Fatos Muço: “Si e kam njohur Geri Kasparovin!”

1319
Sigal

Trajneri i Ekipit Kombëtar të Shahut: “Shahu është art dhe shkencë”

Mjeshtri Ndërkombëtar, Fatos Muço, trajner i Ekipit Kombëtar të Shahut, e vlerësoi për gazetën “Telegraf” si historike vizitën e ish-Kampionit të Botës në shah, Geri Kasparovit, duke theksuar është pa diskutim një nga më të mëdhenjtë e historisë botërore. “Kasparovi nuk vlerësohet vetëm për faktin se ka qenë një Kampion Bote, por ai ka dhënë një kontribut të çmuar me studimet dhe analizat të tij shkencore për zhvillimin e shahut. I ka dhënë shumë botës shahistike, si në aspektin praktik dhe analitik”, -tha ai. Fatos Muço ka fituar 11 herë titullin kampion kombëtar në shah në vitet 1974, 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989. Ish-shahisti i Lokomotivës, i cili ka stërvitur Mjeshtrin e vetëm të Madh të Shqipërisë, Erald Dervishin, ka pasur fatin ta njohë Kasparovin gjatë Olimpiadës së Maltës, në vitin 1982, kur ai ishte vetëm 17 vjeç dhe bënte pjesë në ekipin Kombëtar të ish-Bashkimit Sovjetik. Mjeshtri Ndërkombëtar shqiptar vlerësoi futjen e kurrikulës së shahut në shkollë. “Ne kemi traditë dhe kemi njerëzit e specialistët e duhur dhe nëpërmjet masivitetit, unë besoj se do të dalë një cilësi shumë e madhe, pasi do të spikaten individë të veçantë dhe të talentuar”.

 – Zoti Muço, si do ta vlerësonit vizitën në Shqipëri të ish-Kampionit të Botës në shah, legjendës Geri Kasparov?

– Jo vetëm unë, por i gjithi opinionin shahistik shqiptar dhe më gjerë e konsideron si një ngjarje të madhe, aq më tepër për vetë historinë e shahut tonë. Shqipëria ka pasur rezultate shumë të larta në arenën Europiane dhe atë Botërore dhe breza të tërë shahistësh shqiptarë kanë shkëlqyer për shumë vite, nëpër Olimpiada, Kampionate Europiane apo Ballkanike. Mendoj se, është një ngjarje shumë e madhe. Është një hop shumë cilësor. Duhet falënderuar Qeveria Shqiptare, e cila u tregua shumë e gatshme. Ne kemi pasur edhe më parë premtime, por që asnjëherë nuk u morën seriozisht. Unë dëshiroj që, kjo të jetë një hop i ri cilësor në shahun tonë. Do të doja të falënderoja dy ministret, Nikolla dhe Harito dhe në mënyrë të veçantë Kryeministrin Edi Rama, i cili është iniciatori i këtij programi që i shërben të rinjve.

– Kasparov konsiderohet si një nga korifenjtë e mendimit shahistik botëror. Për të kjo është vizita e tij e parë në vendin tonë…

– Të gjithë e dimë, se nuk kemi pasur mundësi që jo vetëm të komunikonim, por as t’i shikonim korifenjtë e mëdhenj të niveleve botërore. Sistemi ishte i tillë që, ne nuk mund të kishim asnjë kontakt që brezat të tërë të takoheshin me emrat e mëdhenj. Është fat, që ai erdhi këtu.

– Si do ta vlerësonit Kasparovin?

– Ai është pa diskutim një nga më të mëdhenjtë e historisë botërore dhe, ndoshta pak milimetra ndryshim, sipas mendimi tim personal, pas Bobo Fisherit, të cilin e vlerësoj si më të madhin e të gjitha kohërave. Gjithsesi, Kasparovi nuk vlerësohet vetëm për faktin se ka qenë një Kampion Bote, por ai ka dhënë një kontribut të çmuar me studimet dhe analizat të tij shkencore për zhvillimin e shahut. I ka dhënë shumë botës shahistike, si në aspektin praktik dhe analitik.

– Ju jeni Mjeshtri i parë Ndërkombëtar shqiptar, duke marrë pjesë në disa Olimpiada Botërore. A keni pasur fatin ta shikonit Kasparovin duke luajtur?

– Të falënderoj për pyetjen. Po, e kam parë Kasparovin duke luajtur. Në Olimpiadën e vitit 1980 në Maltë, për herë të parë unë e kam parë Kasparovin kur ai ishte vetëm 17 vjeç dhe ishte pjesë e Kombëtares së ish-Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik ishte ekipi më i mirë në botë, ishte kampion bote dhe të ishe pjesë e ekipit Kombëtar ishte diçka e jashtëzakonshme, pasi ai përbëhej nga kampionë të mëdhenj. Gjatë gjithë Olimpiadës, Geri Kasparovi bëri një përshtypje shumë të madhe, duke u futur në rrugën që e bëri më pas një nga kampionët më të mëdhenj të botës. Të gjithë në Olimpiadë mendonin se, Kasparovi do të ishte shumë shpejt kampion bote. Dhe në fakt, ai doli shumë shpejt Kampion Bote duke qenë shumë vjet i tillë.

– Kampioni i Botës, Sven Magnus Karles, është vetëm 23 vjeç. A është formuar ai përmes programeve të tilla të shahut në shkolla?

– Kampioni norvegjez është një produkt të tillë. Ai është tepër i talentuar dhe ka punuar shumë edhe me Geri Kasparovin. Karlsen ka punuar me profesorët e Botës, për të arritur atë stad ku është tani, duke qenë numri 1 i Botës dhe pasur koefiecinetin më të lartë Elo.

– Cilat janë marrëdhëniet e Shqipërisë me Federatën Botërore të Shahut?

– Janë të shkëlqyera, si me Presidentin aktual Kirsan Ilyuzhminov, ashtu edhe me Geri Kasparovin, i cili është një nga kandidatët. Shqipëria ka një traditë ndërkombëtare, ne dolëm në vendin e 57-të nga 148 vende që morën pjesën në Olimpiadën e fundit. Ende mbahemi dhe jemi dinjitozë në arenën ndërkombëtare. Mendoj sesi do të shkojnë zgjedhjet dhe kushdo të që të fitojë, Shqipëria do të ruajë po atë nivel të mirë marrëdhëniesh.

– Zoti Muço, Shqipëria ka lënë gjurmët e saj në arenën ndërkombëtare. A kemi tani talente nga gjenerata e re?

– Mendoj se, brezi ynë, pra i gjeneratës sime ka bërë detyrat e tij duke arritur shumë në arenën ndërkombëtare. Ka pasur breza të të shkëlqyer shahistësh, duke arritur deri tek unë si Mjeshtër Ndërkombëtar apo tek Eraldi si Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar. Mendoj se, ne do të bëjmë një hap shumë të madh cilësore dhe jam i bindur për këtë, në rast se kjo iniciativë e marrë sot do të realizohen. Nga një masivitet shumë i madh, do të nxjerrim pa dyshim talente. Rivaliteti dhe konkurrenca në vend, pa diskutim do të ndihmojë që të nxjerrim kampionë të rinj.

– Shahu vlerësohet si sporti i mendjes…

Shahu është dhe sport, por është dhe shkencë. Sa më masiv të bëhet, jo vetëm që ndihmon brezat. Fëmijët tani kanë mundësi që përmes internetit, por dhe të një literature të bollshme që ekziston, të kenë kontakte dhe të marrin në ture dhe aktivitete shahistike. Programet, por dhe gjithçka tjetër që bota e qytetëruar i ka aplikuar në të gjitha vendet e Europës dhe të Botës, dhe që ne jemi përpjekur shumë që ne t’i fusim dhe t’i aplikojmë në vendin tonë, tani do ta kemi këtë mundësi.

– Shahu ka një traditë të mirë në Shqipëri. A besoni se futja e tij në kurrikulat e shkollës do të japë rezultatet e pritshme?

– Ne kemi traditë dhe kemi njerëzit e specialistët e duhur, dhe nëpërmjet masivitetit, unë besoj se do të dalë një cilësi shumë e madhe, pasi do të spikaten individë të veçantë dhe të talentuar. Nisur edhe nga fakti që, është një sport që nuk kërkon investime të mëdha, mendoj që, do të jemi shumë të suksesshëm dhe do të ruajmë ato tradita që kemi pasur, apo ndoshta mund të arrijmë edhe shumë më lart.

– Ju jeni trajner i ekipit Kombëtar të shahut. Cila është strategjia e Federatës Shqiptare të Shahut për përhapjen e shahut në shkollë?

– Ne si Federatë, kemi nisur prej kohësh përpjekjet tona, duke kontaktuar me Federatën Botërore të Shahut. Edhe Bashkimi Europian ka rekomanduar që, shahu duhet futur me patjetër në shkollë. Shumë vende si Armenia, ashtu siç e theksoi edhe Geri Kasparovi, e kanë futur plotësisht në çdo shkollë, por ka dhe shtete si Polonia që e ka futur në rreth 500 shkolla. Edhe në vendin tonë do ta aplikojmë dhe do ta fusim si projekt pilot në disa shkolla. Më pas, nëpërmjet programeve të unifikuara që gjenden në Federatën Botërore të Shahut dhe janë që të gjitha të standardizuara. Metodikat dhe programet ekzistojnë, tani do të shihet vetëm sesi ato do të përfshihen në shkollat tona.

– Ju jeni një njohës i mirë i shahut shqiptar. A kemi shkëndija të shahistëve të talentuar?

– Ka shkëndija, por puna nuk është nivel që t’u shërbejë atyre. Lëvizja shahistike është në një moment kritik dhe jemi në fazën kur duhet të organizojmë akademitë në qytetet kryesore dhe në disa shkolla pilot. Gjithsesi, kemi dhe probleme të infrastrukturës. Ne akoma nuk kemi një sallë, diku në qendër të Tiranës, që të jetë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, të jetë e pajisur me bibliotekë, kompjutera dhe të tjerë aksesorë. Nëse do të kemi mbështetjen e Qeverisë dhe të bashkive, mendoj se do t’i realizojmë shumë shpejt. Unë jam i përfshirë personalisht, në këtë iniciativë si trajner i Ekipit Kombëtar, ashtu sikundër edhe Erald Dervishi, i cili do të jetë drejtori i Akademisë që duam të krijojmë.

 Dervishi: “Teknologji me anë të kompjuterit”

 Erald Dervishi, Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar i Shahut), i përcolli mirënjohjen zotit Kasparov për vizitën e tij në Tiranë. “Është një nder për Komitetin  Olimpik të Shahut shqiptar t’ju ketë këtu. Ardhja juaj këtu ishte dhe një nga qëllimet për të cilin federata është përpjekur gjatë këtyre viteve, atë të implementimit të shahut në shkollë. Mënyra teknologjike me anë të kompjuterit është edhe më e rëndësishme. Dua të falënderojë gjithashtu qeverinë shqiptare dhe zonjat ministre për mbështetjen e këtij projekti”.

 Rozana Gjergji: “Shahu të bën më produktiv”

 Shahistja e njohur shqiptare, Rozana Gjergji, pjesëmarrëse në shumë turne ndërkombëtarë, është një nga ato që e ka shfaqur talentin e saj qysh fëmijë. “Nëse shahu do të arrijë të bëhet pjesë e programit edukativ ju siguroj se do të jetë një fitore për edukimin në përgjithësi, për arsimin në përgjithësi, pasi është e vërtetuar që dikush që merret me shah është më produktiv dhe më rezultativ në mësime”, u shpreh kampionia e shahut Rozana Gjergji, për të cilën është realizuar, edhe filmi i njohur “Dy herë mat”.