Csava Laszlo: “Më pëlqen të rrezikoj kundër Shqipërisë”

476
Sigal

Trajneri i Lituanisë: “Nuk keni një ekip i madh në hartën europiane, por po bëni gjëra të bukura”

Csaba Laszlo, trajneri hungarez i Lituanisë, është i drejtpërdrejtë në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Telegraf”, kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja miqësore Shqipëri-Lituani (sot, ora 20:00 në “Qemal Stafa). “Kemi ardhur jo për rezultat, por për të bërë disa eksperimente me lojtarët e rinj, por gjithsesi, më pëlqen të rrezikoj”, – tha ai për gazetën. “E kam parë Shqipërinë në ndeshjen kundër Norvegjisë, dhe mendoj se ka një ekip të mirë”. Trajneri i Lituanisë pranoi se ka informacione të mjaftueshme për Kombëtaren tonë.

 – Zoti Laszlo, do të luani kundër Shqipërisë, në një ndeshje miqësore. Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 në Norvegji, një fitore e rëndësishme për Shqipërinë, pasi tani jo është e dyta. Si e konsideroni këtë rezultat?

 – Për të thënë të vërtetën u befasova, kur mësova rezultatin e Shqipërisë. Ishte një rezultat i rëndësishëm, pasi të jesh në vendin e dytë pas pesë ndeshjeve nuk është një gjë e vogël. Unë e kam parë atë ndeshje dhe më pëlqeu shumë loja e Shqipërisë. Grupi i saj është më të vërtetë interesanta, pasi katër ekipet e para i ndajnë vetëm katër pikë dhe gjithçka mund të ndodhë. Shqipëria ka mundur dy favoritët e mëdhenj, si Norvegjia dhe Sllovenia. Ju duhet t’i shikoni gjërat të gjitha aspektet, pasi ende e konsideroj surprizë fitoren e Islandës në Shqipëri. Unë mendoj se, pas qershorit do të vijnë ndeshjet më të rëndësishme. Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm. Gjithsesi, të fitosh në Norvegji, është përfundimisht aspak e lehtë. Unë e pashë atë ndeshje në DVD dhe goli më pëlqeu shumë, ishte një gol me kombinim perfekt. Mendoj se, dhe portieri shqiptar (Berisha) bëri një punë shumë të mirë, pasi dhe Norvegjia kishte disa shanse të mira. Të kthehesh me tri pikë nga Norvegjia të jep më shumë shpresa për t’u kualifikuar në Botëror.

 – Ju jeni prej një viti në rolin e trajnerit të Lituanisë, por statistikat midis Shqipërisë dhe Lituanisë flasin në favorin tuaj, në tri ndeshje, dy janë fituar nga Lituania, madje edhe ajo e fundit, e luajtur në Tiranë, në qershor të vitit 2006, kur fituat 2-1. A vlejnë tani ato?

 – Bëhet fjalë për një kohë të largët, pra për shtatë vjet më parë. Dhe qysh atëherë për të dy ekipet kanë ndryshuar shumë gjëra. Nuk besoj se, ato statistika vlejnë shumë për ndeshjen e së martës. Gjëja më e rëndësishme, për të dyja skuadrat është fakti që ato kanë mundësi që të provojnë lojtarë të rinj, apo që janë aktivizuar shumë pak. Ky është dhe qëllimi im. Shqipëria nuk është një ekip i madh në hartën europiane, por po bën gjëra të bukura. Shqipëria arriti ta fitojë ndeshje me të rëndësishme kundër Norvegjisë, ndërsa ne barazuam me Sllovakinë.

 – Çfarë prisni nga ndeshja e nesërme (e sotme)?

 – Ok, rezultati është gjithmonë i rëndishëm për një trajner, por sigurisht që dëshiroj të provoj disa lojtarë të rinj, pasi dua të shoh disa futbollistë, të cilët nuk luajnë rregullisht me ekipin. Ndeshja jonë e radhës në kualifikuese është kundër Greqisë, dhe pikërisht ky është shansi i fundit për të parë. Edhe për Shqipërinë besoj se është e njëjta, para ndeshjes me Norvegjinë.

 – Në listën tuaj të lojtarëve të thirrur për ndeshjen me Shqipërinë janë vetëm dy sulmues, pa përvojë ndërkombëtare, ndërkohë që keni thirrur 11 mesfushorë. Kjo ka zgjedhje ka të bëjë me ndonjë strategji?

 – (Qesh…) Jo, jo. Mendova që, të thërras më shumë mesfushorë për këtë ndeshje. Një ekip nuk varet sesa sulmues grumbullon, por nga strategjia dhe taktika që përdor gjatë lojës. Nëse ju luani me skemën 4-3-3, atëherë ju keni nevojë për më shumë se tre sulmues, por unë preferoj të luaj me një sulmues dhe me një bazë të gjërë mesfushorësh, të cilët në fazën ofensive mund të shndërrohen në sulmues të mirëfilltë. Kam lojtarë që, mund të luajnë si sulmues. Një ekip nuk shikohet në letër, por në lojën që ai prodhon. Gjithçka varet nga taktika që t’i synon të përdorësh.

 – Ju thatë se, rezultati nuk është dhe aq i rëndësishëm në ndeshjet miqësore. Por, në të vërtetë ça prisni nga miqësoja me Shqipërinë?

 – Sigurisht, që rezultati është i rëndësishme, patjetër qe duhet dhe të rrezikoni disi. Dua të provoj diçka të re. Unë besoj se, të dy ekipet kanë të njëjtin nivel, dhe kështu që do ta shohin takimin si mundësi për të provuar skema të reja dhe lojtarët që aktivizohen më pak. Nuk dua të bëj asnjë parashikim. Nëse nuk do ta fitoj ndeshjen, nuk do të ishte një problem. E përsëris, dua të provoj lojtarë të rinj. Janë shumë rrethana që, e vendosin ndeshjen. Të dy ekipet vijmë nga ndeshje të vështira dhe të rëndësishme, kështu që besoj se lojtarët kryesorë mund të jenë dhe disi të lodhur. Ndonjëherë të duhet edhe fati. Fati është kameleoni. Gjithsesi, nuk dëshiroj aspak të më dëmtohen lojtarët.

 – A keni ndonjë informacione mbi Shqipërinë?

 – Sigurisht, është puna ime që të mbledh informacione mbi kundërshtarin e radhës. E njoh mjaft mirë në letër Shqipërinë, por dhe kam parë disa ndeshje të saj. Nuk njoh disa nga lojtarët që luajtën për herë të parë në Oslo. E di që, keni disa futbollistë që luajnë në nivele të larta në Itali, Gjermani, në Bundesligën 1 dhe 2, keni dy lojtarë që luajnë në Greqi, por dhe një sulmues që luan në Kinë dhe që shënoi golin e fitores në Norvegji.

– Zoti Laszlo, Lituania juaj barazoi 1-1 në Sllovaki, të premten, për eliminatoret e Botërorit 2014. Sa i kënaqur me atë rezultat?

 – Ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, pasi Sllovakia është një ekip i mirë. Unë mendoj se, kur merr një pikë jashtë shtëpisë është gjithmonë një gjë shumë e mirë. Ishte një ndeshje e hapur nga të dyja skuadrat dhe të dyja e meritonin të fitonin. 1-1 ishte rezultati më i drejtë.

 – Ju keni grumbulluar pesë pikë nga pesë ndeshjet e para, duke u renditur në vendin e katërt në grup. A jeni i kënaqur me këtë ecuri?

 – Sigurisht, që jo. Por, të mos harrojmë se ne kemi luajtur vetëm një ndeshje në shtëpi, ndërsa katër të tjerat në transfertë. Në ndeshjen e vetme në transfertë barazuam 1-1 me Sllovakinë. Nëse do të fitojmë ndeshjet e tjera në shtëpi, do të kemi mundësi të ngjitemi pak më lart në renditje.

  “Kam mundur Tiranën 3-2, si trajner i Ferencvaroshit”

 Për trajnerin Csaba Laszlo kjo nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri, në rolin e një trajneri. “Kjo është hera e dytë. Kam qenë këtu para shtatë vjetësh, por si trajneri i Ferencvaroshit. Kemi luajtur kundër Tiranës, në Ligën e Kampioneve, në sezonin 2004-2005. Fituam 3-2 këtu, ndërkohë që humbëm 1-0 në Budapest dhe u kualifikuam më tej. Kur pashë Shqipërinë për herë të parë, u befasova, qyteti ishte shumë kaotik, ndërkohë që stadiumi nuk ishte aspak komod. Tani, pas më shumë se shtatë vjetësh, qyteti ka ndryshuar, është zhvilluar, ndërkohë që stadiumi është akoma më i vjetër. Megjithëse, më duhet ta pranoj se gjendja e fushës është më e mirë se shtatë vjet më parë. Kam dëgjuar se, do të jetë ndeshja e fundit ndërkombëtare dhe më vjen mirë, që ne do të jemi ekipi i fundit që do të luaj aty. Kur mbërritëm në 2004, aeroporti ishte i vogël, ndërkohë që tani unë pashë një tepër modern”.

   Basketbolli, sporti numër një në Lituani

 Klubet shqiptare kanë luajtur me ekipet lituaneze në kompeticionet europiane. Cili është niveli aktual i futbollit në Lituani? Laszlo tha: “Mendoj se para pesë apo gjashtë vjetësh, niveli i kampionatit ishte më i mirë. Aktualisht, ne ndodhemi në një situatë, ku shumica e lojtarëve më të mirë luajnë jashtë Lituanisë, në Rusi, Ukrainë, Turqi, Gjermani, Sllovaki, Sllovakia është një vend i vogël, me rreth 3 milionë banorë. Basketbolli është sporti numër një në Lituani, kemi një nga ekipet më të mira në Europë dhe në Botë. Kampionati i basktetbolit është me të vërtetë shumë i fortë. Gjithsesi, lituanezët e pëlqejnë jashtë mase futbollit.

 Investime serioze në infrastrukturë

 “Për momentin nuk mund të them se, kemi ekipe fantastike, por po bëjmë investime serioze në infrastrukturë. Kemi pasur ekipe që, kanë rrezikuar edhe falimentimin, por me ardhjen e disa investitorëve rusë, situata po bëhet gjithmonë dhe më e mirë. Kemi ndërtuar akademi në çdo klub, dhe në Lituani do të luhen finalet e Kampionatit Europian të U-19, të organizuar nga UEFA. Mendoj se, futbolli lituanez po përmirësohet”

Tekniku hungarez: “Secili ka sjellë kulturën e tij në futbollin shqiptar”

 Ja si e njoh Brigelin dhe Bariçin

 – Shqipëria ka një trajner italian, Xhani De Biazin, ndërkohë që ju jeni një hungarez që drejtoni Lituaninë. Sa e vështirë apo argëtuese është të drejtosh një ekip kombëtar jo të kombësisë tënde?

 – Unë jam një trajner profesionist, kjo është puna ime. Ndihem shumë mirë në Lituani. Kjo është një punë që, të jep mundësinë të tregosh aftësinë dhe vlerat e tua. Sigurisht, nuk është njëlloj si të jesh trajneri i një skuadre klubi me të cilën punon çdo ditë. Unë jam trajneri i Lituanisë prej një viti dhe ndihem shumë mirë. Besoj se, kam bërë një punë të mirë. Lituania është një vend shumë i këndshëm. Më pëlqen të punoj atje. Shpresoj të bëj punë të mirë.

 – Shqipëria ka pasur në drejtim në dhjetë vitet e fundit, gjashtë trajnerë të huaj. A njihni ndonjë prej tyre?

 – Po, sigurisht. Mendoj se, gjermani Hans-Peter Brigel pati fat që drejtoi Shqipërinë, pasi kurrë më parë nuk kishte drejtuar ndonjë ekip Kombëtar. Fitoret e tij me Rusinë dhe Greqinë dhe bënë bujë në Europë. Oto Bariç është një emër i madh në futbollin europian, tepër pasionat dhe bëri shumë punë në Shqipëri. Holandezi Ari ishte një trajner bredharak, madje dhe në Kinë ka drejtuar, përveçse në Afrikë me Kamerunin. E njoh mirë atë. Tani keni në drejtim një italian. Është interesante, pasi të gjithë trajnerër sjellin një kulturë të tyre.

– Kjo nuk është hera e parë që, ju drejtoni një ekip kombëtar futbolli. Cilat janë eksperiencat e tua?

 – Unë kam qenë ndihmëstrajneri i Lotar Mateusit, kur ai drejtoi Hungarinë, në vitet 2004-2005. Më pas, drejtova Kombëtaren e Ugandës, një prej ekipeve më të mira në Afrikën Lindore. Unë jam trajneri i dytë i huaj në Lituani, pas portugezit Hoze Kuiseiro. Si lojtar kam luajtur në Hungari, Rumani, Gjermani. U largova nga futbolli në moshën 27-vjeçare, për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Si trajner, jam shpallur si trajneri i vitit në Hungari në sezonin 2003-2004 dhe në Skoci, në sezonin 2008-2009.

 LITUANIA

 Skuadra përfaqësuese e Lituanisë është themeluar në vitin 1923, kur dhe luajti ndeshjen e parë (humbi 5-0 me Estoninë). Në vitin 1940, Lituania u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Fitoi pavarësinë në vitin 1990 dhe luajti ndeshjen e parë si një komb i ri kundër Gjeorgjisë, më 27 maj 1990. Kombëtarja lituaneze i luan ndeshjet në stadiumin “Zhalgiris”, me një kapacitet prej 15.030 vendesh (“Qemal Stafa” numëron 16.045 vende të ulura). Trajneri i ekipit përfaqësues është rumuno-hungarezi Tcaba Lazlo, nga viti 2012. Ai është tekniku i dytë i huaj, pas portugezit Hoze Kuiseiro. Kapiteni i ekipit është sulmuesi 34-vjeçar Tomas Danilevecius, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës: 19 gola (një më shumë se Bogdani ynë, 18). Lituania, ashtu si Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë në finalet e një Europian apo Botërori. Ndeshja e fundit e Lituanisë barazimi 1-1 me Sllovakinë (zyrtare). Lituani ka grumbulluar katër pikë nga katër ndeshje e saj në fushatën kualifikuese të Botërorit (grupi Kampion i Lituanisë është Ekranas Panevezys. Lituania kë të regjistruara 65 klube futbolli me rreth 15 mijë lojtarë.