Edhe Mundja në kaos, Ministria e Bumçit ka dalë jashtë kontrollit

579
Sigal

Përplasje midis grupeve rivale në Federatën e Mundjes. Akuza dhe kundërakuza në “kupolën” e Kryesisë

Ministria Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dita-ditës po konsiderohet jo më si një rregullator i jetës sportive në vend, por si një institucion nga i cili burojnë konfrontime midis drejtuesve të ndryshëm të një federata të caktuar (dhe këto janë disa), kaosi, mungesë e financimeve, reduktimi i aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare (për të mos folur për rezultatet teknike). Një pjesë jo e vogël e federatave të shumësportëshsit vazhdojnë të vuajnë nga probleme, që ndërthuren në një mënyrë apo një tjetër, edhe me ndonjë interes çasti, të individëve të caktuar. Gjatë katër viteve të fundit, Ministria e Sporteve ka qenë më shumë në rolin e spektatorit, apo me qëndrime qartësisht të njëanshme ndaj individëve të ndryshëm, duke kompromentuar misionin e saj. Fenomeni i federatave paralele tronditi jo pak herë komunitetin e sportit. Gjimnastika, mundjes, taekëondo dhe kikboksit krijuan nga dy të tilla. Asambletë Vjetore apo dhe ato Zgjedhore, në disa nga federatat patën probleme të mprehta dhe që e shqetësuan jo pak komunitetin sportiv, nisur edhe nga problematika që ato patën, që nga votimet e parregullta, tensionet, incidentet, por mesa duket nuk arritën të zgjojnë Ministrinë nga “gjumi letargjik dimëror”. Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve është përgjegjëse për politikat sportive në vendin tonë. Por, influenca e saj është periferike, fondet grant për federatat për zhvillimin e kampionateve, përfaqësimeve ndërkombëtare, apo masivizimin gjithmonë e më shumë po zvogëlohen nga viti në vit, ndërkohë që nuk mund të flasim kurrë për investime në infrastrukturë. Fondi ndaj sportit po zvogëlohet në mënyrë të vazhdueshme, nga vit në vit. Vetëm në vitin 2012, ai ishte 20 për qind më i vogël se në atë paraardhës, duke ulur kështu numrin e aktiviteteve, e deri te anulimi i disa prej tyre. MTKRS, ka 4 vjet që buxhetet e sportit i ka në ulje në masën 20-30%. Për sportin, në vitin e fundit janë akorduar 234 milionë lekë të reja, që janë përafërsisht 2 milionë dollarë, për të gjitha federatat, në formën e GRANT-it, ku përfshihen rroga sekretarësh, siguracione për administratën, qera të ndryshme, ujë, drita, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Jo më kot, MTKRS-ja është dhe ministria që po përjeton më shumë probleme kohët e fundit, që kulmuan me vjedhjen dhe zhdukjen e kryeveprave të Onufrit ng Kisha e Shën Premtes.

 HISTORI E PËRSËRITUR

Pas problemeve të konstatuara në federatat e Çiklizmit, Notit, Taekwondo, është tani ajo e Mundjes që po përjeton një situatë jo të qetë, ku mesa duket ka një luftë për “kolltukun presidencial”. Tre vjet më parë, Mundja përjetoi krijimin e dy federatave paralele. Gjatë të gjithë kësaj periudhe, drejtuesit e federatave kanë lëshuar akuza të shumta në drejtim të njëri-tjetrit dhe gjithçka ka qenë e ndarë më dysh. Nga njëra anë federata e drejtuar nga Viron Bezhani që njihej nga ndërkombëtarët dhe mbështetej nga Komitetit Olimpik Shqiptar, dhe nga ana tjetër federata e drejtuar nga Martin Biba, e cila njihej nga MTKRS. Pas një konflikti më se 2-vjeçar mundja shqiptare ka hyrë në rrugën e duhur, por kjo jo me ndërmjetësimin e Ministrisë, por me atë të ndërkombëtarëve. Madje u desh ndërhyrja e Presidentit të Federaës Ndëkombëtare të Mundjes (FILA), Rafael Martineti (qershor 2011), gjatë një takimi në Lucernë të Zvicrës me presidentët respektivë të dy Federatave Shqiptare paralele të Mundjes, Martin Bibën dhe Viron Bezhanin (të cilët shoqëroheshin secili nga ndihmësit e tyre), që të vinte dhe “shkrirja” dhe të ekzistonte vetëm një Federatë e Mundjes dhe jo më dy. Pra, nuk ishte merita e Ministrisë së Sporteve. Më 13 korrik 2011, Martin Biba u zgjodh Presidenti i Federatës së Mundjes gjatë një Asambleje të Jashtëzakonshme. Por, pas më shumë se 18 muajsh, pra pas një viti e gjysmë, një pjesë e kryesisë aktuale të Federatës së Mundjes ka kërkuar që, më 19 janar 2012 të mbahet Asambleja e Jashtëzakonshme Zgjedhore, më qëllim zgjedhjen e një presidenti dhe kryesie të re. Kryesia e federatës përbëhet nga Martin Biba (president), Ndoc Qokaj, Erzen Breçani, Besim Kuka, Shkëlqim Troplini, Altin Shtjefni dhe Avni Hasa. Shqipëria pritet të organizojë në muajin tetor Kampionatin Botëror të Mundjes për të Rinj (në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”), kjo e konfirmuar pas vizitës së vitit të kaluar të nga ana e Presidentit të Federatës Europiane të Mundjes dhe Zv/ Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Ceno Cenov. Kuptohet, që një situatë e tillë, me dy grupime të qarta në kryesi, nuk i bën mirë Federatës së Mundjes.

 SITUATA TE MUNDJA

Ndryshe nga presidenti (Martin Biba), sekretari i Përgjithshëm (Ndriçim Spahiu) dhe një pjesë e kryesisë, që është kundër votëbesimit të forumeve të reja drejtuese me argumentin se ky institucion e ka realizuar një gjë të tillë, një pjesë tjetër e Komitetit Drejtues insiston se kjo federatë duhet të shkojë në zgjedhje të reja nëpërmjet Asamblesë së Jashtëzakonshme, të kërkuar që të mbahet më 19 janar. Zëvendëspresidenti Ndoc Qokaj, në një prononcim për mediat, siguroi se kjo federatë do të shkojë në 2015-n në zgjedhje, duke iu referuar faktit se, Asambleja e mëparëshme Zgjedhore është organizuar në vitin 2011 dhe ka forumet drejtuese kanë një afat katër vjeçar. Zyrtarisht disponojmë refuzimin për zgjedhje të jashtëzakonshme nga klubet Tërbuni, Laçi, Vllaznia, Dinamo, Teuta, Besa, Burreli, Tomori, Kamza, Valona, MMA Tirana dhe Peshkopia. Mbetet pezull konfirmimi nga Kukësi dhe Apolonia, ndërsa janë pajisur me mandate për asamble Besëlidhja, Partizani dhe Tirana”, deklaroi zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndoc Qokaj.

Problemet te Mundja kanë marrë nuanca të tjera, madje dhe me sfond akuzash dhe kundërakuzash. Federata e Mundjes i është drejtuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, posaçërisht ministrit Aldo Bumçi. Madje sipas  sekretarit të Përgjithshëm të FSHM-së, Ndriçim Spahiut, thuhet që në mënyrë të paligjshme ky grupim ka përdorur vulë të modifikuar. “Referuar kërkesës së paraqitur në mbledhjen e radhës së Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Mundjes, më 30 nëntor 2012, për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme dhe pas verifikimit të saj, konstatuam se shkresa nuk ka datë dhe numër protokolli; nuk është shkresë nominale; është shkresë e firmosur dhe vulosur nga shefat e klubeve, që nuk janë të mandatuar për thirrjen e asamblesë; mungojnë firmat e delegatëve me të drejtë vote të njohur nga ndërkombëtarët, të cilët janë trajnerët e parë; shkresa nuk është e noterizuar, si dhe kanë paraqitur 6 vula të klubeve sportive të bashkive, ku në 3 raste nuk ka firmosur trajneri Abdulla Hoxha i Pukës, trajneri i Beratit Ilia Keli dhe trajneri i Flamurtarit, Ermal Agaj”, thuhej në shkresën e Federatës Shqiptare të Mundjes. Po sipas saj, pesë anëtarë të Kryesisë ndaj dy rrëzuan kërkesën për mbledhjen e asamblesë. “Pavarësisht rrëzimit të kësaj kërkese në Komitetin Drejtues, ky grupim në mënyrë të paligjshme ka përdorur emrin e federatës, si dhe një vulë të modifikuar për të dizinformuar klubet sportive, anëtarë të FSHM-së dhe për t’i thirrur ata në një asamble të jashtëzakonshme, me qëllim rrëzimin e federatës pa asnjë motiv apo ngjarje të jashtëzakonshme për justifikimin e këtyre zgjedhjeve. Pas paraqitjes së fakteve dhe parregullsive që shkresa me pretendimin e thirrjes së asamblesë së jashtëzakonshme zgjedhore (e sipërcituar) ka pasur, FSHM-ja ka kërkuar nga drejtuesit e klubeve përkatëse (që kanë të drejtën e mandatimit të delegatëve, sipas statutit të federatës) një prononcim zyrtar lidhur me qëndrimin ndaj federatës. Pas kësaj kërkese, shumica e klubeve sportive zyrtarisht janë shprehur kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme”. Kryesia e Federatës Shqiptare të Mundjes i është drejtuar përveç MTKR-së edhe Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) për zgjidhjen e ngërçit, përfshirë edhe joligjshmërinë të analizës së fundit vjetore ku janë bërë shumë shkelje në statut. Pretendimet janë se, federata (dhe drejtuesit) në detyrë nuk e ka përmbushur siç duhet misionin e saj, sikurse është rasti i zhvillimit i një numri të vogël të aktiviteteve kombëtare, kampionate dhe kupa. I ngarkuari si kryetar i grupit për organizimin e Asamblesë së Jashtëzakonshme më 19 janar, Altin Shtjefni në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” tha se, në asnjë rast nuk ka përdorur asnjë instrument që korrupton procesin apo keqinformon anëtarët e FSHM-së. “Ne i kemi informuar të gjithë anëtarët e FSHM-së për situatën e nderë që ka përfshirë federatën, situatë e cila tregon qartë se presidenti në detyrë, z.Martin Biba, bashkë me sekretarin e Përgjithshëm kanë dalë jashtë kontrollit, duke përdorur të gjitha instrumentet antisportive dhe të papranueshëm për mundjen, duke pretenduar të mbajnë peng zgjedhjet dhe federatën vetëm e vetëm për të mbajtur postin e drejtuesve. Për çdo pretendim apo fakt që ngrenë këta zotërinj, le t’u drejtohen organeve kompetente”, tha Shtjefni. Gjithashtu, Shtjefni bëri me dije se do të denoncojnë shpenzimet që kanë bërë në federatë. Një nga ish-mbështetësit e më të fortë të presidentit Martin Biba, ish-sekretari i Përgjithshëm, Avni Hasa, kur Mundja drejtohej nga Alban Zeneli.