Gega shuan aludimet për tolerime: Kampionati nuk ka mbaruar ende

551
Sigal

Në këtë pikë të kampionatit, kur Partizani është në vendin e parë me 12 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë, tema që flitet në rrethet futbollistike në vend është tolerimi nga ekipi i kuq. Por nuk është i këtij mendimi, trajneri i Partizanit Skënder Gega. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kastriotin, Gega është shprehur se kampionati nuk është mbyllur akoma dhe se ekipi i tij duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i marrë ndeshjet me radhë. Tekniku i Partizanit tha se të dyja ekipet do të hyjnë në fushë me qëllimin që të arrijnë objektivat e tyre pa u ndikuar nga pozitat që kanë në tabelë.

“Secili ka objektivat e veta, nuk do ndikohemi nga nevojat e askujt. Jemi profesionistë dhe nuk ka mbaruar asgjë. Janë edhe 7 javë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe seriozë për të marrë frytet e gjithë asaj punë që kemi bërë”. “Asnjëherë nuk kemi thënë që jemi të pathyeshëm. E kemi nisur me një humbje në Korçë. Jetojmë në një vend të vogël ku gjërat dihen. Jam paragjykuar nga unë i pari e deri te lojtari më i ri. Ka pasur skeptikë, njerëz që kanë bërë analiza ndryshe nga ne. Pikët na bëjnë të jemi komodë dhe të mos kemi presion. Grupi ka funksionuar, u kemi marrë ndoshta edhe më tepër se ç’kemi pritur”.

Në fjalën e tij trajneri i Partizanit ka hedhur tej çdo aludim të mundshëm për tolerim nga ana e Partizanit në këtë periudhë. Gega tha se ekipi i tij nuk mund të tolerojë si ndaj Tiranës, ashtu edhe ndaj Kastriotit. “Kam përçuar një mesazh ‘fair-play’, që kundërshtarët tanë shekullorë nuk është se nuk i duam në ligë. Është punë e tyre, nuk marr asgjë nga ata. Jam trajner i Partizanit. Mendoj si profesionist. Tirana i jep bukuri, ashtu si Dinamo dhe Vllaznia. Teknikisht do doja të ishin në ligë gjithmonë, por nuk ka lidhje me atë që të ndihmojmë Tiranën. Derbi i fundit është i veçantë, do kërkojmë ta fitojmë. Nuk mendojmë për ta”.

Skënder Gega ka komentuar edhe deklaratën e trajnerit të Tiranës, Ardian Mema, i cili foli për një kampionat që luhet në tavolina. “Me gjithë respektin, në konferencë nuk mund të bëjmë muhabet tavolinash, Është perceptimi i tij dhe është e drejta e tij se çfarë thotë. E kemi thënë, nuk jemi të pathyeshëm. Luftëtari nuk na ka mundur vetëm ne. I nxorëm mësime. Nuk kam asnjë koment për ato që flasin kolegët neper klube apo nëpër tavolina”.
Ndërsa për rivalët e Kukësit, Skënder Gega u shpreh se tashmë janë më të qetë në deklaratat e tyre pasi janë të vetëdijshëm për diferencën e madhe me pikë që kanë.

“Ka hyrë diplomacia te Kukësi, ndoshta edhe më tepër. Tani po shohin gjërat më me diplomaci dhe me më qetësi. Janë përballë një fakti që ne jemi shkëputur. Unë personalisht deri ndeshjen e fundit nuk do them që jemi kampionë. Kjo jo për të ulur presionin. Do i marrim ndeshjet me radhë. Shohim ndeshjen me Kastriotin, duhet kaluar me sukses. Ata kanë një ekip me ego, me dëshirë. Nuk është fusha ajo që i heq meritat atij grupi”.

Në fund trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka folur edhe për merkaton, duke thënë se është shumë shpejt për të folur dhe se fillimisht duhet fituar kampionati dhe më pas të mendohet për merkaton dhe Champions League. “Jemi në prill, deri në korrik janë shumë muaj. Ky grup ishte ai që luajti ndaj Mariborit edhe dolëm nga atje me duartrokitje nga vetë tifozët. Nuk është ky Partizan që është sot, nuk ishte ky Partizan që është sot, pasi lojtarët janë bërë më të përgjegjshëm dhe janë rritur. Unë e dua këtë grup dhe sikur mos të vijë asnjë lojtar tjetër sërish do bëj maksimumin dhe jam besimplotë që ky grup pa asnjë ndryshim do të ketë performancë të jashtëzakonshme. Është puna që e bën diferencën. Nëse punojmë dhe vrapojmë shumë, nuk ka ekipe të mëdha dhe të vogla, por ka ekipe që punojnë fort dhe vrapojnë shumë. Ky është dhe sekreti ynë”.