
Nga gëzimi i madh për fitoren ndaj Liverpoolit në Champions, falë golit të Lorenzo Insignes, te frika e madhe e grabitjes në rrugë.
Kështu mund të sintetizohet mbrëmja e sulmuesit polak të Napolit, Arkadiusz Milik, të cilit, pak metra larg banesës së tij në një rrugë të zonës Giugliano, iu afruan dy persona me një motor Skuter, duke e detyruar futbollistin t’u dorëzonte një orë Rolex të modelit Daytona, me vlerë rreth 7 mijë euro. Nga informacionet paraprake mësohet se futbollisti po kthehej në shtëpi pas suksesit me “The Reds”, kur dy grabitësit, të maskuar, i drejtuan pistoletën në kokë.
E çfarë mund të bënte në këto momente frike Milik, veçse t’u jepte atë që kërkonin. Nuk është hera e parë që futbollistët e Napolit përjetojnë ngjarje të tilla të frikshme. Policia ka nisur hetimet, por deri në këto momente nuk ka asnjë të ndaluar për këtë grabitje me armë.