INTERVISTA/ Nga Hungaria, flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i të kuqve dhe i Kombëtares, Eneo Bitri
Nga Agron KAJA
Bitri, gazeta “Telegraf” ju uron për ecurinë tuaj në Hungari te skuadra e Gyor, goli që shënuat këtë javë e kishte një dedikim?
Ju faleminderit ju dhe gazetës “Telegraf” që na kujtoni. Unë këtë javë shënova një nga golat e fitore me Zaleegerzegin, dhe për të kam tre dedikime: Familjes sime, Partizanit dhe Tomorit të Beratit. Ishte një fitore shumë e vlefshme në transfertë.
Si është situata juaj te skuadra e Gyor në kampionatin hungarez, akomodimi, qëndrimi dhe marrëdhëniet?
Këtu çdo gjë është në standarde shumë të larta si infrastrukturë, ndërkohë që drejtuesit e kolegët në skuadër janë shumë miqësorë. Së bashku me mua në këtë skuadër është edhe Albion Marku, edhe ai një ish-partizanas, që luan me dinjitet.
Gyor nuk e nisi mirë sezonin, tashmë duket se e keni gjetur mirë veten në renditje?
Fillimi në dy-tre ndeshjet e para ishte disi i dobët, por kemi katër-pesë ndeshje që kemi grumbulluar 11 pikë dhe skuadra është ngjitur në mesin e tabelës së renditjes. Unë kam luajtur rregullisht, e këtë javë shënova golin tim të parë në kampionat.
Si skuadër, Gyor ka luajtur 9 ndeshje dhe ka grumbulluar 11 pikë, cili është synimi i skuadrës, mbijetesa apo Europa?
Për momentin renditemi në vëndin e 7-të me 11 pikë, por kemi një ndeshje më pak. Me formën që po tregon, skuadra synon përmirësimin gradual dhe një renditje mbi mesin e tabelës, pse jo edhe në vëndet e kreut. Besojmë te synimi ynë.
Po Superioren dhe Kombëtaren shqiptare, sa e keni ndjekur këtë sezon?
Superioren e ndjek ritmikisht dhe më vjen mirë që Partizani është në vendet e kreut. Kam nostalgji dhe e mendoj kampion këtë sezon. Ndërsa për Kombëtaren, kam fjalët më të mira dhe i uroj sukses. Pse jo, në pritje edhe të grumbullimit tim.
Nisur nga ndeshjet e luajtura në fazën e parë, si e përshkruani rrugëtimin e Superiores?
Me ndeshjet e luajtura, Superiorja po tregon se është një kampionat me garë të fortë. Skema e “Final 4” i ka dhënë më shumë nxitje rritjes së nivelit të ndeshjeve. Këtë e tregon edhe diferenca e ngushtë që kanë skuadrat në tabelën e renditjes.
Po duke u nisur nga renditja, si e shikoni vazhdimësinë e skuadrave në këtë sezon?
Unë Partizanin e mendoj kampion këtë sezon. Janë 4-5 ekipe që do rivalizojnë, sidomos në ndeshjet e fundit në “Final 4”. Edhe për mbijetesën do ketë rivalitet, ku më shumë të rrezikuar duken Bylisi me Laçin, ndoshta edhe Skënderbeu.
Sa mall ndjen Eno Bitri për Shqipërinë, familjen dhe për futbollin shqiptar?
Jam rritur në një familje beratase me shumë dashuri e kulturë, dhe patjetër që kam mall shumë për të afërmit, për Tomorin dhe Partizanin, një skuadër e madhe që më ka dhënë shumë. Partizani është si shtëpia ime, ndaj nuk i ndaj dot të dyja.
Parashikimi i Agustin Kolës
“Derbi”1-1 rezultati i drejtë, por nuk ka emocione si ne dikur!
Një ditë para “Derbit” Tirana-Dinamo, Agustin Kola si ish-futbollisti i Tiranës bëri parashikimin e tij në gazetën “Telegraf”, dhe doli i saktë. “Mendoj se barazimi ishte rezultat i mirë për të dyja skuadrat. E them këtë dhe kujtoj kur unë shkova te Dinamo në huazim, dhe ku fituam me austriakët e Karl Zais Jena 1-0. Në kampionatin tjetër, ndeshjen e parë Tirana e luajti me Dinamon, “derbi” që e fituam 4-3. Tifozët e Tiranës mendonin se unë nuk do luaja mirë, se më morri Dinamo në huazim. Por kam bërë gol me kokë e jam dëmtuar me mjekër. Si isha i gjakosur iu drejtova tifozëve të Tiranës: Nuk jam nga ata që shes ndeshje! Të gjithë më puthën nga larg. Këto emocione nuk ndjehen në çdo ndeshje “derbi” sot, ndaj dhe e solla këtë rast”.

200 Tifozë
Transferimi i “Derbit” të kryeqytetit, Tirana-Dinamo në Vlorë, rregjistroi shifrën më të ulët në histori për tifozerinë në stadium, 200 vetë në këtë sfidë
ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 9
E shtunë, 19 tetor 2024
Egnatia-Teuta 0-0
Laçi-Vllaznia 3-1
Tirana-Dinamo C 0-0
E dielë, 20 tetor 2024
Bylis-Skënderbeu 0-1
Elbasani-Partizani 1-1
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Partizani 9 16
2.Egnatia 9 15
3.Dinamo C 9 15
4.AF Elbasa 9 14
5.Vllaznia 9 14
6.Teuta 9 14
7.Tirana 9 10
8.Skënderbe 9 10
9.Laçi 9 6
10.Bylis 9 5
Mbyllet faza e parë! Superiorja me fluks kryesuesish

Me ndeshjet e javës së 9-të, Abissnet Superiore mbylli fazën e parë të sezonit 2024-2025. Gara në nëntë javë u zhvillua me rivalitet, dhe referuar renditjes ku vendi i 1-rë me vëndin e 6-të i ndajnë 2 pikë diferencë, e tregon më qartë. Në këtë fazë të parë kishte shumë dukuri, por duke u përqëndruar te golat dhe trajnerët, duhet thënë se u shënua 95 herë, me javën e 4-ët që u tundën 18 herë rrjetat, dhe me javët 6 e 9 ku u shënuan nga 7 gola. Golashënuesit më të mirë në 9 javë janë Bekim Balaj i Vllaznisë dhe Peter Itodo i Dinamos. me nga 5 gola. Skuadra që ka shënuar më shumë gola, Vllaznia 12, ndërsa skuadra që ka pësuar më shumë gola, Bylisi 13. Në këtë fazë të parë u larguan 4 trajnerë, dhe si dukuri vlen të theksohet se largimet janë te skuadrat që renditen në ekstremet e tabelës. Partizani, Dinamo, Laçi dhe Bylisi i ndryshuan trajnerët. 40% e bankinave u ndryshuan, ndërsa Dinamo e Tirana mbetën pa stadiume dhe ndeshjet “Derbi” u luajtën në “migrim”.



















