Flet për “Telegraf” Altin Rraklli: Në “Uembli” mos dëmtohemi në rezultat, nuk është emocion

88
Sigal

BOTËRORI 2026/ Kuqezinjtë e nisin nga Anglia, anjë fitore në 6 ndeshje. Flet për “Telegraf” Altin Rraklli, shënuesi i golit të vetëm shqiptar ndaj “Tre luanëve” 24 vite më parë.

Agron KAJA

Golin e vetëm në 6 përballjet Shqipëri-Angli, e ka shënuar Altin Rraklli në minutën e 90-të. Ndeshja u luajt në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” më 28 mars 2001, të cilën anglezët fituan 1-3 

Nga Gjermania ku jetoni, sa larg, apo afër Kombëtares është Altin Rraklli?

Gjithmonë unë jam në ndjekje të Kombëtares, kudo ku ajo luan. Brënda mundësive shkoj, do ta ndjek edhe jashtë Shqipërisë, por në Angli e kam të pa mundur që të jem fizikisht. Do ta ndjek me emocion nga ekrani i televizorit.

Shqipëria bën pjesë në Grupin K kualifikues për “Botërori 2026”, si e shikoni Kombëtaren tonë në këtë grup?

Grupi është shumë i fortë në letër. Nuk kishim fat në short se mund të kishim ekipe jo “tabu”. Por sot luhet futboll nga të gjitha skuadrat, dhe është e vështirë për të gjitha që përballemi. Kemi shkuar dy herë në Europian, kjo është më e thjeshtë, pasi kemi vlera në rritje si skuadër, ka status tjetër tani, si e barabartë.

Të shtunën Silvinjo e shpalli listën Anti-Angli me disa mungesa të rëndësishme, si e komentoni?

Çdo mungesë në skuadrën tonë është e rëndësishme, sidomos për ata që kanë qënë titullarë. Mbi të gjithë, nga këto mungesa më vështirë për ta zëvendësuar Marjo Mitaj. Do jetë një mungesë e madhe për ne, është një forcë e rëndësishme.

Po mungesat e tjera do kenë ndikim në lojën e skuadrës sonë, kryesisht me Anglinë?

Nuk mund të presim nga Broja për Anglinë, edhe Daku mungesë e rëndësishme është për sulmin. Por ne kemi lojtarë të tjerë, që kanë potenciale dhe nëse unë do isha trajner, do luaja në presing të lartë e lojë sulmuese. Se ne jemi të përgatitur për humbjen dhe ta sulmojmë Anglinë, jo ta presim.

Jeni futbollisti i vetëm shqiptar që i keni shënuar Anglisë në gjashtë ndeshjet e luajtura, si e kujton atë gol?

Unë hyra në lojë në minutën e 85-të pas dëmtimit të Fatmir Vatës. Ndeshja ishte 0-2 për Anglinë dhe fati ishte në favorin tim dhe të skuadrës me atë gol. Ndërsa goli i dytë që m’u anullua e prishi entuziazmin, ai anësori që e anulloi ishte një delirant nga Luksemburgu!

Mendoni ndonjë futbollist të Kombëtares se mund ta thyejë këtë “rekord” tuajin 24 vjeçar?

Janë të gjitha mundësitë sot që të shënohet gol ndaj Anglisë. Ne në kohën tonë i shikonim shumë lart skuadra të tilla, edhe pse kishim përbërje shumë të mirë. Kur i shënuam atëhere, pse mos të shënohet edhe të premten në Londër? Mundësitë janë.

Si e mendon Shqipërinë në dy ndeshjet e para në grup?

Ekipet si Andorra nuk duhet t’i diskutojmë, por së pari duhet që të heqim ndeshjen me Anglinë. Sikur edhe 1 pikë, pastaj bëhet edhe më e lehtë. Në rast humbje, skuadra mund të jetë e rënduar psikologjikisht dhe do ta vështirësojë edhe ndeshjen me Andorrën. Dy ndeshjet e para janë shumë të rëndësishme, në Angli mos dëmtohemi në rezultat e psikologji.

Cilën ndeshje e mendoni më të vështirë, në transfertë dhe në Tiranë?

Në të gjitha kompeticionet e këtij formati, Botëror apo Europian, ndeshja e radhës është e vështirë, me cilindo kundërshtar që do të luhet. Kështu edhe në këtë rast, përgjigja ime është se me Anglinë do jetë ndeshja më e vështirë. Duhet t’i përgatitim shumë mirë ndeshjet, se janë shumë të ndryshme.

Ku mund të shkojë Shqipëria me këta kundërshtarë që do ketë në këto ndeshje kualifikuese?

Uroj që Shqipëria të ndryshojë më shumë mënyrën e lojës në raport me kundërshtarët, sepse të gjithë tashmë e kanë lexuar. Të bëjmë diçka ndryshe që të kemi një shans për kualifikimin tonë në Botëror. Duhet që të luftojmë për vëndin e dytë në grup, asgjë nuk është e pamundur.

Për objektivin me Anglinë, Silvinjo u shpreh të shtunën se e ka ëndërr kualifikimin në Botëror, është emocionale kjo?

Jo, nuk është emocion. Çdo trajner e përgatit skuadrën për fitore në ndeshjen e radhës, edhe pse ai e ka të qartë se çfarë kundërshtari kemi. E përmënda më sipër, sikur një barazim në Angli, Kombëtarja jonë do jetë e dyta në Grupin K dhe e kualifikuar.

 

LOJTARËT E GRUMBULLUAR

Portierë: Tomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Simon Simoni. Mbrojtës: Ivan Balliu, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj. Mesfushorë: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Etnik Brruti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha. Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rei Manaj. Trajner: Silvinjo Mendes Campos Junior

FORMACIONI  I MUNDSHËM

Shqipëria: 1-5-2-2-1

 

                      Strakosha

 

Ismajli          Gjimshiti          Kukbulla

       Balliu                                           Aliji    

 

      Asllani                  Ramadani

Asani                                      Bajrami

 

                      Manaj

 

Trajner: Silvinjo

 

“Botërori 2026”

Kualifikueset-Grupi K

Skuadrat        Nd       P

1.Anglia                      0          0

2.Andorra                    0          0

3.Letonia                     0          0

4.Serbia                       0          0

5.Shqipëria      0          0

Ndeshjet-Shqipëria

Datë 21 mars 2025

Angli-Shqipëri                         20:45

Datë 24 mars 2025

Shqipëri-Andorrë        20:45

Datë 7 qershor 2025

Shqipëri-Serbi             20:45

Datë 10 qershor 2025

Letoni-Shqipëri                       20:45

Datë 9 shtator 2025

Shqipëri-Letoni                       20:45

Datë 11 tetor 2025

Serbi-Shqipëri             20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorrë-Shqipëri        20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                         20:45

 

HISTORIA

Ndeshjet me Anglinë

Datë 8 mars 1989

Kualikuese Botërori

Shqipëri-Angli             0-2

Datë 28 prill 1989

Kualikuese Botërori

Angli-Shqipëri             5-0

Datë 28 mars 2001

Kualikuese Botërori

Shqipëri-Angli             1-3

Datë 5 shtator 2001

Kualikuese Botërori

Angli-Shqipëri             2-0

Datë 28 mars 2021

Kualikuese Botërori

Shqipëri-Angli             0-2

Datë 12 nëntor 2021

Kualikuese Botërori

Angli-Shqipëri             5-0

Bilanci në 6 ndeshje

F 0, B 0, H 6, G 1-19

 

Silvinjo me rregulla të forta, si në grumbullim kazerme

Nisur nga dita e hënë, të gjithë të grumbulluarit e trajnerit Silvinjo, veç përgatitjeve anti-Angli, do të kenë edhe një rregjim të fortë sportiv. Dje, gazeta “Telegraf” ka qënë pranë hotelit te Kulla e stadiumit “Arena Kombëtare”, ku edhe është akomoduar Kombëtarja jonë. Dukej qartë se Silvinjo e ka marrë shumë seriozisht nisjen e ndeshjeve kualifikuese të “Botërori 2026”, i cili ka si synim kualifikimin. Kështu, lojtarëve të Kombëtares iu është vendosur një rregullore për këto ditë qëndrimi në Tiranë, ku nuk do të ketë takime apo kafe gjatë grumbullimit siç ndodhte më parë. Ndryshimi tjetër është në pjesën e akomodimit, pasi lojtarët janë vendosur në një vend tjetër dhe jo te hoteli që kanë qëndruar deri tani.