Kasparov: “Keni fëmijë të talentuar”

666
Sigal

Shefi i Qeverisë shqiptare vlerësuar projektin pilot si një hap më shumë drejt progresit

 Kryeministri Rama: “Shahu, një investim i rëndësishëm”

Në kuadër të programit inovativ “Sporti në Shkolla”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me legjendën e botës së shahut Geri Kasparov, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë për Inovacionit dhe Administratën Publike. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri të ftuar ishin edhe të rinj e të reja, nxënës, sportdashës të shahut, mes të cilëve edhe ish kampionë shqiptarë të këtij sporti. Dy ministri, ajo e Inovacionit dhe e Arsimit, së shpejti do të ndërmarrin nismën për përfshirjen e sportit të shahut në kurrikulat mësimore, program i cili do të hyjë fillimisht si një projekt pilot në 10 shkolla të vendit. Kryeministri Edi Rama theksoi përkushtimin e qeverisë për të vënë në dispozicion të këtij programi inovativ gjithë kapacitetin e mundshëm material dhe njerëzor. Kryeministri, duke vlerësuar projektin pilot si një hap më shumë drejt progresit, vlerësoi se përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejtë në rritjen  e kapacitetit të kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Duke shprehur kënaqësinë për kontributin e një figure të mirënjohur si Kasparov në këtë program, kryeministri theksoi se, ky është një investim i domosdoshëm për dijen dhe mirëqenien. “Ne jemi shumë të interesuar që ta zhvillojmë këtë projekt. Ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim në dispozicion të këtij programi të ri dhe inovativ gjithë kapacitetin tonë të mundshëm material dhe njerëzor, duke filluar me një numër modest shkollash, 10 të tilla, por me ambicien që ta zhvillojmë me shumë më tepër shpejtësi. Sepse, ne besojmë që përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejt në rritjen  e kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Duke pasur dhe një mjeshtër legjendar që na mbështet dhe na inkurajon, në radhë të parë me dijet e tij në këtë projekt të rëndësishëm, ne ndihemi më të sigurt sepse tek  e fundit fare, unë dua të ndaj me ju një bindje. Vendet  e pasura dhe ato më të pasura, nuk dallohen nga çfarë pasurie iu ka dhënë Zoti apo natyra, por nga sa dinë. Kush di më shumë ka më shumë, e kush di më pak, ka më pak. Sot, kush investon më shumë në dije, investon më shumë në mirëqenie, nesër. Kështu që, ky është një investim në dije, është dhe një investim në mirëqenie. Prandaj dhe për ne është një investim shumë i rëndësishëm, pikërisht për të bërë të mundur atë që fëmijët që të vegjël të fillojnë të mendojnë para atij ekranit, si e tha Mjeshtri, jo vetëm mbi bazë numrash, por në bazë strategjish.

“Nga ana e tij, ish- kampioni i botës në shah Kasparov, duke vlerësuar këtë nismë të qeverisë shqiptare u shpreh se sporti i shahut është një instrument i përsosur në përgatitjen e brezit të ri për sfidat e arsimit modern. Në përfundim të këtij takimi ish kampioni botëror Geri Kasparov i shahut i dhuroi Kryeministrit Rama librin e tij me një dedikim”.

Ish-Kampioni i Botës flet për “Telegraf”, pas simultanes me dhjetë shahistë shqiptarë

Legjenda e shahut botëror zhvilloi një simultane në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi” me 10 shahistë të vegjël, katër vajza dhe gjashtë djem të moshës 9-11 vjeç, anëtarë të Akademisë së Shahut, që stërvitet nga trajneri Shkëlqim Çela. Simultaneja zgjati rreth 20 minuta. Duke folur ekskluzivisht, për gazetën “Telegraf”, Kasparov i cilësoi si të talentuar disa nga fëmijët që ai u ndesh, të cilët i rikujtuan kohën kur ai ishte një djalosh i vogël. Kasparov e nisi kontaktin e parë serioz me shahun, kur ai ishte vetëm shtatë vjeç, për t’u bërë më pas Kampioni i Botës më i ri në moshë në kohën e tij. Legjenda Kasparov foli edhe për strategjinë e tij kur luante shah, por dhe për humbjen që ai pati me kompjuterin. Kasparov, i cili është edhe kampioni më i ri në moshë, kur mundi në moshën 22 vjeç Anatoli Karpov, atëherë kampion në fuqi i botës, do të organizojë edhe një simultane shahu me fëmijë të Akademisë së Shahut pranë ambienteve të Shkollës. Kasparov mban rekordin për fitoret rresht në turnetë ndërkombëtare profesionalë, 15 të tilla, si dhe ato të “Oskarëve të Shahut”, me 11. Kasparov është tërhequr nga shahu i luajtur në vitin 2005, ndërkohë që ai është tani një politikan aktiv në Rusi.

 – Zoti Kasparov, sapo përfunduar simultanenë me dhjetë fëmijë shqiptarë. Me çfarë përshtypje e mbyllët atë?

– Me të vërtetë ndjeva kënaqësi të madhe, edhe pse behët fjalë vetëm për fëmijë, që ishin në hapat e parë të mësimi të shahut.

– Cili është gjykimi juaj dhjetë ndeshjet e zhvilluara, a u vendosi ndonjëri në vështirësi?

– Në fakt, është kënaqësi e madhe të shohësh, fëmijë që përpiqen të tregojnë aftësitë e tyre. Kuptohet, që nuk mund të gjykoj atë, pasi bëhet fjalë për vetëm ndeshje.

– A patë ndonjë të ri të talentuar?

– Unë luajta vetëm një ndeshje, shumë të shkurtër, por megjithatë si një njohës i mirë, mund të them se pashë diçka, tek ata. Me të vërtetë

– A keni luajtur shumë simultane të tilla me fëmijë?

– Sigurisht, unë kam luajtur një numër të madh në shumë vend të botës. Sigurisht, që më ka pëlqyer shumë të luaj me fëmijë dhe më ka gëzuar gjithmonë fakti sesi i shijojnë ata ato ndeshje.

– Përfshirja e shahu në shkolla, duket një ide e shkëlqyer…

– Ka qenë një nga ëndrrat e mia që të shikoja shahun si pjesë e programit shkollor. Unë e kam promovuar atë aktivisht në botë.

Duke filluar në Nju York e më pas hapa një tjetër në Bruksel për Europën, në Johanesburg për Afrikën, në Singapor për Azinë dhe në Meksiko Siti do të hapet shumë shpejt.

– Si ju duk pritja në Shqipëri?

– Udhëtoj nëpër botë për të bërë të munduar që vendet të binden për të hapur këtë lojë dhe gëzohem shumë që shoh kaq entuziazëm në Shqipëri.

– Kjo është hera e parë që ju vini në vendin tonë. A do të vini sërish?

– Ky është udhëtimi im i parë në Shqipëri, por do të ketë edhe të tjerë për të promovuar këtë koncept. Ne filluam bashkëpunimin tonë. Shkollat pilot do të fillojnë në shtator dhe unë do të isha shumë i gëzuar të vija këtu të prisja shiritin.

– Cila ka qenë strategjia që keni përdorur më shumë?

– Ajo që do të më jepte rezultatin më të mirë. Deri në kohën kur unë jam larguar nga shahu i luajtur (2005), unë mësoja dhe zhvilloja strategji të reja.

– Sipas jush, çfarë rrugë duhet të ndjekë një shahist i ri për të qenë i suksesshëm?

– Ajo që unë them gjatë konferencave, në shoqata shahu, biznesmenë, është ta fillojnë me gjëra të thjeshta. Ndonjëherë zgjedhjet më të thjeshta të japin më shumë mundësi të fitosh.

– Cila ka qenë sfida më e madhe juaja?

– Në fakt, ndonjëherë ka qenë vetja ime. Kanë kaluar nëntë vjet që kur e kam lënë shahun dhe nuk marr pjesë në turne, por gjithsesi, edhe kur luaj tani më qejf shahu vazhdon të më japë kënaqësi.

– Çfarë ndjetë kur humbët në ndeshjen kundër kompjuterit?

– E vërteta është se u ndjeva shumë keq. Ishte e dhimbshme, por e kalova.

– Cilat kanë qenë figurat e lojës së shahut më të preferuar për të luajtur?

– Ai që ka pasur vlerën më të mirë të momentit. Duhet t’i trajtosh të gjitha gurët e shahut si instrumente për të fituar lojën. Duhet të investosh në mënyrën më të zgjuar për të fituar ndeshjen.

Busti i Nenë Terezës

 Ministrja Lindita Nikolli i dhuroi Geri Kasparovit një bust të vogël të Nënë Terezës të larë në argjend. Ish-kampioni i botës e pranoi me kënaqësi dhuratën që simbolizon shqiptarët kudo në botë, fituesen e Çmimit Nobel për Paqen.

Ministria Nikolla: “Projekt pilot në dhjetë shkolla”

 Me ftesë të Qeverisë shqiptare, nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën publike, ka mbërritur dje në Tiranë Mjeshtri i Madh i Shahut botëror, ish-kampioni i botës, z. Geri Kasparov. Në kuadër të programit “Sporti në shkolla”, z. Kasparov i shoqëruar nga ministrja Nikolla dhe ministrja Harito, si dhe Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar i Shahut, z. Erald Dervishi, prezantuan në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” programin dhe kurrikulën e sportit të shahut nëpërmjet metodës kompjuterike me bazë përdorimin e teknologjisë moderne. Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj.Lindita Nikolla, tha se ajo ndihej e nderuar të mirëpriste një kampion të madh dhe një mik të madh të shkollës në fakt, siç është z. Geri Kasparov. “Si mik i madh i shkollës ai ka ardhur në Shqipëri për të mundësuar edhe në shkollën shqiptare gjithë përfitimet që ne mund të marrim nga kjo lojë të cilën  shumë njerëz e kanë quajtur sportin e mendjes, siç është loja e shahut. Unë do doja t’ju falënderoja për ndihmën e vyer që po ofroni që përmes qëndrimeve dhe shprehive që kjo lojë ofron të mundësojmë për këta fëmijë, falë teknologjisë edhe një mënyrë të re të zhvillimit të kompetencave. Sepse është shumë e rëndësishme të themi që përmes adresimit të kurrikulave të tilla, të reja, këta fëmijë do të kenë mundësi fare natyrshëm në moshë shumë të vogël të formësojnë shprehi dhe koncepte të tilla që lidhen më mendimin kritik, me konkurrencën dhe gjithë shprehitë pozitive të konkurrencës, me mënyrën eficente të zgjidhjes së problemeve, si dhe shumë shprehi të tjera që loja e shahut edhe përmes zbavitjes dhe kreativitetit u ofron për të qenë pjesë e formësimit të tyre”, – tha ajo. Ministrja Nikolla theksoi edhe faktin, që fëmijë të pasionuar pas lojë së shahut të njihen nga afër me Kasperovin, i cili e ka filluar shahun në një moshë të hershme duke u bërë dhe kampioni më i ri në botë, në moshën 22 vjeç. “Besoj se të gjithë ne në Shqipëri, do të kemi mundësi që të kemi në dorë edhe librin tuaj, sesi jeta imiton dorën e shahut. Ky libër i përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, do të ketë fatin të përkthehet edhe në gjuhën shqipe në mënyrë që ne të shohim më nga afër përfitimet që ka pjesëmarrja në një sport të tillë të mendjes. Do të bëjmë maksimumin që këto lojëra të jenë pjesë e formimit të fëmijëve. Do të fillojmë në 10 shkolla të para për të vijuar më pas në gjithë shkollat e Shqipërisë që funksionojnë si shkolla qendra komunitare”, – theksoi ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolli.

 Ministrja Harito: “Program modernizues”

 Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito, tha se Qeveria shqiptare ka një program shumë të gjerë modernizimi të së gjithë kurrikulave arsimore edhe nëpërmjet teknologjisë. “Falë gjithë këtij programi modernizimi, i cili synon të sjellë inovacion dhe progres në shkollat tona, do të futen kurrikula shumë më të sofistikuara për IT-në, Informatikën qysh në moshë shumë të hershme në gjithë ciklin parauniversitar. Kjo është pjesë e programit të madh të pajisjes me tableta dhe kurrikula e-learning në të gjithë shkollat, kryesisht në ato të mesme, por edhe me kurrikula të veçanta në shkollat 9-vjeçare. Ne patëm rastin, sot të bëjmë tentativën e parë të këtij programi , i cili është bërë i mundur falë Fondacionit “Kasparov”, me disa fëmijë ku ata tentuan të luajnë on-line. Këtë program do të kenë mundësi ta bëjnë si fillim shkollat pilot dhe më pas shkollat e tjera. Ajo që doja të theksoja është që ata të cilët do të jenë më të mirët prej jush dhe më të zotët, do të kenë mundësinë të luajnë me fëmijë të moshës suaj në të gjithë botën nëpërmjet kësaj platforme dhe kështu do të keni mundësinë të provoni vetën tuaj me bashkëmoshatarët tuaj nga e gjithë bota”, – tha ministrja Harito.