Prof. Dr. Shezai Rrokaj: Gjuha jonë është identiteti ynë

206
Sigal

(Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare)

Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 1999 në përkujtim të protestave të studentëve të universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze për të mbrojtur gjuhën e tyre bengaleze si gjuhë zyrtare. Prej kësaj date vendet anëtare të OKB-së organizojnë tubime promovuese dhe ndërgjegjësuese të natyrave të ndryshme në mbrojtje të diversitetit gjuhësor e kulturor të gjuhës amtare si dhe të shumë gjuhësisë brenda shteteve. Jemi të mendimit se respektimi i të drejtave gjuhësore në tërësi dhe të marrëdhënieve me gjuhët e popullsive të tjera duhet të mbështetet në tre parime të rëndësishme: Së pari, parimi i të drejtës natyrore të qenies njerëzore sepse, para se gjuha të jetë një e drejtë ligjore ajo është një e drejtë natyrore. Ndërsa ligjet në një shoqëri i referohen qenies njerëzore, gjuha është vetëqenia e tij. Së dyti, është parimi i reciprocitetit ndëretnik në qasjen shteteve ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera. Së treti, është parimi demokratik që lidhet me emancipimin demokratik të shoqërive tona, ku gjuhët dhe kulturat nuk shihen në mënyrë diskriminuese, por si vlerë e shtuar dhe përfitim i ndërsjellë i shoqërive që integrohen. Jemi të mendimit se një reformë gjuhësore që harmonizon maksimalisht nevojën shtetërore me gjendjen shoqërore për komunikim të njësuar, si varietet i përzgjedhur brenda diversitetit shqipfolës, me prirjen natyrore individuale të folësit që shpërfaqet në përdorimin gjuhësor të sotëm dhe që verifikohet në gjendjen e korpusit gjuhësor kombëtar të shkuar dhe të folur, është teorikisht e përligjur dhe më pranë përvojave të sotme të reformave gjuhësore standardizuese (rasti i Gjermanisë). Për çështje të së ardhmes së standardit dhe të reformave që synohen të ndërmerren është po aq e nevojshme krijimi i vetëdijes shoqërore për mënjanimin e debatit të rëndomtë apo pasionet krahinoriste, sikundër në disa raste edhe largimi prej ‘kokëfortësisë’ mbi padobinë e një reforme gjuhësore si dhe kthimin i këtij debati në institucione akademike dhe brenda konceptit të një shoqërie demokratike për aksesin publik të mendimit të grupeve të interesit.

Ndaj, institucionalizimi i diskutimeve për çështje të standardit në gjithë arealin shqipfolës me eksertizë shkencore është mënyra e duhur për një reformë të pritshme në dekadat që vijnë, kurse ngasja për ta bërë shpejt e shpejt këtë reformë nuk është frytdhënëse, madje është edhe e dëmshme. Kushtet gjeopolitike sapo kanë ndryshuar në dobi të faktorëve gjuhësorë njësues. Shqiptarët lëvizin lirisht brenda truallit etnik dhe bashkë me ta perceptimet, vetëdija dhe nevoja e përditshme për një standard funksional mbidialektor, i cili garanton komunikimin në shtrirje të gjerë. Në këto kushte nevojitet të ndërmerren punë studimore edhe më të thelluara dhe me shtrirje më të madhe në arealin shqipfolës, të cilat do të ishin mbështetje për një reformë gjuhësore të pritshme. Ndër to do të veçoja nevojën për një fjalor dhe një gramatikë thesarë të gjuhës shqipe, që do të përmblidhnin gjendjen e sotme gjuhësore shqipe të arealit etnik. Kjo ide është e lidhur ngushtë me hartimin e korpusit kombëtar (të shkruar e gojor) të gjuhës së sotme shqipe, i cili do të japë një pamje të gjuhës në përdorim dhe mbi bazën e të cilit duhet të shihet reforma e re drejtshkrimore në dekadat e ardhme dhe veprat kodifikuese që do të dalin në vijim. Sakaq, ngritja e një këshilli kombëtar me kohë të plotë dhe me ekspertët më të mirë pranë ASA-as, sipas modeleve të disa vendeve, i cili duhet të merret vetëm me problemet e standardit, është e domosdoshme. Si dhe në mjaft vende të tjera, ky këshill duhet të marrë përsipër problematikat e zhvillimit e të respektimit të standardit, të këshillimit të enteve publike e private, të ndjekjes së ecurisë së standardit mbi bazën e përditësimit të korpusit të gjuhës shqipe etj… Në përfundim mund të themi se gjuha e kombit është vetë ashti e shpirti i tij, është vetë identiteti i qenësisë së tij, është tradita ku mbruhet kujtesa, mbi të cilën ngrihet kultura, e cila shndërrohet në vetëdije, e prej këndej në tingull e shkronjë, pra në komunikimin njerëzor.