Besnik Kapllanaj: Jemi në garë me objektivin tonë, si kampionë në Superiore

KATEGORIA E PARË/ Nis faza e tretë, Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, kërkon vazhdimësinë në kryesim

Nga Agron KAJA

Agron Kaja
Sigal

 

Që kur kemi hyrë në garë, ne jemi nisur për kampionë. Këtë rrugëtim e kemi të orientuar nga një projekt i qartë, ku veç titullit, kemi afruar e afirmuar shumë lojtarë të rinj të cilët janë të gatshmë për Superioren

Në fundjavën e kaluar, në Ballsh u luajt sfida e kryesuesve të Kategorisë së Parë, Bylis-AF Elbasani 0-0. Dhe pas këtij rezultati, renditja mbeti e njëtë, me Bylisin krysues e AF Elbasanin në ndjekje me 2 pikë më pak. Lidhur me këtë situatë, Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, në bisedë me gazetën “Telegraf”, tregoi edhe për rrugëtimin e skuadrës në dy fazat e para të Kategorisë së Parë 2023-2024. Sipas tij, skuadra nuk ka marrë maksimumin, por edhe nuk ka marrë pak. “Përderi sa kryesojmë kampionatin, mund të them se nuk kemi marrë pak, por edhe maksimumin ende nuk e kemi prekur. Sepse kemi lënë 4 pikë të vlefshme në barazimet në fushën tonë me Tomorin dhe Besën, por kemi marrë edhe pikë që nuk i kishim të pritshme. Gjithsesi, në këto 22 javë në dy fazat e para, Bylisi ka treguar që nga fillimi i sezonit se punët janë bërë mirë. Këtu kam falenderime për të gjithë në klub, për lojtarët dhe në veçanti stafin teknik me Bellain në krye të tyre”, kështu e nisi bisedën presidenti i klubit ballshiot të futbollit, i cili me 16 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje në dy fazat e para, tregoi se do ti kërkojë skuadrës që të vazhdojë kështu me këtë ritëm. “Ne jemi në vendin e parë dhe kjo ka shumë rëndësi për Bylisin. Me 51 pikë, 2 më shumë se AF Elbasani i vendit të dytë, jemi brenda synimit tonë. A mund të merrnim më shumë? Po, por për fazën e tretë do kërkojmë që të vazhdojmë kështu me të njëjtin ritëm. Kalendari duket sikur na favorizon, por ne do ti vlerësojmë të gjitha ndeshjet në maksimum. Sepse çdo gjë mund të ndodhë në rast nënvleftësimi, dhe këtë skuadra duhet ta ketë parasysh sepse presioni do të jetë i madh dhe duhet ta përballojë me sukses, si kampione”. Për Presidentin Kapllanaj, objektivi për të dalë kampion në Kategorinë e Parë nuk ka ndryshuar, por sipas tij, ai asnjëherë nuk është diskutuar. “Ju më pyesni nëse kemi ndryshuar objektivin tonë, unë do t’ju thoja se asnjëherë në këtë rrugëtim nuk kemi menduar të devijojmë synimin tonë. Ne që kur kemi hyrë në garë jemi nisur për kampionë. E kemi nisur këtë rrugëtim me një projekt të qartë, ku veç titullit, kemi afruar e afirmuar shumë lojtarë të rinj të cilët janë të gatshmë për Superioren. Deri tani kemi bërë mirë me këtë projekt, i cili na bën më të fortë e të gatshëm për të qënë më dinjitozë në Abissnet Superiore për sezonin e ardhshëm”, kështu e mbylli Besnik Kapllanaj bisedën me gazetën “Telegraf”, jo vetëm si President i FK Bylis, por edhe si një qytetar i dashuruar me skuadrën e tij të zemrës.

KUPA E SHQIPËRISË

Ndeshjet e kthimit, përcaktuese për fazën e katërt të Superiores

FAZA ÇEREKFINALE
E martë, 5 mars 2024

Egnatia-Laçi         (1-0)  13:30
Partizani-Kukësi    (1-0)  17:00

E mërkurë, 6 mars 2024
Tirana-Teuta         (0-0)  13:30
Vllaznia-Erzeni     (1-2)  17:00

Ditën e martë dhe të mërkurën më 5 dhe 6 mars 2024, do të luhen ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Në takimet e para janë Egnatia dhe Partizani që kanë fituar në transfertë, ndërsa Erzeni ka dalë fitues ndaj Vllaznisë në ndeshjen e luajtur në Durrës. Nga ana e saj, Tirana barazoi pa gola në Durrës me Teutën dhe ditën e mërkurë luan një sfidë me “dy presa” sa i përket kualifikimit, i cili me këtë barazim mbetet i hapur për të dyja skuadrat. Ndërkohë, duke patur parasysh se kampionati i Abissnet Superiore nis fazën e katërt të tij dhe më pas “Final 4”, këto ndeshje konsiderohen të rëndësishme për skuadrat që nuk e gjejnë veten në zonën e Europës, por edhe ato që mbijetesën kërkojnë ta arrijnë edhe me kompesimin në Kupë. Mund të jenë përcaktuese për fazën e katërt.

KATEGORIA E PARË

FAZA E TRETË, JAVA 23

Nesër, e dielë 3 mars 2024

Vora-Besa                      13:30

Bylis-Tomori                  13:30

Flamurtari-Kastrioti        13:30

Apolonia-Burreli            13:30

Korabi-Lushnja              13:30

AF Elbasani-Luzi 2008   17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  22      51

2.AF Elbasani       22      49

3.Vora                  22      42

4.Flamurtari          22      42

5.Apolonia            22      31

6.Korabi               22      29

7.Lushnja             22      26

8.Burreli               22      22

9.Kastrioti            22      23

10.Besa                22      19

11.Luzi 2008        22      15

12.Tomori            22      14

Nis faza e tretë, bastet pashikojnë vetëm 1-sha

 

Nesër do të nisë faza e tretë e Kategorisë së Parë, me një calendar të veçantë që është miratuar që në nisje të kampionatit nga vetë FSHF-ja. Dhe ky kalendar duket paksa i lexueshëm në parashikimin e rezultateve, nisur nga renditja aktuale e skuadrave pas 22 javëve në dy fazat e para. Kështu kanë vepruar edhe kompanitë e basteve, të cilat javën e 23-të e kanë kuotuar me koefiçientë të ulët, në favor të skuadrave pritëse.