Gentian Mezani: Besoj te cilësitë e Bylisit për mbijetesë, për këtë po punojmë

37
Sigal

INTERVISTA/ Dy ditë pas uljes në stolin e ballshiotëve, flet për “Telegraf” trajneri Gentian Mezani

Agron KAJA

Agron Kaja

Pas një pushimi relativisht të gjatë, si është rikthyer Gentian Mezani në Superioren shqiptare?

U riktheva në Superiore me besim te mundësitë dhe aftësitë e mia profesionale, me mbështetjen e gjithë stafit të klubit dhe Presidentit Besnik Kapllanaj, Vlerësoj projektin që kanë në Ballsh, por futbolli ka edhe surprizat e veta.

Pranuat të drejtoni një skuadër në rrezik mbijetese, sa janë pranë rreziku me suksesin?

Unë jam profesionist dhe në karrierë duhet të guxosh për të arritur qëllimin. Te skuadra e Bylisit kam nisur të punoj që në 11 javët e mbetura të bëj më të mirën, duke vazhduar atë punë të mirë që nisi Nevil Dede me Bylisin.

Duket se ju pëlqejnë sfidat, edhe kjo bankinë në Ballsh është e tillë?

Më pëlqejnë sfidat dhe Bylisi do të jetë një sfidë e madhe për mua. Dua që të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin final të mbijetesës. Bylisi ka një grup të mirë dhe dua të them se ky grup do japë garancitë në 12 javët finale.

Motivimi juaj profesional, sa mendoni se do të shërbejë që skuadra të arrijë mbijetesën në Superiore?

Të gjithë së bashku do të punojmë çdo ditë drejt këtij objektivi, sepse mundësitë janë. Kampionati është në një fazë ku gara mund të thuhet se është në kulmin e vet. Janë në lojë edhe 36 pikë dhe këtu Bylisi do gjejë hapësirën e mbijetesës.

Keni disa ditë që po e përgatisni skuadrën për sfidën e javës së 25-të ndaj Elbasanit, si ka qënë gjëndja e skuadrës?

Bylisi është një skuadër e mirëstërvitur dhe ka dëshirë për t’u rritur në lojë dhe për të fituar. Falë punës që kanë bërë dy trajnerët e mëparshëm, si edhe mbështetjes së Presidentit Kapllanaj, ky grup i’ ka aftësitë që ta mbyllë me sukses kampionatin.

Dy blerjet e reja që prezantuat të enjten, janë të gatshëm që në ndeshjen e radhës ndaj AF Elbasanit?

Blerjet e reja, portiere dhe sulmuesi, në këto dy ditë që unë e drejtoj Bylisin, janë të gatshëm dhe janë stërvitur me skuadrën. Të dy janë me eksperiencë dhe me formën e tyre mendoj se do t’i japin shtysë e motivim gjithë skuadrës.

Synimi i Bylisit në këtë sfidë është vetëm fitorja, apo mbeteni edhe te alternativa e barazimit?

Synimi është vetëm fitorja ndaj Elbasanit, dhe për këtë janë të gjitha mundësitë. E vlerësojmë skuadrën kundërshtare, por për ne ndeshjet në fushën tonë janë me çdo kusht fitore, asnjë alternativë të dytë. Na duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë për objektivin.

Faza e katërt e Superiores, mund të sjellë edhe lëshime apo kompromise mes skuadrave, mund të rrezikohet Bylisi?

Nuk i mendoj fare këto problematika, që edhe mund të ndodhin. Ne do të shohim përpara ndeshjet tona për tu përmirësuar, pa e menduar për këto fenomene që nuk i shkojnë futbollit. Bylisi nuk e mendon veten pjesë të këtyre problematikave.

Nëse sot do mbyllej java e 36-të, ju ku e mendoni renditjen e Bylisit?

E përmënda më sipër që ne po përgatitemi me synimin që në 12 javë, të marrim pikët e plota në fushën tonë dhe në ndeshjet jashtë fushe të mos dalim pa pikë. Kështu e mendoj Bylisin jashtë rrezikut të mbijetesës.

 

Merkato nga porta në sulm, ja blerjet e radhës te Bylisi

Ditën e enjte, FK Bylis zyrtarizoi dhe prezantoi dy afrimet e fundit. Portierin brazilian shtatlartë, Toni Batista, me eksperiencë në Seria B në Brazil, Iran, Arabi dhe Portugali. Ndërsa lojtari tjetër është sulmuesi nigerian Ibrahim Mustafa, i cili ka luajtur në Superligën e Nigerisë, por ka zhvilluar edhe 4 ndeshje me përfaqësuesen e shtetit të tij.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 25

E shtunë, 15 shkurt 2025

Egnatia-Partizani                     13:30

Bylis-AF Elbasani                   13:30

Dinamo C-Vllaznia     16:30

E dielë, 16 shkurt 2025

Laçi-Teuta                               13:30

Tirana-Skënderbeu                  16:30

(Luhet në “Elbasan Arena”)

RENDITJA                   

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     24        45

2.Vllaznia                    24        43

3.Partizani                   24        40

4.Dinamo City             24        40

5.AF Elbasani              24        29

6.Laçi                          24        27

7.Bylis                         24        24

8.Teuta                        24        24

9.Tirana                       24        23

10.Skënderbeu             24        20

 

EGNATIA-PARTIZANI

Kampionët jo për hakmarrje, Partizani më i mirë në fushë

Në këtë sezon, Egnatia e Partizani janë ndeshur dy herë. Më 27 shtator, Egnatia-Partizani 0-2, dhe më 5 dhjetor 2024, Partizani-Egnatia 1-1. Ky është takimi i fazës së tretë.

Dje u çel fushata e javës së 25-të të Abissnet Superiore, ku veçohen dy sfidat që do përballin katër skuadrat e vëndeve të para në renditje, të cilat formojnë zonën “Final 4”. Dhe këtu tërhoqën vëmëndjen edhe deklarimet e dy trajnerëve të këtyre skuadrave, tek të cilët kërkojnë që këtë sfidë ta bëjnë të tyren. Edlir Tetova i Egnatias kërkon vazhdimësinë e fitoreve. “Partizani ka strategjitë e veta dhe ne kemi tonat, por gjithsecili punon vetë me klubin e vet. Por duam vazhdimësinë dhe mos humbasim ritmin që kemi pasur këtë vit. Mendoj që shumë e rëndësishme është të jetë fitorja prezente, duhet të jemi më të kujdesshëm në vijim që të mos pësojmë gola”. Ndërsa Veselinoviç i Partizanit e “sfidon” Tetovën duke i kujtuar se skuadra që ai drejton, në fushë do të jetë ekipi më i mirë. “Ata janë kampionët në fuqi dhe në këtë sezon po luajnë shkëlqyeshëm. Luajnë prej shumë kohësh bashkë dhe kanë automatizime në lojë, por ne duhet të mendojmë dhe për veten. E kemi përgatitur këtë përballje si çdo ndeshje dhe ekipi që do të zbresë nesër në fushë do të jetë ekipi më i mirë i Partizanit për këtë moment”.