Kreshnik Leka intelektuali i mirëfilltë i “hekurave” që po ndihmon në “pranverën” e peshëngritjes durrsake
Sukseset e fundit dhe të bujshme të peshëngritjes durrsake, trajtohen ndër të tjera edhe si një mbarësi që solli drejtuesi i ri i klubit shumë sportesh “Teuta” në Durrës. Kjo jo thjesht si një koinçidencë formale, por edhe si specialist aktiv i njohur bujshëm në fushën e sportit të hekurave. 37 -vjeçari Kreshnik Leka, peshëngritës rekordmen në vitet 70-të, drejtues i degës së Peshëngritjes në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” dhe që nga muaji prill i këtij viti drejton klubin me traditë të shumë sportëshit durrsak, ngacmoi dukshëm arritjet e fundit spektakolare të Teutës në peshëngritjes. “Gishtat e duarve janë njëlloj,- tregon Kreshniku, por animi nga peshëngritja është si një “kushtrim i të parëve” , apo forcë tradite dhe zakoni për të mbështetur atë sport që i fala rininë. Duhet ditur një gjë që vlen të veçohet: objektivat e avancuara që kërkojmë të arrijmë në të gjitha llojet e sporteve, ka të përfshirë edhe peshëngritjen ndonëse rivalët tanë përfaqësohen me emra të mëdhenj dhe medalistë në veprimtari pikante botërore”. Nuk donim ti jepnim thjesht ngjyrime administrative, pushtimit të majave të peshëngritjes shqiptare nga “hekurmbajtësit” tashmë kampionë dhe fitues kupe të vendit tonë. Por Kreshnik Leka është ai lloj administratori dhe intelektuali, që zhvishet nga kostumi i punës për të veshur atë të sportit, era e djersës së të cilit duket sikur nuk ka ikur që kur ai garonte vetë në pedanë. Kolegu i tij i vjetër Besnik Psatha është aty, me një barrë vite punë mbi shpatulla, por tani është shumë i lehtësuar kur shikon Kreshnik Lekën ta harrojë sekretarin e të bëhet njësh me peshëngritësit në stërvitje. Zor se mund të gjesh një të dytë në këto pozita dhe pozicione, ku krahas dosjeve të punës në zyrën e tij janë të vendosura edhe uniformat sportive, të cilët ai ka vendosur të mos i braktisë. Kreshnik Leka është kthyer në kreshnikun e peshëngritjes, teksa grumbullon rreth vetes një grup djemsh të rinj duke lidhur besën për më shumë nivel, për më shumë cilësi, për më shumë punë e sakrificë për të arritur të pabesueshmen: titullin kampion, fitimin e kupës së Shqipërisë. Janë këto dy veprimtaritë më të rëndësishme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Qershor – shtator Teuta në majë
Duhet nënvizuar një dukuri tek Teuta. Nuk ka Erkand Qerimaj, as Daniel Godell, as Hysen Pulaha, as… Atëherë ç’ne Teuta të vihet në olimpin shqiptar të peshëngritjes? Po është Kreshnik Leka, që tash mendon se i ka vënë në tuç kundërshtarët, atje në pedanën e hekurave, atje ku djemtë e muskujve të fuqishëm matin vlerat dhe aftësitë e tyre. Janë tetë “kreshnikë të vegjël”, që bëjnë kërdinë mbi kundërshtarët e tyre. Historia e tyre bëhet në vetëm dy ditë, për të treguar se çfarë është bërë në 363 ditët e tjera të kalendarit stinor vjetor. Me 29 qershor 2014, vonë në mbrëmje bëhet i njohur lajmi: Teuta e Durrësit fituese e Kupës së Shqipërisë në peshëngritje. Ky sukses mbetet marramendës, pasi nuk është arritur asnjëherë. Edhe kur konkurronte Erlin Nikolla i jashtëzakonshëm e tani nostalgjik, as kur konkurronte i mirënjohuri tjetër Fatmir Shyti, as kur kërcisnin hekurat mbi shpatullat e Arben Kokomanit, Qamil Qatos, Përparim Mustafarait, Sul Çyrbjas e të tjerëve si ata. Me 20 shtator 2014, gati-gati tre muaj pas 29 qershorit, në Tiranë kuvendi i dytë i madh i peshëngritjes: Kampionati Kombëtar. Përsëri vonë në mbrëmje, mësohet se titulli kampion i takon djemve të fortë, të bukur e të hijshëm, muskulor e shpatullgjerë të Teutës. Teksa udhëtonin atë ditë drejt Durrësit, bëhet i njohur fakti domethënës dhe pse jo edhe historik. Titulli shkonte në qytetin bregdetar pas 40 vitesh. Ja pra çfarë bëri Kreshnik Leka në pak muaj, që mori në dorëzim shumësportëshin durrsak, duke injektuar tek tetë djemtë e forcës, bindjen se gjërat do të ndryshojnë për së mbari. Dhe ata janë të aftë ta bëjnë këtë gjë. Pa dashur të biem në sentimentalizëm dhe dramatizim të suksesit, atë ditë Kreshnik Leka derdhi lot, ngrohtësia e të cilëve lagu supet e trajnerit të parë Besnik Psatha, ku më fund edhe ai ndjeu se erdhën ditët e gëzueshme të një pune të madhe, të lodhshme, por me dozat e një kënaqësie të pafund.
Tetë djemtë e trofeve
Kreshnik Leka është një njeri i qetë, flet lirshëm por jo me zë të lartë. Teksa e takon nuk i kupton sukseset e arritura, po të mos jesh i informuar për titujt e lartë. Pra nuk është në adetin e tij të rrahë gjoksin për atë çka bërë dhe po bën, pasi këtë gjoks ai po e godet me ftohtësinë e hekurave të shtangës, duke i dhënë ngrohtësinë jo vetëm të gjakut dhe djersës së tij, por edhe të djemve të cilët ai i vendos në vijën e parë të këtyre sukseseve të mëdha dhe historike. Bruno Nuho dhe Sopot Sula janë dy më cilësorët, që hapin faqet e librit të parë të sukseseve të reja të Tetës. I pari është 21 vjeç dhe nuk la peshëngritës t’ia kalonin në peshën 56 kilogram. Çfarë trupi? Çfarë bukurie? Një badibillding i vërtetë. Tani është në Greqi, ku po punon me kombëtaren e madhe të Shqipërisë, atje ku Pirro Dhima dhe Luan Shabani mbështesin këtë peshëngritje për më mirë. Me 4-16 nëntor 2014, në Kazakistan është planifikuar të zhvillohet kampionati botëror. Përfaqësuesja shqiptare është në konkurrencë të madhe për të fituar normat e përfaqësimit në lojërat olimpike Brazil 2016. Dhe Teuta e Durrësit ka djalin e saj në këtë kombëtare, Bruno Nuho, që edhe këtu kërkon ta arrijë historinë si me Teutën e tij. Po Sopot Sula çfarë ka bërë? Veçse detyrën, kur la pas vetes tërë ajkën e peshëngritjes në peshën 94 kilogram. Është vetëm 18 vjeç. Çfarë talenti? E ardhmja është në duart e tij. Sopoti që është i fortë tamam si një mal me emrin e tij, përgatitet të marrë pjesë në kampionatin europian të peshëngritjes për U-20, që vendin dhe kohën e zhvillimit e ka me 23-29 nëntor në Qipro. Synimi: të përfaqësojë sa më mirë Shqipërinë, por edhe Teutën e tij. Dhe pas tij qëndron puna e ustallarëve të tillë si Kreshnik Leka e Besnik Psatha, që nuk kanë të “ngopur” për suksese të tjera. Tamam u ka ardhur dita për të folur si kurrë më parë, me gjuhën e punës dhe të arritjeve. Ardian Murataj 22- vjeçar bën sport në kushte sakrifice. Ndjek studimet e lartë në universitetin e sporteve, punon në një bar, studion gjuhë të huaja, por ndërkohë nuk i lë hekurat të ftohen në palestër. Në 69 kilogram të renditesh i katërti ndër mjeshtëra të sprovuar, nuk është pak pasi ndihmesa për ekipin është e prekshme. Jetmir Hoxha, 20 vjeç, i treti në 77 kilogram. Njohu podin e nderit dhe medaljen përkatëse. E harroi për një çast arritjen e tij, pasi mendjen e kishte tek titulli kampion i Teutës. Të kalojmë tek 21 -vjeçari Gerian Tuda, që në 77 kilogram është në pozita të dëshiruara. Pesha e rëndë +105 kilogram, është në përfaqësimin e Klaudio Çelës, që nuk la peshëngritës të vendosej në pozitën e nënkampionit. Pastaj vjen Jurgen Hoxha, që i provoi hekurat që në vogëli dhe tani shpërthen në peshën deri 105 kilogram, edhe ky 22- vjeçar. Admir Smoqi në peshën 77 kg, si duket tërë bateritë e tij i shkarkoi kur në Kupën e Shqipërisë ku u rendit i pari. Arritje nga më të mirat për të. Seç ka edhe një dukuri tjetër kjo Teutë lozonjare e peshëngritjes. Arsimimi, kultura qytetare dhe performancë inkurajuese etike-morale në mjediset shoqërore. Të gjithë mësojnë, studiojnë, një pjesë diplomuar edhe në fakultetin ekonomik. Sa bukur! Kjo është Teuta e këtyre dy sukseseve të bujshme, që vendos në vitin 2014 tërë pushtetin e saj. Dhe sa do të vazhdojë, e mbase titujt nuk kanë për t’i ikur nga duart. Dhe pse…?
E tashmja dhe e ardhmja, së bashku
Kreshnik Leka të tregon se përpos kësaj Teute kampione, po rritet edhe një Teutë tjetër. Përbëhet nga 13, 14,15,16 e 17- vjeçarë. Ja 13 vjeç është Daniel Korçari, e pak më të rritur Ardian Bane, Maringlen Rrusha, Arbër Hoxha, Hajdar Kola, Sulejman Tabaku etj. Më 31 tetor në Tiranë, Kampionati Kombëtar për U-20. Dhe Teuta po përgatitet për tjetër trofe, që do të ishte qershia mbi tortë. Do të vuloste me këtë rast atë që mund të quhet me të drejtë: viti i Teutës në peshëngritje. Çfarë force morale i dhanë të mëdhenjtë, këtyre shtangistëve më të rinj, vlerat e të cilave presin të dalin vetëm pas pak ditësh. Pranvera e peshëngritjes durrsake. E kaluar deri tani si në heshtje, pasi fama e Qerimajt, Godellit e ndonjë tjetri është mjaft e madhe, por sido të jetë kjo, puna e frytshme, sistematike, optimiste e kësaj Teute, fryt i përpjekjeve të kuadrove të natyrës së Kreshnik Lekës dhe bashkëpunëtorëve të tij pikantë si Besnik Psatha, ka gjasa jo vetëm të mos shuhet, por të ndizet edhe më tej. S’ ka ku të shkojë më bukur!


















