Dritan Smajli: Iliria përgatitet si rivale me skuadrat e traditës në kampionat

KATEGORIA E PARË/ E ngjiti Ilirinë në të Parën, Dritan Smajli tregon fillimet dhe merkaton.

Agron KAJA

Agron Kaja

Skuadra e Ilirisë së Fushë Krujës, nuk e ka nisur fazën përgatitore si një skuadër debutuese në Kategorinë e Parë të këtij sezoni të ri, por si një skuadër e përvojës dhe me synime të qarta. Këtë e pohon edhe trajneri Dritan Smajli, i cili dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se përgatitjet kanë nisur me organikën e plotë të grupit. “Ne kemi tre javë që kemi nisur përgatitjet këtu në Fushë Krujë. Për këto tre javë kemi punuar mirë, sepse i gjithë grupi është në dispozicion, por edhe prurjet e reja që janë bërë në këtë periudhë. Mendoj se të gjithë lojtarët kanë marrë ngarkesat e duhura fizike, sepse këto tre javë këtë kishim si qëllimin kryesor, rritjen e kontigjentit fizik të lojtarëve që kemi në dispozicion. Pjesa më e madhe e futbollistëve që mbylli sezonin e kaluar si kampion në Kategorinë e Dytë ka qëndruar, dhe ata janë baza e skuadrës. Pra, më shumë se 60% ka qëndruar në skuadër për sezonin e ri”, kështu e nisi dje bisedën teknkiku i Ilirisë, Dritan Smajli, i cili tregoi se sot (të shtunën), skuadra do të luajë një ndeshje miqësore me Lushnjen. Ndërsa për merkaton tekniku lezhjan tregoi se ajo mendohet e mbyllur për Ilirinë, duke mos përjashtuar vetëm një mbrojtës së majtë për ta patur të dubluar këtë rol. “Të shtunën (sot) do luajmë një ndeshje miqësore në Lushnje me vendasit. Përveçse do shikoj gjëndjen e skuadrës në tërësi, në fokus do jenë dy-tre lojtarë që i kemi marrë në provë. Këtë javë unë kam biseduar edhe me drejtuesit e presidencën e klubit, dhe merkaton e kemi quajtur të mbyllur. Por, nuk përjashtohet edhe ndonjë lëvizje teke, një mbrojtës i majtë për ta dubluar si rol, ndërsa pjesa tjetër është e kompletuar për gjithë sezonin. Ndaj e quajmë këtë një tregues të mirë për kompaktësimin sa më të plotë e të shpejtë të grupit në skuadër”. Dhe duke e konsideruar kampionatin e Kategorisë së Parë si shumë të fortë, Smajli e veçon edhe si më konkurrues dhe më të fortë nga Superiorja, me faktin se edhe këtu luajnë skuadra kampione e fituese të trofeve në Superiore. “Nëse do t’i shohim Superioren dhe Kategorinë e Parë, unë mendoj se interesi ka qënë i madh në këtë kategori, si nga publiku që ka qënë më i shumtë në numur, ashtu edhe tek rivaliteti që kanë treguar të gjitha skuadrat në rrugëtimin e tyre gjatë garës. Kjo kategori e ka fituar garën me Superioren, ku 60% janë skuadra të traditës. Ndaj mendoj se do jetë një kampionat i fortë dhe interesant”, kështu u shpreh dje tekniku i Ilirisë, Dritan Smajli.

Sigal

Superiorja e nis me përplasjen “Big”, Vllaznia-Egnatia

Dje në mesditë, në ambientet e FSHF-së u hodhën shortet e sezonit të ri 2025-2026, për Abissnet Superiore dhe Kategorinë e parë. Janë mësuar 36 javët e plota ku ka klasike, derbi, por dhe sfida me rivalitet historik. Supersfida e javës së parë është Vllaznia-Egnatia, ku përsëritet finalja e madhe e “Final 4”, ndërsa në këtë javë, Partizani do të përballet me Vorën debutuese në Superiore, Teuta do presë Dinamon në “Niko Dovana”, interesante do jetë sfida në Elbasan, AF Elbasani-Flamurtari, ndërsa Tiran me trajnerin e ri Vangjel Mile udhëton në Ballsh. Edhe në këtë sezon, Dinamo City nuk ka stadiumin e saj dhe ndeshjet e saj si pritëse do ti luajë në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndërkohë që në Kategorinë e Parë, kampionati nis me “derbin” e Veriut, Iliria-Laçi, ndërsa përballje të tjera interesante rezervohen që në fillim. Thuajse të gjitha kanë “aromë” Superioreje, sepse të gjitha kanë qënë pjesë e elitës në futbollin shqiptar.

Eneo Bitri në tribunë, dyshime për rikthim te Partizani

Në sfidën e dytë të Partizanit në Konferencë Ligë, në tribunën kryesore kishte mjaft emra të cilët kanë qënë protagonistë në futbollin shqiptar dhe në atë kombëtar. Njëri prej tyre ishte edhe mbrojtësi shtatlartë beratas Eneo Bitri, i cili vite më parë ka qënë edhe kapiten me Partizanin. Beratasi e ka mbyllur huazimin te Gyor në Hungari, por edhe i ka shkëputur marrëdhëniet e kontratës me Valerengan në Norvegji, e cila e kishte dhënë huazim në dy vitet e fundit. Duke dalë lojtar i lirë dhe në kërkim të një skuadre të re gjatë merkatos së verës, Bitri ka tërhequr vëmëndjen e mediave dhe të menaxherëve të ndryshëm, të cilët nuk kanë munguar të mësojnë prej tij ndonjë të dhënë të fundit. Duke pasur parasysh formën dhe eksperiencën e qendërmbrojtësit, nuk është çudi që gjatë këtyre javëve ai të kthehet në një objektiv të merkatos e Partizanit.

Burreli kërkon merkato në “marketin” e Skënderbeut

Përgatitje dhe merkato, trajneri Ernest Gjoka po përgatit një grup të zgjeruar lojtarësh, pasi ka të rikthyer nga huazimet, por edhe për t’u testuar, pse jo duke pasur edhe teprica në organikë. Klubi i Burrelit, që pas emërimit të trajnerit Samuel Nikaj, ka shfaqur interes për katër futbollistë korçarë. Matjanët duan që të kenë në ekipin e tyre për sezonin e ri, Paulo Ivanin, Franko Kapllanin, Jorgo Qeleshin dhe Kostika Beçkan. Me këto afrime, Burreli do ishte i plotë në ndeshjen e parë të kampionatit të ri, kundër Skënderbeut.

Pogradeci bëri merkato në Kore me mesfushor 31 vjeçar

Pogradeci s’ndalet në merkato, shkon deri në Kore për të gjetur lojtar Drejtuesit e Pogradecit janë të vendosur për të ndërtuar një ekip kualitativ dhe konkurrues, në mënyrë që në fund të sezonit 2025-2026 të realizojnë atë objektiv, që i shkuan shumë pranë edhe në edicionin e fundit, ngjitje në Kategorinë Superiore. Këtë javë që u mbyll, liqenorët kanë rënë dakord me një mesfushor nga Koreja e Jugut, i cili më parë ka luajtur edhe në Serbi me Bezhanijen, si dhe në Slloveni. Do-hyun Kim 31 vjeçar, luan në qendër të mesfushës dhe Pogradeci përbën një rikthim të tij në Europë. Zyrtarisht, liqenorët kanë zyrtarizuar 3 afrime:  Alesio Çaushaj, Uillim Henrike dhe Santiago Rodriguez, ndërsa janë në provë Enes Kuka, Paolo Kasmollari, Mario Luis Nikolesku Olteanu, Yakouba Cise. Në javën e parë të kampionatit në sezonin e ri, Pogradeci do presë Lushnjën në stadiumin e tij.