Conference League/ Ballkani- Klaksvik, kampionët e Kosovës fitojnë ndeshjen e parë

132
Sigal

Ballkani fiton 3-2 ndeshjen e parë ndaj Klaksvik të Ishujve Faroe dhe lë të hapur çështjen e kualifikimin në sfidën e kthimit që do të luhet pas një jave në transfertë, kur i kishte mundësitë të fitonte më thellë.

Kampionia e Kosovës, në fakt, shpërdoroi një epërsi prej tre golash, duke pësuar dy herë në pjesën e dytë, për t’i dhënë shpresa reale kundërshtarit për avancimin në fazën play off.

E zhbllokoi takimin Nazmi Gripshi në minutën e 30-të, ndërsa pesë minuta para fundit të pjesës së parë realizoi të dytin për ekipin e Ilir Dajës Meriton Korenica.

Rezultati u thellua në 3-0 në minutën e 50-të falë golit të Albion Rrahmanit, por pas këtij momenti Ballkani lëshoi shumë terren duke u ndëshkuar në minutat 69’ dhe 88’ nga i njëjti autor, Klettskard.

Në takimin e kthimit, Ballkani mjafton të shmangë humbjen për të arritur një kualifikim historik në fazën play off të Conference League.