Del Piero: Real Madrid zakonisht i mund të gjithë, por përballë ka Juven

532
Të martën në mbrëmje do të luhet një nga sfidat më premtuese të “Champions League”, me Juventusin që pret në ‘Allianz Stadium’ Realin e Madridit për të diskutuar ndeshjen e parë çerekfinale.
Për këtë përballje, por jo vetëm, ka folur së fundmi futbollisti Legjendë i ‘zonjës së vjetër’, Alesandro Del Piero. Italiani fillimisht nuk i ka kursyer lëvdatat për Paolo Dybalën.
“Çdo vit ai po ngjitet në një nivel tjetër, – tha Del Piero për ‘Goal’, në rolin e tij si ambasador i Ligës së Kampioneve. – Ai tregoi shumë në këto dy ndeshje, kundër Lazios dhe ‘Spurs’. Dybala është një djalë shumë i mirë dhe një talent i pabesueshëm, ne nuk kemi nevojë të përmendim cilësinë e tij, por ajo që konstatoj me kënaqësi është se ai çdo vit po rritet. Ndoshta ky vit është viti më i mirë për të”.
Dybala ka pasur një “pit stop” në vitin 2018, për shkak të një lëndimi, që e mbajti atë nga një varg lojërash të Seria A jashtë fushës, si dhe ndeshjen e parë 1/8 finale të Champions-it kundër Tottenham. Del Piero shpreson se ai mund ta përfundojë sezonin në një formë të lartë, duke filluar nga e marta.
“Këtë sezon, ai bëri një fillim të pabesueshëm. Dybala po shënonte disa gola për ndeshje, ai po luante kaq mirë dhe e çoi Juven përpara. Pastaj erdhi lëndimi, por më pas u kthye me gol kundër ‘Spurs’. Në të njëjtën javë, ai shënoi në Romë, kundër Lazios, kështu që Juventusi pati mundësinë të shkojë përpara Napolit. Do të jetë shumë interesante të kuptojmë se si do të përfundojë ky sezon për të.”
Ndërsa për takimin me Real Madrid ish-futbollisti i Juventusit që ka fituar Ligën e Kampionëve në 1996 ka deklaruar se ‘galaktikët’ do ta kenë të vështirë.
“Mënyra si e ndërtoni një sezon është e rëndësishme dhe pastaj ka situata magjike si kjo. Le të marrim Real Madridin. Ata nuk po luajnë mirë këtë sezon në La Liga, janë në vendin e katërt, por ndihen rehat në këtë kompeticion.
Madrilenët zakonisht fitojnë kundër të gjithëve, por në anën tjetër është Juve. Kur bardhezinjtë e kuptojnë se është momenti për të fituar, ata fitojnë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ndeshja në Londër kundër Tottenhamit ishte shumë e vështirë, sidomos pas ndeshjes së parë. Dhe ata gjetën një mënyrë për ta kthyer ndeshjen, për të marrë kualifikimin”, – përfundon ikona bardhezi, Del Piero.
Sigal