Edmond Kapllani: “Dua ta thelloj rekordin tim në Gjermani”

Sulmuesi durrsak është shënuesi më i mirë i FSV Frankufrit të Bundesligës 2: “Premtoj gola të tjerë”

Edmond Kapllani ndihet në top-formë, në prag të nisjes së fazës së dytë të Bundesligës 2. Shënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit në këtë sezon (8 gola) dhe realizuesi më i mirë shqiptar në Gjermani tha për gazetën “Telegraf” se, ai synon të thellojë rekordin prej  59 golash të shënuar midis Bundesligës 1 dhe asaj 2. Goli i fundit i Kapllanit është ai i realizuar në barazimin “thriller” 3-3 FSC Frankfurtit të tij ndaj Karlsruhes (ish-skuadra e parë e durrsakut në Gjermani). Me tetë gola të realizuar, Edmond Kapllani është golashënuesi i katërt më i mirë i Bundesligës 2. Sulmuesi durrsak ka shënuar një gol me pak se Saglik i Paderbornit, i cili ka dhe kryesimin e renditjes së “bomberave”. Kapllani është shënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Kapllani ka shënuar një të tretën e golave të realizuar nga FSV Franfkurti (25). Realizuesi i dytë më i mirë është Metju Leki me pesë gola. Mesfushori Alban Meha i Padebornit ka realizuar këtë sezon vetëm 4 gola. Ndeshja e parë e FSV Frankfurtit në fazën e dytë është ajo kundër Bokumit të 11-të. Për momentin, skuadra e Kapllanit ndodhet në vendin e 13-të nga 18 skuadra që ka Bundesliga 2.

NOA

– Edmond, si po shkojnë përgatitjet e FSV Frankfurtit për fazën e dytë?

– Kemi bërë një fazë përgatitore shumë të fortë në Belek të Turqisë, të shoqëruar edhe me disa ndeshje miqësore me 1860 Munih, rumunët e Universitetit të Kluzhit si dhe polakë e Viska Krakaut. Të shtunën, do të luajmë një tjetër të tillë, me Karlsruhen, me të cilën kam nisur edhe karrierën time në Gjermani. Në ndeshjen e kampionatit kundër Karlsruhes barazuam 3-3 dhe u shënova një gol me penallti. Ky do të jetë dhe testi i fundit, përpara ndeshjes me Bokumin për kampionat.

– Je shënuesi më i mirë i skuadrës për momentin.

– Është e vërtetë. Nga ana tjetër, jam dhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në ekip. Kështu, që kam më shumë përgjegjësi. Nga tjetër kemi në ekip lojtar shumë të mirë.

– Edmond, je shqiptari që ka shënuar më shumë në Gjermani, një gol më shumë se Altin Rraklli. Sa krenar ndiheni?

– Normalisht që, ndihem krenar dhe kjo më bën të lumtur. Por, kam edhe disa vite për të luajtur kështu që kam mundësi ta thelloj rekordin.

– Cili është synimi më imediat?

– Ne duam të kapim sa më shpejt kuotën e 40 pikëve, që të mos kemi probleme javët e fundit të kampionatit. Aktualisht kemi 21 pikë nga 19 ndeshjet e zhvilluara deti tani.

– Skuadra ka qenë aktive dhe në merkato…

– Po, kemi marrë tre lojtarë deri tani.

– Një prej tyre është edhe shqiptari Faton Toski. Cili është vlerësimi juaj për atë?

– Është një lojtar i mirë. Jam i bindur se, do të na bëjë shumë punë.

– Odise Roshi u konfirmua edhe për pjesën tjetër të sezonit. Tani është më i qetë?

– Sigurisht. Odiseja ka bërë një fazë përgatitore shumë të mirë.

– Le të flasim pak për Partizanin, ish-skuadrën tënde. Është në vend të dytë në kampionat…

– E kam ndjekur me interes dhe më vjen mirë, sidomos për faktin se shumë shpejt do të ngrenë një kompleks të mirë stërvitor. I uroj shumë suksese.

  

Golat e Kapllanit

 Karlsruher

118 ndeshje, 26 gola

FSV Frankfurt

42 ndeshje, 19 gola

SC Paderborn 07

23 ndeshje, 8 gola

TuS Koblenz

17 ndeshje, 5 gola

FC Augsburg

8 ndeshje, 1 gol

Total

203 ndeshje, 59 gola

Rekordi i Kapllanit

 Me golin e shënuar ndaj, Karslsuhes (3-3, 15 dhjetor 2013),  Edmond Kapllani kaloi një ikonë si Altin Rraklli, përsa u përket realizimeve të lojtarëve shqiptarë në Gjermani. Tani sulmuesi durrsak ka shënuar një gol më shumë (59) se kavajasi, që e ka mbyllur karrierën e tij në Gjermani në kuotën e 58 golave. Trajneri aktual i Kombëtares së femrave realizoi 16 në Bundesliga 1 (në 111 ndeshje) dhe 42 gola në Bundeliga 2 (në 171 ndeshje). Realizuesi i dytë më i mirë tashmë është Edmond Kapllani, i cili ka realizuar 56 gola (202 ndeshje), ose dy më pak se Rraklli. Edmondi i të gjitha mundësitë të thyejë rekordin e Rrakllit, pasi është ende në aktivitet. Ervin Skela është shënuesi i tretë më i mirë në Gjermani. Fantazisti ka realizuar 53 gola, pesë më pak se Rraklli, por Ervini është realizuesi më i mirë shqiptar në Bundesligën 1: 23 gola, kundrejt 16 të Rrakllit. Skela ka shënuar 21 gola në 168 ndeshje në Bundesliga 1 dhe 32 gola në 145 ndeshje në Bundesliga 2. Fatmir Vata ka realizuar 38 gola në karrierën e gjatë të tij në Gjermani: 8 gola në Bundesligën 1 (88 ndeshje), 30 gola në Bundesligën 2 (131 ndeshje) dhe 1 gola në Bundesligën 3 (15 ndeshje). Igli Tare ka shënuar 28 gola në Gjermani, 4 në Bundesligën 1 (34 ndeshje) dhe 24 gola në Bundesligën 2 (64 ndeshje), por karriera e ish-kapitenit më shumë është zhvilluar në Itali. Ish-sulmuesi kavajas, Skerdilaid Curri, ka shënuar 28 gola në Gjermani: 20 në Bundesligën 2 (182 ndeshje) dhe 8 në Bundesligën 8 (63 ndeshje). Alban Meha, mesfushori i i Padebornit dhe i Kombëtares, ka shënuar 11 gola në Gjermani, që të gjithë në Bundesligën 2 (58). Altin Lala, legjendari i Hanover 96, realizoi 10 gola në Gjermani: 1 gol në Bundesligën 1 (181 ndeshje) dhe 9 gola në Bundesligën 2 (115 ndeshje). Rudi Vata ka shënuar 2 gola, 1 në Bundesligën 1 (31 ndeshje) dhe 1 në Bundesligën 2 (58 ndeshje). Odise Roshi, i cili tani luan si i huazuar me FSV Frankurtin , ka shënuar 3 gola: 1 në Bundesligën 1 (20 ndeshje) dhe 2 në Bundesligën 2 (21 ndeshje). Jahmir Hyka nuk shënoi asnjë gol në 13 ndeshjet e tij me Maincin.

Golashënuesit shqiptarë në Gjermani

  Edmond Kapllani             59 gola

Altin Rraklli       58 gola

Ervin Skela         53 gola

Fatmir Vata         39 gola

Igli Tare                     28 gola

Skerdilaid Curri         28 gola

Alban Meha               15 gola

Altin Lala                  10 gola

Odise Roshi        3 gola

Rudi Vata                  2 gola

Etrit Berisha mund të pezullohet 3 muaj

 Lajm aspak i mirë për Etrit Berishën. Gjithmonë e më shumë forcohen zërat se portieri shqiptar i Lacios mund të skualifikohet tre muaj për shkak të kontratës paraprake që ai kishte nënshkruar me skuadrën e Kievos. Edhe pse nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar, e përditshmja italiane “Corriere Dello Sport” thekson se gjatë ditëve të ardhshme, Federata Ndërkombëtare mund të marrë në shqyrtim çështjen e gardianit kuqezi. Ish portieri i Kalmarit që ka nënshkruar një kontratë me skuadrën venete në 28 Qershor, e cila do të hynte në fuqi në 1 janar 2014 rrezikon të qëndrojë në tribunë për 90 ditë nëse Chievo Verona do të fitojë çështjen. Në këtë mënyrë, shoqëria bardhekaltër ka nisur kërkimin për një portier të dytë dhe emri më i lakuar është argjentinasi i Catanias, Andujar por edhe braziliani i Milanit, Grabriel pasi Tomas Strakosha nuk konsiderohet si një zgjedhje e dytë nga trajneri Edy Reja. Gjithsesi, ka menduar avokati i Lacios, Xhan Mikele Gentile për të qetësuar situatën, pasi sipas tij, nuk parashikohet asnjë masë ndëshkimore ndaj portierit të kombëtares shqiptare dhe të gjithë zërat e dalë ditët e fundit nuk mbështeten në asnjë hipotezë të besueshme. Etrit Berisha u transferua te skuadra romane gjatë kësaj vere pas disa viteve të kaluara të suedezët e skuadrës së Kalmarit.

  

Alban Meha refuzon Kosovën: “Luaj vetëm me Shqipërinë”

 Futbollisti kosovar, Alban Meha, i cili luan me Paderbornin e Bundesligës 2, ka deklaruar se ai do të vazhdojë të luajë me Kombëtaren e Shqipërisë dhe jo me atë të Kosovës. Pas vendimit të FIFA-s për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën, Meha është kontaktuar përzgjedhësi Albert Bunjakit dhe ka kërkuar nga ai të dijë se çfarë mendimi ka Meha lidhur me këtë çështje. Futbollisti i kombëtares shqiptare i ka thënë Bunjakit se ende nuk ka menduar mirë, por ia ka bërë të qartë Bunjakit se nuk është i interesuar të luajë vetëm ndeshje miqësore. “Albert Bunjaki më ka thirrur dhe kemi biseduar pas pranimit të Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore. Unë i kam thënë se nuk jam i gatshëm të luaj për Kosovën vetëm ndeshje miqësore, pasi jam pjesë e Shqipërisë dhe jam i interesuar të luaj, edhe në kualifikime”, ka thënë Alban Meha, për “Publiku.net”, i cili ka shtuar se, ende nuk dihet se çka do të ndodhë pasi nuk ka menduar mirë për këtë çështje, por do të bisedojë edhe me familjen e tij lidhur me këtë rast.

“I kam thënë se do të flas edhe me familjen time për këtë rast, por nuk jam gati te luaj vetëm ndeshje miqësore. Ende nuk dihet sigurt se a do të mund të luaj unë me 5 mars apo jo”, theksoi Meha. “Pas pranimit të plotë të Kosovës në UEFA dhe në FIFA, atëherë do të flasim përsëri se a mund të luaj për Kosovën. Unë jam nga Prekazi, jam drenicak dhe normal që kam dëshirë të luaj për vendin tim, por për momentin vetëm ndeshje miqësore nuk jam i gatshëm”, ka përfunduar futbollisti i kombëtares shqiptare. Alban Meha është pjesë e Paderbornit në Bungesliga 2 dhe është njëri prej lojtarëve kryesor të skuadrës gjermane.