SUPERIORE/ Mjeshtri i Madh, Bedri Omuri, evidenton në tetë javë edhe një tregues negativ
Agron Kaja

Edhe pse kampionati i Abissnet Superiore do të ketë dy javë pushim pa ndeshje zyrtare, skuadrat nuk e kanë ndërprerë në asnjë ditë procesin stërvitor. Sepse kjo është një periudhë që u shërben atyre për të rregulluar mangësi të vrejtura në aspektin taktik të lojës. Për këtë situatë, ish-mesfushori bardheblu Bedri Omuri, deklaron për “Telegraf” se largimet e trajnerëve çdo javë që në fazën e parë do ta dobësojnë shumë ecurinë e garës. “Janë luajtur 38 ndeshje në 8 javë, dhe si dukuri, apo mangësi është loja me trajnerët. Në çdo javë po largohet një trajner dhe kështu gara sa vjen e dobësohet në aspektin cilësor, por edhe në atë taktik. Sepse një trajner do kohë që të përshtasë idetë e tij në skuadër, dhe kjo duhet që të kuptohet mirë nga Presidentët e skuadrave”, kështu e nis bisedën Mjeshtri bardheblu Bedri Omuri, i cili këto javë të luajtura i analizon edhe në tregues të tjerë. “Po të marrim shënimin e golave, janë shënuar 104, me një mesatare 2.5 për ndeshje. Si shifër është normale, por kjo shpreh edhe dobësi në mbrojtje e në portë, njëherësh edhe luhatje në vijën e sulmit. Sepse shumë gola janë shënuar, apo edhe janë pësuar edhe në mënyrë amatoreske, që nuk duhet të jenë prezente në nivelin e Superiores. Gjithsesi, duke ju referuar tetë javëve të para, në përgjithësi po zhvillohet një kampionat me oshilacione, këto më të dukshme te skuadrat e kryeqytetit dhe tek ato që janë të traditës në këtë kategori të futbollit shqiptar”. Ndërsa kryesimin e Egnatias ai e quan normale që ka sfiduar skuadrat e kryeqytetit, por edhe ato që historikisht kanë qenë protagonist në elitën e futbollit tonë. “Më duket normale që renditjen e kryeson Egnatia, dhe e them me shumë respekt se është me meritë në krye. Kryesimi ka dalë nga kryeqyteti, sepse si Tirana, ashtu edhe Partizani nuk janë konkurrente plotësisht të denja. Nga Dinamo u largua zëvendëstrajneri Ledjan Memushaj, e duket se po e mendon mbijetesën që pa u mbyllur faza e parë. Gjithsesi, në “Final 4” unë mendoj se do të jenë Partizani, Tirana, Egnatia e Vllaznia, sepse këto më duken skuadrat më të stabilizuara në raport me gjashtë të tjerat”. Por duke qenë se ditën e enjte Kombëtarja jonë luan një ndeshje vendimtare për “Euro 2024” me Çekinë, si një ish-kuqezi, Omuri shprehet se do jetë një ndeshje e vështirë, por si do që të dalë rezultati, ai e mendon Shqipërinë 99% të kualifikuar. “Që është ndeshje e vështirë, ajo dihet. Por që jemi 99% fitues dhe të kualifikuar, për këtë Kombëtarja duhet të ketë besim në lojën e saj më 12 tetor”, kështu e analizoi Bedri Omuri, si Superioren në tetë javët e luajtura, ashtu edhe Kombëtaren.
4 skuadra
Në tetë javët e para të Abissnet Superiore 2023-2024, katër skuadra i kanë larguar trajnerët
3 trajnerë
Në tetë javët e para të Abissnet Superiore 2023-2024, skuadrën e Laçit e kanë drejtuar tre trajnerë

ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 9
Të dielën, 22 tetor 2023
Dinamo-Teuta 15:00
Skënderbeu-Vllaznia 15:00
Kukësi-Laçi 15:00
Erzeni-Partizani 15:00
Tirana-Egnatia 15:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 8 16
2.Laçi 8 13
3.Tirana 7 13
4.Skënderbeu 8 12
5.Partizani 6 11
6.Erzeni 8 11
7.Vllaznia 8 9
8.Teuta 7 8
9.Dinamo City 8 7
10.Kukësi 8 7
Ndeshje e prapambetur
Të enjten, 19 tetor 2023
Partizani-Tirana 19:00
Rriten shpërblimet dhe bonuset për fituesit në Superiore
Kur jemi në mbyllje të fazës së parë të Abissnet Superiore, FSHF-ja ka vendosur që të shtojë shpërblimet për ekipin fitues të kampionatit, ndërsa ka menduar edhe për ato skuadra që do renditen në vendet 2, 3 dhe 4. Kështu, përveç 100 milionë lekëve të vjetër që ka marrë historikisht ekipi kampion, do të ketë edhe bonuse për “Final 4”. Vendi i parë do të marrë edhe 100 milionë lekë të vjetër shtesë, vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër, vendi i tretë 50 milionë lekë të vjetër dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër. Nuk ndryshon shpërblimi për fituesin e Kupës së Shqipërisë, 50 milionë lekë të vjetër.



















