KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, tregon realitetin dhe synimet e skuadrës
Agron KAJA

Ndërkohë që lajmi i fundit dje ishte dështimi i ankandit për shitjen e “KF Lushnja 1930”, sot nis java e parë e fazës së tretë të Kategorisë së Parë. Por për trajnerin e Lushnjës, Erion Xhafa, kampionati është i vështirë, por që po punojnë fort për objektivat në vazhdim. “Natyrisht që do kemi një fazë të tretë të vështirë, por po punojmë fort me objektivin në vazhdim që të fitojmë çdo ndeshje të radhës. Jemi në pikën që kampionati do marrë drejtim, dhe këtu Lushnja e gjen veten mirë, Mund të kishim bërë më mirë, sepse Lushnja i ka mundësitë e potencialet për më sipër në tabelën e renditjes”, kështu e nisi dje bisedën trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, i cili më pas për gazetën “Telegraf” u shpreh se Lushnja po ndërton identitetin si skuadër, në lojë dhe në rezultate, duke e vlerësuar realisht skemën e kampionatit. “Këto skema janë rregulla të vendosura më parë, dhe ne si aktorë duhet të zbresim në fushë për të treguar vlerat tona. Rëndësi ka që kampionati të jetë i luftuar deri në fund, dhe në këtë luftë sportive çdo ekip të marrë atë që meriton. Ecuria e skuadrave të tjera ne si Lushnje nuk na intereson, sepse na intereson vetëm puna e ekipt tonë, ku çdo ditë do punojmë që të përmirësohemi. Na interson të ndërtojmë identitetin tonë në lojë dhe rezultate, me qëllim që të mos kemi problemet e mbetura nga vitet e fundit”. Por trajneri i lushnjarëve merakun e tij profesional e ka tek ndeshja e radhës, që sipas kalendarit, Lushnja e renditur në vëndin e 6-të në fundin e fazës së dytë, pret në fushën e vet Kastriotin që u rendit në vëndin e 7-të. “Ndeshja e radhës me Kastriotin është e vështirë, sepse do kemi përballë një ekip agresiv që luan mirë futboll. Është ekspert i Kategorisë së Parë, dhe këtu po kujtoj ndeshjen e kaluar në Lushnjë ku luajtën mirë, edhe pse ne e fituam atë takim. Kanë edhe një trajner të ri që mund t’i motivojë më shumë, e për ne do jetë një betejë e fortë që mund të vendoset nga episode. Por jam optimist se ne si Lushnje i kemi të gjitha mundësitë të dalim fitimtarë nga kjo ndeshje”. Ndërsa pyetjes së gazetës “Telegraf” se ku ai e shikon Lushnjën në mbylljen e kampionatit, tekniku Xhafa u shpreh se janë të urritur për të bërë më të mirën deri në fund. “Dëshira ime si trajner është që ta shoh Lushnjen në Superiore. Kjo fazë e tretë do ta bëjë kampionatin të luftuar deri në ndeshjen e fundit. Ne do ta shohim ndeshje pas ndeshje, duke qënë të qetë dhe të urritur për të bërë më të mirën deri në fund”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa.
Fikaj dhe Celhaka, të vlerësuarit në Ligën e Konferencës
Ditën e enjte, në ndeshjet e Ligës së Konferencës, në fushë ishin edhe dy futbollistë shqiptarë, Elton Fikaj që luan te Panathinaikos në Greqi dhe Juregen Celhaka që luan me Olimpia Lubjanë në Slloveni. Të dy ekipet ku luajnë këta dy futbollistë nuk ia dolën të merrnin rezultat pozitiv, por paraqitjet e tyre në fushën e lojës ishin të mira dhe të vlerësuara. Kështu, mbrojtësi 19-vjeçar Fikaj u aktivizua në minutën e 37-të të ndeshjes së Panathinaikosit me Vikungur të Islandës. Skuadra greke humbi me rezultatin 2-1, por në fundin e kësaj sfide, për 58 minutat e aktivizuar u vlerësua me notën 6.8 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”. Fikaj ka qënë protagonist edhe në ekipet tona kombëtare U17, U19 dhe U21, ndërkohë që futbollisti tjetër shqiptar i vlerësuar në këtë kompeticion europian ishte Jurgen Celhaka. Ai ishte titullar i Olimpja Lubljanës ndaj Borac Banja Luka, ku ekipi i tij u mposht me rezultatin 1-0. Në fundin e sfidës, Celhaka u vlerësua me notën 7 nga “Sofa Score”.
Silvinjo në heshtje! Botafogo e quan me profilin e dëshiruar

Ka disa ditë që në mediat sportive përtej oqeanit po qarrkullon një lajm merkatoje për trajnerin e Kombëtares sonë të futbollit, Silvinjo. Është klubi Brazilian i Botafogos që ka hedhur shikimin nga Silvinjo, ku presidenti amerikan i klubit Xhon Tekstor, ka folur në një videokonferencë me Silvinjon në lidhje me një kalim të mundshëm në Brazil. Kontrata e tij në stolin kuqezi është deri në fund të këtij viti, por sipas “RTI Esporte”, raportohet se Botafogo është interesuar për Silvinjon. “Megjithatë, edhe pse janë disa kandidatë, Silvinjo ka profilin e dëshiruar nga presidenti i Botafogos: kokëfortë, studioz dhe një menaxher i mirë grupi. Për më tepër, trajneri është i orientuar drejt detajeve, i rreptë në fushë dhe adhurues i futbollit të bukur”, kështu shkruante dje “RTI Esporte”. Por trajneri e ka kaluar në heshtje mediatike këtë lajm dhe ende nuk dihet nëse ia ka mbyllur dyert klubit Brazilian, apo po merr kohën e duhur për të menduar edhe një largim të mundshëm nga Shqipëria pa filluar kualifikueset e Botërorit.
Shtegëton Besa, pret Kukësin në “transfertë”dhe pa tifozë
Fazën e tretë, Besa e Kavajës e nis si pritëse, ndaj Kukësit. Por për mungesë terreni, ndeshja Besa-Kukësi, e planifikuar për të shtunën, është spostuar për të dielën në orën 13:30. Ky takim do të luhet në fushën e Plugut në Lushnjë, dhe pa praninë e tifozëve. Kjo vjen për shkak të vendimit të Komisionit të Disiplinës në FSHF, i cili i dënoi kavajasit me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 23
E shtunë, 15 shkurt 2025
Vora-Erzeni 13:30
Lushnja-Kastrioti 13:30
Flamurtari-Valbona 13:30
E dielë, 16 shkurt 2025
Besa-Kukësi 13:30
E hënë, 17 shkurt 2025
Pogradeci-Apoloni 13:30
Burreli-Korabi 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 22 54
2.Flamurtari 22 52
3.Besa 22 43
4.Burreli 22 37
5.Pogradeci 22 31
6.Lushnja 22 30
7.Kastrioti 22 30
8.Apolonia 22 28
9.Korabi 22 22
10.Kukësi 22 20
11.Valbona 22 13
12.Erzeni 22 8