Intervistë me Prof. Dr. Arben Malaj, Qytetar Nderi i Vermoshit
Kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Europian (1999-2002), studjues i Integrimit Europian në Universitetin e Harvardit (2005-2006) dhe Lektor për Integrimin Europian prej vitit 2004
Në sistemin tonë, kryetarët e bashkive janë të vetmit të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Çdo dorëheqje apo largim i tyre pa votën e qytetarëve është një deficit demokratik dhe dëmton funksionimin e shtetit në vende me demokraci hibride dhe drejtësi të kontrolluar
Ish-ministër i Financave, Arben Malaj në një intervistë për “Telegraf’ ka analizuar situatën e aktualitetit në të cilën ndodhet Shqipëria, rolin e demokraciasë, integrimin në Bashkimin Europian dhe çështjen e pronave. Prof. Malaj thekson se Demokracitë funksionojnë mbi parimin thelbësor të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve. Nëse duam të integrohemi, duhet të bëjmë reforma pa trumbetim, por me profesionalizëm. Duhet të ndërtojmë një shtet ligjor dhe një ekonomi me mundësi të barabarta për të gjithë. Për sa i përkët koalicioneve në poltikë, Prof. Malaj shprehet se: Liderët e rinj shpesh bien në grackën e protagonizmit, pa integritet dhe pa përkushtim për sakrificë. Bashkëpunimi duhet të niste që në opozitë. Nëse partitë e mëdha bashkëpunojnë pas zgjedhjeve, pse partitë e vogla nuk e bënë që në opozitë? Sfida e vërtetë për liderët e rinj, vetë-korruptimi moral.Ish ministri Malaj sigurisht nuk ka pa përmendur dhe problematikat në qytetin e Vlorës ku theksoi se :E dua Vlorën dhe trishtohem për problematikat që e mundojnë prej dekadash. Nuk jam shkëputur asnjëherë nga dashamirësia e pa kushtëzuar ndaj Vlorës dhe ndaj çdo vlonjati

1.Z. Malaj, ju keni deklaruar më herët se qëndrimi i Kryeministrit Rama është jo ligjor dhe anti-evropian. A vazhdoni t’i qëndroni këtij mendimi?
Po, i qëndroj plotësisht. Kryeministri i vendit tone ka sjellje jo shtetformuese, por sunduese. Vepron në kundërshtim me Kushtetutën. Në të njëjtën ditë paraqitet në Vlorë si kryetar partie dhe pasdite si bashkëkryetar bashkie. Demokracitë funksionojnë mbi parimin thelbësor të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve. Fatkeqësisht, në Shqipëri, sidomos pas dorëheqjeve masive të administratës publike në bashkitë e vendit, i gjithë vendi ndodhet nën frikën se si do të zgjohet ai në mëngjes dhe çfarë do të urdhërojë në mesnatë. Qeveritë demokratike udhëhiqen me shpresën dhe vizionin për një të ardhme më të mirë. Qeverisja nëpërmjet frikës shtyp potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi siç ndodhi edhe në Theth ku për 35 vite nuk qartësohet pronësia dhe për më tepër pengohet zhvillimi sipas ligjeve për shkak të mos miratimit të detyrueshëm të planeve të zhvillimit. Kjo për të kontrolluar për interesa jo ligjore dhe jo të ndershme dhe jo një zhvillim të komanduar dhe kontrolluar deri në çdo m2. Kryeministri nuk udhëheq me vizionin dhe përgjegjësinë për krijimin e barazisë së mundësive për çdo shqiptar nga Thethi në Konispol. Ai bllokon për më shumë se 20 vite planet zhvillimore dhe cakton drejtues në institucione kushtetuese sipas preferencave personale ose të lobuara për kontroll të gjithë pushteteve. Mjafton të shohim si është kthyer një republikë parlamentare në një “mbretëri” kryeministrore. Armiqtë real të tij nuk janë ata që i qëndrojnë përballë me çdo kosto deri tek hakmarrjet primitive. Ajnshtajni ka të drejta kur na paralajmëronte se: “Bota nuk është e rrezikshme se ka njerëzit e këqinj, por sepse njerëzit e mirë që nuk reagojnë ndaj të këqinjve. Dorëheqjet me urdhër partie si një aksion me goditje të përqëndruar do të jetë një njollë e zezë në trashgiminë e tij politike. Por edhe në historinë e shtetit shqiptar, ku “udhëheqësit” e tij e shkërmoqin për mos u bërë kurrë funksional për shtetasit e tij.
- Pse e cilësoni qëndrimin e tij si anti-evropian?
Sepse parimi i subsidiaritetit është një nga gurët themeltarë të funksionimit të Bashkimit Evropian. Ky parim mbështet demokracinë dhe synon që vendimmarrja të bëhet sa më afër qytetarëve – pra, përmes kryetarëve të bashkive.Në sistemin tonë, kryetarët e bashkive janë të vetmit të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Çdo dorëheqje apo largim i tyre pa votën e qytetarëve është një deficit demokratik dhe dëmton funksionimin e shtetit në vende me demokraci hibride dhe drejtësi të kontrolluar.Ky parim mbron kompetencat kombëtare dhe lokale nga ndërhyrjet e pajustifikuara dhe promovon që çdo vendim të ndërmerret në nivelin më të përshtatshëm. Kjo do të thotë që çdo masë nga një qeveri qendrore apo edhe nga BE duhet të kalojë “testin e nevojës” dhe të respektojë proporcionalitetin, afërsinë, konsultimin dhe vlerësimin e ndikimit.
- Europa – Shkop magjik apo drejtim me reforma?
Evropa nuk është as destinacion gjeografik, as një bankomat për ndihma sociale për të varfërit. Ajo është një bashkësi vlerash. Nëse duam të integrohemi, duhet të bëjmë reforma pa trumbetim, por me profesionalizëm. Duhet të ndërtojmë një shtet ligjor dhe një ekonomi me mundësi të barabarta për të gjithë. Nëse vazhdojmë me një model ekonomik ku oligarkët përcaktojnë politikat dhe marrin fitime abuzive, nëse politika bëjnë në biznes per pishtet absiolute dhe të përhershëm, atëherë edhe pas 100 vitesh brenda BE-së do të mbetemi më të varfërit e saj si në aspektin moral, ekonomik dhe social, me kohezion dhe solidaritet social të varfëruar.

- Menaxhimi i financave publike – korrupsion apo zhvillim?
Sektori publik në Shqipëri është kthyer në një gropë të zezë që pengon rritjen ekonomike, gërryen të ardhurat buxhetore dhe nxit kapjen e shtetit. Nëse SPAK dëshiron seriozisht të luftojë rrënjësisht korrupsionin, le ta fillojë nga falimentimi i përshpejtuar i Uzinës së Ballshit, ku janë fituar miliarda abuzive nga administratorë dhe politikanë. Ndërsa punëtorët mbeten pa paga sigurime shoqërore dhe me pensione minimale, ndërsa shteti lejonte paga, përfitime dhe shpenzime marramëndase për administratorët e preferuar dhe përzgjedhur edhe nga politikanët. Tenderat publikë janë kryesisht pa garë. Prokurimi elektronik ndihmon, por nuk zëvendëson integritetin e individëve që udhëheqin institucionet. Shqipëria ka nevojë të rrisë të ardhurat për të investuar në arsim, shëndetësi, siguri kombëtare dhe solidaritet social.
Parimi bazë i menaxhimit të financave publike është: të bëhen reforma në ditë me diell, që të kemi më shumë përfitime me më pak fonde.
Nëse duam të integrohemi, duhet të bëjmë reforma pa trumbetim, por me profesionalizëm. Duhet të ndërtojmë një shtet ligjor dhe një ekonomi me mundësi të barabarta për të gjithë. Nëse vazhdojmë me një model ekonomik ku oligarkët përcaktojnë politikat dhe marrin fitime abuzive, nëse politika bëjnë në biznes per pishtet absiolute dhe të përhershëm, atëherë edhe pas 100 vitesh brenda BE-së do të mbetemi më të varfërit e saj si në aspektin moral, ekonomik dhe social, me kohezion dhe solidaritet social të varfëruar.

- Partitë e vogla – një apel për bashkëpunim dhe përgjegjësi. Koalicionet duhet të jenë burim shprese, jo sharjesh.
Debatet folklorike midis partive të një koalicioni janë të dëmshme për të gjithë, veçanërisht për votuesit. Që para zgjedhjeve, kam këshilluar kolegët të shmangnin konfliktet për çështje të vogla.Partitë e vogla, për shkak të papjekurisë politike dhe egoizmave personale, nuk arritën të krijojnë një pol shprese.Liderët e rinj shpesh bien në grackën e protagonizmit, pa integritet dhe pa përkushtim për sakrificë. Bashkëpunimi duhet të niste që në opozitë. Nëse partitë e mëdha bashkëpunojnë pas zgjedhjeve, pse partitë e vogla nuk e bënë që në opozitë? Sfida e vërtetë për liderët e rinj, Vetë-korruptimi moral. Ky është rreziku më i madh: liderë që korruptohen moralisht për paraqitje mediatike, para se të provojnë përgjegjësi reale,Shqipëria nuk ka mungesë idealistësh – ka mungesë durimi dhe bashkëpunimi.Ndryshimi nuk fillon me poste, por me vlera.
- Pse duhet rrëzuar muri që mban Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së?
Kam të gjitha arsyet dhe legjitimitetin për t’i drejtuar një apel publik Presidentes së Komisionit Evropian që të rrëzojë murin 75-vjeçar që ndan Evropën gjeografike në dy pjesë:
1.Muri përballë studentëve – Studentët nga Ballkani Perëndimor nuk kanë të njëjtat të drejta si vellezërve, motrave dhe familjareve të tyre me pasaportë greke, italiane apo gjermane. Student nga Ballkani Perëndimorë që kanë siguruar nga emigracioni i hershëm i prindërve të tyre një pasaporte evropiane, aplikojnë pa asnjë pengesë, më kosto burokaratike dhe financiare minimale në çdo universitet publikë të vendeve anëtare të BE-së dhe mudësi favorizuese punësimi në ekonomitë e tyre. Por fatkeqësisht studentët nga BP-rë që janë motra dhe vëllezër biologjikë të grupit të parë, por që fatkeqësisht vuajnë pasojat e rënda varfëruese të murit 75 vjeçarë që e mban Ballkanin Perëndimorë jashtë BE-së nuk pranohen në këto universitete publike, kanë kosto shumë të larta të arsimimit jashtë vendeve të tyre dhe kanë pengesa diskriminuese për punësim në BE.
2.Muri përballë fermerëve: Që në vitin 1990 BE subvenciononte exportuesit e saj në vendet tona për çdo kile limona apo për çdo kokërr vezë
BE subvencionon bujqësinë e vendeve anëtare, ndërsa fermerët tanë janë të pafuqishëm. Ky subvencionim direkt dhe indirekt nga vetë vendet anëtare të BE, por dhe nga Politikat e Përbashkëta bujqësore të BE-së që janë rreth një e treta e gjithë buxhetit të saj, e dëmtoi rëndë zhvillimin rural, ushqeu braktisjen e vendit nga fuqia me dinamikë punëtore dhe varfëroi vendet tona. Tregtia është e lirë, por jo e ndershme. Murri që pengon financimin e barabartë nga Politikat e Përbashkëta Bujqësore dhe që redukton konkurencën e subvencioneve varfëruese për fermerët tanë duhet shembur sa më parë.
Muri përballë të vërtetës historike – Çamëria:
Shqiptarët nuk kërkojnë kufij të rinj, por dinjitet dhe drejtësi. Masakrat ndaj popullsisë çame dhe ligji i luftës nuk kanë vend në një Evropë të bashkuar dhe demokratike.
Dorëheqjet? Dorëheqja kolektive e drejtuesve të institucioneve në Vlorë vetëm nga një urdhër politik është njollë e zezë në krenarinë vlonjate. Sot, gropa e gjoksit të fisnikëve vlonjatë është mbushur nga patronazhistë pa integritet – të gatshëm të dorëzohen vullnetarisht. Siç thotë Seneka: “Pak skllevër janë të vërtetë, shumica janë skllevër vullnetarë.”
Sa të turpëruar duhet të ndjehemi përballë Ali Asllanit, kryetarit me fisnike në historinë e Vlorës dhe kryetarit ndoshta më të varfër të saj, kur me krenari deklaronte se :”Jam vlonjat dhe trim me besë. Rreth Flamurit di e vdes. A me hirë a me pahirë, doemos do rroj i lirë.”
Vlora – Një mundësi për të shërbyer?
Pse jo. E dua Vlorën dhe trishtohem për problematikat që e mundojnë prej dekadash. Nuk jam shkëputur asnjëherë nga dashamirësia e pa kushtëzuar ndaj Vlorës dhe ndaj çdo vlonjati. I kam kontribuar vendit dhe Vlorës me integritet të pakompromis në vitet më të vështira, si në 1997, dhe jam gati të vazhdoj të shërbej për vendin tim, duke nisur nga qyteti im. Jam i gatshëm t’i shërbej Vlorës në sfidat politike, lokale apo parlamentare. Shpresoj që në këtë rast nuk do të shkaktojë dot tërmet si në vjedhjet e votave edhe në 2013.





















