gjërat kanë ardhur drejt stabilizimit”, u shpreh tekniku kryeqytetas. Gjoka këmbëngul se Flamurtari është projektuar për trofe, por problemet kanë ardhur thjesht nga mosmenaxhimi i mirë i situatave. “Nuk është se ka patur ndonjë problem të madh në skuadër, por thjesht mosmenaxhimi i mirë i situatave të ndryshme, nga ana psikologjike më shumë. Ndoshta trajnerët në ekipe të mëdha siç është Flamurtari në Shqipëri është në ndikimin e shumë faktorëve, që patjetër duhet të synojë të fitojë titullin kampion. Kjo ndoshta ka qenë arsyeja që ka krijuar këtë problem. Mendoj se ky Flamurtar është projektuar për të fituar trofe, janë shpenzuar shumë para për të formuar një ekip elitar dhe them se i ka mundësitë të vazhdojë rrugën për të arritur objektivat”, shtoi pasardhësi i Rubios në stolin vlonjat.

Objektivi kryesor i Flamurtarit, sipas Gjokës mbetet finalja e Kupës së Shqipërisë, pa hequr dorë edhe nga një ndër tre vendet e para në kampionat.

Vlerësimi i sajtit Calciomercato.com: “Nuk e ka treguar veten”

 Lorik Cana, lojtari i dytë më i dobët te Lacio

Portali i njohur sportiv italian, Calciomercato.com, e vlerësoi Lorik Canën si një nga tre lojtarët më të dobët të Lacios për vitin 2012, duke i dhënë notën 5.5. Pak ditë më parë, autogol i realizuar nga mbrojtësi-mesfushor i Lacios, Lorik Cana, është përfshirë në “Top 5” autogolat më të bukur të vitit futbollistik 2012, nga faqja zvicerane “20 Minuten”.

TË KËQINJTË – Lorik Cana, nota 5.5, – shkruan ‘Calciomercato’. – I mbërritur te Lacio si një lider, ‘luftëtari’ (nofka e Lorikut) nuk ia doli të shprehet ashtu siç kishte bërë në kampionatet e tjera. Duke e pasur të vështirë në mesfushën bardhekaltër, kapiteni i Shqipërisë është duke gjetur më shumë hapësirë në mbrojtje nën drejtimin e (trajnerit) Petkoviç. Megithatë, është një djalosh i jashtëzakonshëm, i cili me një impenjim më të madh është duke tentuar të përfshihet midis bluzave të njëmbëdhjetëshit titullar, por në një Lacio që xhiron në të mijtat rezulton thuajse e pamundur. Me notën e dytë më të keqe, 4.5, është vlerësuar e tërë merkatoja që është kryer gjatë muajve korrik-gusht. Lojtari më vlerësimin më të dobët është italo-argjentinasi Mario Zarate, nota 4.

TË MIRËT  – Sulmuesi gjerman Miroslav Kloze u vlerësua me notën maksimale, 10. “Detyra e tij është të shënojë gola, por ‘Mbreti i Prusisë’ nuk u kufizua vetëm në këtë. U dëshmoi atyre që, e quajnë të ‘plakush’ se jo vetëm është në një vazhdimësi të jashtëzakonshme, por që është më i forti i të gjithëve. Numri 11 i Lacios ka marrë përdore skuadrën dhe e ka çuar një hap larg zonës së Ligës së Kampioneve, mbërriti kur ishte një hap larg rekordit të Kombëtares gjermane dhe i dhuroi kampionatit italian vëmendjen e një Europe të tërë, që njohu tek ai një nga të paktët kampionë në nivelin botëror që luan në Serinë A”, – shkruan në komentin e tij “Calciomercato.com” . Mesfushori Kristian Ledezma me notën 9. Portieri Frederiko Marketi ishte lojtari i tretë më i mirë: nota 8.5.

Berat

Kampionati i parë i Kik-Boksit

Është zhvilluar në qytetin e Beratit Kampionati i parë Kombëtar i Kik-Boksit. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë 6 ekipe nga e gjithë Shqipëria,të përfaqësuar nga 14 sportistë të Kick-Boksit, që u përballën mes tyre në 7 ndeshje të niveleve të ndryshme. Në Kampionatin e I-rë Kombëtar të Kik-Boksi në Berat ka qenë i pranishëm edhe kampioni shqiptar në Greqi, Florjan Marku, i cili ka qenë pjesë e stafit vlerësues të 21 raundeve të zhvilluara gjatë 7 ndeshjeve radhazi, ku në përfundim të çdo ndeshjeje janë ndarë edhe medaljet e kupat për sportistin fitues. Organizatori i këtij Kampionati, trajneri i ekipit Tomori, Leli Gega, është shprehur se ky aktivitet ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për faktin se zhvillohet për herë të parë në qytetin e Beratit por kjo i jep mundësinë sportistëve të këtij sporti të vështirë të rrisin nivelin e tyre për të konkurruar denjësisht edhe jashtë vendit.

Julian  Xhelili

Tifozët e Skënderbeut

“Ujqërit e dëborës”: “Boll u tallët me ne!”

Pas situatës ende të paqartë te Skënderbeu, ku u shkarkuan disa drejtues dhe u pezullua trajneri Mirel Josa, përpos deklarimeve të përditshme në media, reagoi dhe tifogrupi i njohur korçar  “Ujqerit e Deborës”. “Marrë shkas nga publikimet e fundit të gazetave në emër të tifogrupit tonë, mashtrimeve dhe situatës së fundit të krijuar në klub deklarojmë: ‘Askush nuk mund të tallet dhe mashtroje në emër të tifogrupit tone, i cili ka mbështetur prej vitesh maksimalisht emblemën e këtij klubi të madh dhe ngjyrave bardhekuqe. Theksojmë se, ne si tifogrup njohim Z. Ardjan Takaj, si presidentin kryesor te ekipit, sponsorin gjeneral “Ama caffe” drejtuar nga i madhi Agim Zeqo dhe Bashkinë e Korçës si te vetmit qe kane kontribuar dhe vazhdojnë kontributin e tyre ndaj Skënderbeut për ta ngritur me lart emrin e ekipit dhe qytetit tone te dashur ndërsa te tjerët që pretendojnë të fitojnë kur nuk kane ofruar asgjë dhe që krijojnë këto situata te pakëndshme janë njerëz që nuk e duan Skënderbeun dhe qytetin tonë”, – thuhet midis të tjerash në deklaratën e tifozëve korçarë. Skënderbeu kryeson bindshëm pas fazës së parë dhe është favoriti kryesor për titullin kampion.