Intervista/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Partizanit dhe i Kombëtares, skaner futbollit shqiptar
Nga Agron Kaja

Nga Kategoria Superiore te Kategoria e Parë, në cilën prej tyre dalloni se ka më shumë rivalitet në të dy kahjet e renditjeve?
Rivaliteti ka qenë prezent që në fazat e para të dy këtyre kampionateve. Madje unë do të thoja se, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, janë tre skuadra pretendente për titull. Ndryshe është situata e skuadrave në vendet e fundit të renditjes.
Në Abissnet Superiore u luajtën ndeshjet e javës së 22-të, si i lexoni përfundimet e tyre?
Mendoj se rezultatet ishin në logjikën e tyre, duke përjashtuar fitoren e Bylisit në fushën e Laçit. Skuadra laçiane ka synime për Europën dhe kjo humbje e largon nga ky synim, ndërsa në ndeshjet e tjera, Tirana, Teuta dhe Partizani ishin më të sigurta.
Nga rezultatet e javës së 16-të në Kategorinë e Parë, cilin prej tyre e veçoni si më të paparashikuarin?
Në këtë kategori më shumë veçohet humbja e Dinamos, e cila gjithsesi e ruajti kreun e renditjes. Tre skuadra janë pretendentë në dy kahjet e renditjes: Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari për kreun, dhe Oriku, Turbina e Besëlidhja në fund.
“Futbollisti i Partizanit, Maget Gueje, ka shënuar “rekordin” në futbollin shqiptar (të paktën në 22 javët e luajtura). Në ndeshjen ndaj Erzenit ai u ndëshkua me karton të kuq pas 49 sekondave lojë. Një rast që nuk ka ndodhur në këto 22 javë.”

Çfarë problematikash evidentoi kjo javë e Superiores?
Nuk mund të themi shumë problematika, duke veçuar kartonin e kuq të Guaje të Partizanit, i cili u ndëshkua në minutën e 49-të të ndeshjes. Ndonjë vend për moviolë edhe mund të kishte, por ato janë zgjidhur gjatë 90 minutave të lojës.
Në ndeshjet e Kategorisë së Parë, kishte dukuri që duhen evidentuar në këtë bisedë?
Kjo është një kategori që prodhon edhe lojë, por ka edhe të veçanta. Çuditërisht në dy ditët që u luajtën ndeshjet e javës së 16-të, asnjë skuadër nuk paraqiti pretendime, për gjykimin apo kundërshtarin. Kjo më duket si një javë e ftohtë.
Në Superiore mungojnë skuadra të traditës si Dinamo, Flamurtari, Besa, Elbasani, Tomori apo Luftëtari, sa është “dobësuar” historia pa ato?
Nëse e trajtojmë këtë realitet në aspektin historik, duket se ka një boshllëk pa këto skuadra. Por mendoj se kjo mbetet nostalgjike, sepse duhet t’i referohemi realitetit që kanë kaluar këto skuadra. Jemi në ekonomi tregu edhe në futboll, ku financat dhe organizimet e dobëta nga bashkitë e kanë dobësuar futbollin në skuadrat e tyre.
Cilat skuadra i vendosni si pretendente për titullin kampion në Superiore, apo është shpejt për një parashikim?
Besoj se pranvera do ta evidentojë më qartë skuadrën më pretendentë për titullin. Deri tani pas javës së 22-të shfaqen tre skuadra: Tirana, Vllaznia dhe Partizani. Nëse në fazën e katërt nuk do kemi “xhonglime” me rezultatet, besoj se nga kjo treshe do të dalë skuadra kampione dhe ato që do të luajnë në Europë.
Mendoni se në futbollin shqiptar ka element, që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares?
Besoj se ka, madje shumë talente dalin nga skuadrat e ekipeve të të rinjve, apo edhe te skuadrat e niveleve të dyta. Por ato nuk gjejnë mundësitë reale që karriera e tyre të zhvillohet me sukses në vendin tonë. Duhet të kenë më shumë hapësira loje, ndaj teknikët janë skeptikë te talentet.
ABISSNET SUPERIORE
Rezultatet, java e 22-të
Datë 18 shkurt 2023
Laçi-Bylis 0-1
Teuta-Kukësi 1-0
Partizani-Erzeni 3-0
Datë 19 shkurt 2023
Kastrioti-Tirana 0-1
Egnatia-Vllaznia 0-0
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Tirana 22 40
2.Partizani 22 37
3.Vllaznia 22 35
4.Egnatia 22 31
5.Erzeni 22 31
7.Laçi 22 29
8.Teuta 22 28
9.Bylis 22 26
7.Kukësi 22 25
10.Kastrioti 22 20
Kategoria e parë
Kreu dhe fundi kanë veçuar pretendentët dhe inferiorët

Në Kategorinë e Parë të këtij sezoni (2022-2023) janë luajtur 112 ndeshje në 16 javë, ku nga 14 skuadra pjesëmarrëse, 12 prej tyre kanë luajtur edhe në Kategorinë Superiore, madje kanë dalë edhe Kampione. Nëse i referohemi situatës aktuale në tabelën e renditjes, shohim se janë pikërisht këto skuadra që komandojnë kreun, duke qenë kandidate kryesore për t’u ngjitur në Superiore. Kështu vazhdoi edhe java e 16-të me ndeshjet që nisën ditën e shtunë dhe u mbyllën të dielën. Edhe pse Dinamo humbi në Burrel, e mbajti kreun edhe këtë javë, ndërsa Skënderbeu e ngushtoi diferencën me 1 pikë. Flamurtari mori tri pikë me Turbinën, por mbetet në vendin e tretë, duke formuar kështu “tredhëmbëshin” që do të synojë ngjitjen në Superiore. Ndryshe ndodh me skuadrat që renditen në vendet e fundit të tabelës: Besëlidhja, Turbina dhe Oriku. Të trija po shkëputen nga skuadrat e mesit të renditjes, gjithmonë të rrezikuara. Mbeten edhe 70 ndeshje për t’u luajtur deri në mbyllje që kjo kategori të zbardhë verdiktet e sezonit.
Kategoria e parë
Rezultatet, java e 16-të
Datë 18 shkurt 2023
Flamurtari-Turbina 1-0
Tomori-Tërbuni 2-1
Besëlidhja-Lushnja 2-2
Datë 19 shkurt 2023
Luzi 2008-Korabi 1-0
Apolonia-Besa 0-0
Burreli-Dinamo 1-0
Skënderbeu-Oriku 4-1
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Dinamo 16 31
2.Skënderbeu 16 30
3.Flamurtari 16 29
4.Korabi 16 26
5.Besa 16 24
7.Luzi 2008 16 21
8.Tomorri 16 21
9.Burreli 16 21
6.Tërbuni 16 20
10.Apolonia 16 18
11.Lushnja 16 17
12.Oriku 16 15
13.Turbina 16 14
14.Besëlidhja 16 14
Koment/ Brenda dhe jashtë një reality shou me protagonist Luisin e “Vllaznisë”
“Big Brother Albania”, “pandemi” që ka “infektuar” edhe sportin!

Nga Agron KAJA
Për gati dy muaj, në ambientet publike, shoqërore e sportive në Shqipëri, është duke u artikuluar një kryefjalë e pazakontë: “Big Brother Albania 2”! Po, po, është shumë e vërtetë nëse shikon e dëgjon me kujdes bisedat që bëhen nga mosha e profesione të ndryshme, dhe jo vetëm. Një realitet shou që po lë si në hije edhe problematikat më reale që ka jeta e përditshme e këtyre rretheve shoqërore, kulturore dhe arsimore. Natyrisht që për këtë ndjeshmëri, televizioni Top-Channel vlerësohet si ekrani që meriton të jetë në pole position-in e medieve vizive në Shqipëri, pse jo edhe më gjerë. Sepse brenda misionit të tij, Shqipërinë po e largon paksa nga realiteti jetik. Jo vetëm kaq, por edhe ngjarjet e kronikës së zezë ky spektakël i ka minimizuar në oraret e shfaqjes së tij. Kjo është ndihma më e mirë emocionale e shpirtërore për këdo që kërkon të plotësojë ditën, javën e muajin me të tilla formate televizive. E këtu, brenda këtij “virusi-pandemik” duket se ka rënë preh edhe atmosfera sportive, duke veçuar futbollin, që s’ndjehet i përjashtuar nga ky reality shou.
Fenomeni “Big Brother Albania 2” i ka “infektuar” edhe sportet. Teksa qëndron në oborrin apo në kafen e Akademisë së Sporteve, grupe studentësh tregojnë për Luisin e Kiarën, për Oltën e “Maestron”, duke “harruar” mësimet e ditës!

Duke hyrë brenda kësaj ritmike për ta trajtuar me sportivitet e realitet, po cekim paksa atë çka po ndodh në këto dy muaj në shtëpinë e “Big Brother Albania 2” dhe efektet në jetën sociale të shoqërisë shqiptare. Kështu: Teksa qëndron në oborrin apo në kafen e Akademisë së Sporteve, grupe studentësh tregojnë për Luisin e Kiarën, për Oltën e “Maestron”, madje edhe duke e etiketuar njeri-tjetrin me emrat e tyre. “Ho mi se po më bon si Kiara ti, shumë naze paske…”, apo “Hej, o Luis o, prit mo një herë ti se na lodhe t’u u hedhun sa andej këtej këtu te fusha”. Pra fenomeni “Big Brother Albania 2” kësisoj i ka “infektuar” edhe sportet, dhe ky përfundim përforcohet kur shkon edhe më tej. Aty në dhomat e zhveshjes të një skuadre të kryeqytetit, ku futbollistët ironizojnë njëri-tjetrin duke thënë se po flasin si Luisi me Kiarën, apo edhe se flokët e tyre kanë marrë ngjyrën e “Mbretit” të këtij formati televiziv. Madje edhe para një ndeshjeje të kësaj fundjave në Superiore dhe në një tjetër të Kategorisë së Parë, këto bashkëbisedime dukeshin realisht kryefjalë. “… Kom gjithë natën pa gjumë plako, na myti Big Brother-i me atë Luisin dhe Kiarën që bon sikur nuk don…”. Ndërkohë që edhe gjatë ndeshjes nuk mungonin batuta, të tilla, si “Ec Luis o, gjuje të shkretën se po pret Kiara ta dërgosh topin ke rrjeta …”, një shprehje kjo e ardhur nga shkallët e stadiumit “Partizani”. Edhe në “Selman Stërmasi” dy javë më parë, këto batuta i lëshuan korçarët e dinamovitët, por ajo pe Korçe duhet thënë: “Po bjeri bre lalkë, ç’ma le këtë Luisin (Babacar i Dinamos) që t’ia futë topin në rrjetë Kiarës (pas golit që shënoi në minutën e 82-të)”.

E, përpos këtyre konstatimeve që tregojnë se si po ecën ritmika e jetës dhe aktiviteti në ambientet tona sportive në këtë fillim viti, krahasuar me një reality shou, ka edhe një domethënie tjetër. Çfarë konkretisht? Po, a mundet të thuhet se është papunësia e të rinjve dhe të rejave në përgjithësi faktori që po i zhyt në emocione të tilla? Ndoshta po. Dhe, të gjithë ata aktorë që bëhen faktorë në sport, ndoshta nuk e plotësojnë dot vehten me të tjera momente jetike dhe “Big Brother Albania 2” bëhet temë e ditës. Dhe jo vetëm të rinjtë, sportistë ose jo. Në këtë dimër pa pandemi, në një kafe apo në shetitje dëgjon edhe moshat e treta që flasin për këtë reality shou, dëgjon edhe fëmijë e adoleshentë që i referohen personazheve të Big Brother, duke treguar se një tjetër “pandemi” duhet kuruar deri në natën finale. Madje çdo të martë e të shtunë, nga ora 21:00 e deri në mesnatë në ora 01:00 që mbyllet spektakli, lëvizja e makinave është si me “pikatore” më e rrallë se në pikun e pandemisë së Covid 19.
Brenda dhe jashtë këtij reality shou me protagonist Luisin e “Vllaznisë”, duket se “Big Brother Albania” është kthyer si një “pandemi” që e ka “infektuar” edhe sportin!
2 muaj
Sportet e futbolli në veçanti, kanë dy muaj të dashuruar me “Big Brother Vip”
1 luk
Në skuadra ka futbollistë që i kanë lyer flokët si Luisi në “Big Brother Vip”
Formula 1/ Në fundjavë, testet e sezonit 2023 në Bahrein

Nga data 20 nëntor 2022, kur në Abhu Dabi të Arabisë Saudite u zhvillua gara e fundit e sezonit 2022 dhe Maks Vershtapen i Red Bull u shpall kampion, kanë kaluar 95 ditë. Për të gjitha skuderitë të Formula 1 që do të marrin pjesë në sezonin 2023, kjo hapësirë kohe ka shërbyer që të organizohen për sezonin 2023. Dhe do të jetë data 23 shkurt 2023 ajo që do të sjellë atmosferën e garave të para, ku 10 skuderi me 20 pilotë në përbërje do të testohen në tre seanca zyrtare me makinat e tyre në pistën Sakhir të Bahreinit, 5.412 kilometra e gjatë. Ndërsa një javë më pas, po në këtë pistë do të nisin garat e sezonit të ri, të cilat do të zhvillohen në 19 pista të 20 shteteve. Ato startojnë më 3 mars në Sakhir të Bahreinit dhe mbyllen në pistën e Abhu Dabi të Arabisë Saudite më 24 nëntor 2023.
Datat dhe orët e testimeve
Pista Sakhir- 5.412 Km
23 shkurt 08:00-17:30
24 shkurt 08:00-17:30
25 shkurt 08:00-17:30
Skuteritë dhe pilotët
Skuderia / Pilotët
Red Bull / Verstapen-Perez
Ferrari / Leklerk-Sainz
Mercedes / Rusell-Hamilton
Alpine / Okon-Gasli
McLaren / Piastri-Norris
Alfa Romeo / Botas-Zhou
Aston Martin / Strroll-Alonso
Haas Team / Magnusen-Hulkenberg
Alfa Tauri / De Vries-Tsunoda
Uilliams / Albon-Sargeant


















