Gazetari italian ‘lëshon bombën’: Broja në orbitën e Milanit, problemi është lufta në Ukrainë

132
Sigal

Duket se futbollistët shqiptarë do të jenë nga më të kërkuarit nga skuadrat e mëdha evropiane në merkaton e verës.

Së fundmi bëhet me dije se përveç Nedim Bajramit dhe Kristjan Asllanit, klubi i Milanit interesohet edhe për shërbimet e një tjetër lojtari shqiptar.

Bëhet fjalë për sulmuesin nga Kopliku Armando Broja, i cili ka përfunduar në radarët e klubit Lombard. Ka qenë gazetari i njohur italian, Carlo Pellegatti i cili ka lidhje të ngushta me klubin e Milanit që ka plasur “bombën”.

Pellegatti ka bërë të ditur nëpërmjet një publikimi në YouTube se Broja ishte një emër që kuqezinjtë e kishin ndjekur me interes, por ishin ndalur nga pasojat e luftës në Ukrainë që solli edhe situatën kaotike te Chelsea, klub që zotëron kartonin e tij.

“Para ngjarjeve tragjike mes Rusisë dhe Ukrainës që kanë shtyrë qeverinë angleze që të sanksiononte Abramovic, Milani po monitoronte situatën. Hipoteza ishte ajo e një huazimi, në Shqipëri janë shumë të apasionuar pas futbollit italian. Për Brojën, hipoteza e Milanit do të kishte qenë e rëndësishme.

Më thonë që lojtari vlerësohet 70 milionë euro. Nuk përjashtoj që Milani mund ta kishte marrë në huazim. Por sot që flasim, Milani është shumë i kujdesshëm për këtë argument, situata është komplikuar. Shoqëria kuqezi nuk mund të presë zhvillimin e ngjarjeve të klubit të Chelseat. Nëse do të mbërrinin pronarë të rinj dhe drejtues të rinj, Milani mund të kthehej në garë për Brojën. Gjithmonë nëse nuk e mbyll më parë për Origin, i cili deri më sot, është kandidati numër 1. Me disa shifra të përballueshme, Milani munda ta mendojë një gjë të tillë”, tha gazetari i njohur italian.