Bashkim Aliraj/ Thoma Papa, trajneri që nxirrte kampionë e rekordmenë

600

Thomai bëri histori në notin vlonjat dhe shqiptar, duke nxjerrë një brez të artë sportistësh

*Trajner noti

Shoqata “Jon -Vlorë”

 Këtë vit (2014) Thoma Papa mbushi 80-vjetorin e lindjes së tij. Tani ai nuk jeton më, por la prapa kujtime e mbresa të paharruara në not, sidomos në brezin tonë. Ne, ish-notarët e tij e kujtojmë atë me shumë respekt e nderim. Thomai bëri shumë për notin vlonjat e pse të mos themi dhe për atë Kombëtar duke nxjerrë mjaft notarë kampionë e rekordmenë të vendit në ekipin e Flamurtarit të Vlorës në vitet 1965, 1996, 1967, etj..  Edhe pse  kishte një profesion të vështirë, ishte një nga mobilierët më të mirë në Vlorë, ai nuk u nda nga noti për asnjë çast, nga pasioni që kishte për të. Që në moshë të vogël e donte shumë notin dhe lahej çdo ditë në Skelë, aty ku banonte. Babai i tij, Spirua, ishte tregtar para Çlirimit, kishte një restorant në Skelë që quhej “Punëtori”. Spirua e kultivonte vetë rrushin në Nartë dhe prodhonte verë. Vera e Nartës në ato vite ishte me nam. Këtë Spirua e shiste në restorantin e tij. Mamaja e Thomait, Theodhora ishte nga familja Konomi nga bregu. Ishte motra e Vasil Konomit , një nga njerëzit më të nderuar e të respektuar të Vlorës. Vasil Konomi ka qenë Kryetar i Komitetit Shtetëror të Sporteve në vitet 1959-1960. Spirua dhe Theodhora lindën 5 fëmijë (4 djem dhe 1 vajzë): Kristaqi, Sotiraqi, Thomai, Amalia dhe Odisea. Odise Papa ka qenë mjek një nga kirurget më të mirë të Vlorës, ish-notar dhe vaterpolist (portier). Në vitet e fundit të karrierës së tij si notar, Thomai konkurroi në garën e 100 m në stilin e lirë. Unë pata fatin, si më i vogli që isha në ekip të notoja për herë të parë në vitin 1960-‘61 në Durrës pranë portit detar. Trajner atë vit ishte Ali Kadena.  Mbas këtyre garave, Thomai do të ishte trajneri ynë i ekipit Flamurtari. Flamurtari kishte një bërthamë të mirë që do të hidheshin themelet e shëndosha të notit vlonjat, si: K.Sadiku , I.Kreshpa, A.Stramako, F.Nikolla, vëllezërit V.dhe A.Gerveni , F.Cela, O.Papa, I.Rushiti, B.Aliraj, M.Likaj, Dh.Doga etj.  Z.Thoma sa mori ekipin filloi nga puna.  Ai bëri një përgatitje  serioze, sidomos në dimër. Në muajt e verës ai filloi një stërvitje intensive. Kur ishte i lirë na bënte stërvitje paradite dhe pasdite.  Qysh në vitin e parë e të dytë. U ndie puna dhe stërvitja rigoroze.  U dalluan në veçanti notarët K.Sadiku, A.Stramarko, F.Nikolla, B.Aliraj, Dh.Doga, M.Likaj, etj.. Më vonë në vitet 1963-64, Thomai e pasuroi ekipin me elementë të rinj duke afruar pranë tij mjaft notarë si: Sh.Begaj, J.Hondro, P.Kisi, F.Zykaj, T.Biraci, Y.Likaj, T.Mako, A.Mezini, I.Mati, K.Levani, D.Roshi, T.Konomi, Sh.Elmazi, R.Mero, A.Kapo, V.Radhima etj.. Në vitin 1964 ekipi doli Kampion Kombëtar për të rinj që u pasua edhe në vitet e mëvonshme 1965-1966-1967. Në vitin 1967, ekipi doli kampion dhe më të rritur. Në ato vite ekipet më të mira në not ishin ato të Lokomotivës së Durrësit me notarët: K.Karamuço, N.Korani, A.Ismailati, Sh.Gjepali, N.Pema, Xh.Sharra, A.Rrogozhina që ishin kampionë me të rinj e të rritur, me trajnerët S.Tufa dhe K.Afezolli. Po ashtu dhe ekipi i Vllaznisë së Shkodrës që kishte trajnerë Z.Shuaip Mehmeti. Për disa vjet rresht rekordi kombëtar në 100 m stil të lire për të rinj e të rritur mbahej nga notari i talentuar i Durrësit, K.Karamuço. Garë 50-metershe stil e lirë në ato vite nuk kishte. Synimi i Thomait ishte që t’i thyente këto rekorde kombëtare në këto gara dhe stile të tjera si flutur, delfin, bretkosë, etj..  Thomai për këtë ishte shumë optimist, ai kishte besim të plotë se një ditë kjo do të vinte dhe na fliste shpesh për këtë, por të themi të drejtën, ne notarët ishim shume larg këtyre ëndrrave. Më vonë në ekip si ndihmës u afrua i vëllai i Thomait, Sotiraq Papa. Që të dy ata filluan punën dhe bashkëpunimin e mire. Sotiraqi herë pas here përkthente literaturë të huaj nga rusishtja dhe na fliste për ngarkesat në stërvitje. Ai na thoshte shpesh qe “të mos kishim frikë, por të bënim stërvitje me ngarkese. Kjo nuk i bën gjë notarit kur behet e studiuar, organizmi ka energji të jashtëzakonshme”. Kjo, edhe për faktin se atëherë ishin përhapur mjaft teori të stërmundimit ose të mbingarkesës, etj.  Për këtë dhe shtypi sportiv shkruante shpesh. Notarët mbasi u bindën filluan nga puna dhe u dukën shkëndijat e para të rezultateve.  Ne vitin 1964-65 në Korçë në 100 m stil të lirë notari B.Aliraj zuri vendin e dytë mbas S.Ibrahimit të Vllaznisë së Shkodrës , Shkëlqim Begaj në bretkosë gjithashtu, F.Nikolla në shpinë në 100 m.  Notari J.Hondro theu rekordin kombëtar në 100 m flutur, që mbahej nga notari M.Shestani i Vllaznisë. E vërteta është se, në këtë takim notarët nga Durrësi nuk kishin ardhur në këtë takim të rëndësishëm. Dua të shtoj se, Thomai ishte një trajner autoritar dhe fjala e atij zinte vend në ekip. Ekipi bënte në muajt e verës çdo ditë afërsisht 6000-6500 m not, paradite dhe pasdite. Ekipi i Flamurtarit të Vlorës do të shkëlqente në vitet 1965-66 në Sarandë, notari J.Hondro ishte protagonist kryesor qe theu disa rekorde kombëtare në 100 e 200 m stil të lirë; 100 e 200m delfin, 200 e 400 m katërnotim, etj.. U thyhen  dhe rekordet kombëtare në stafetën 4×100 m e përzier, gjithashtu notari P.Kisi theu rekordin kombëtar në 100 m bretkosë dhe doli kampion në 200 m. Fatmir Zykaj në 200 m delfin më vonë theu rekordin kombëtar të notarit J.Hondro. Pra, ekipi i Flamurtarit me trajner Thoma Papën doli 4 vjet kampion me të rinjtë dhe një vit me te rriturit. Thomai e kishte merak të madh që të dilte dhe një vit kampion me te rinjtë, pasi ai dhe disa notarë mund të merrnin titullin “Mjeshtër Sporti”. Ishte ky rregull atëherë përveç atyre që kapnin normën në gara. Por kjo ëndërr atij nuk iu realizua. Një vit më vonë disa notarë shkuan ne Universitet dhe përfaqësuan Studentin në not. Disa të tjerë shkuan ushtarë me Partizanin dhe Dinamon. Edhe pse kishin kaluar disa vjet ai e kujtonte dhe i vinte keq për këtë. Por, unë mendoj se atij një titull i takon, si nga Federata e Notit ose nga Bashkia e Qytetit të Vlorës sepse ai është një trajner që i dha shumë notit shqiptar. Ai nxori një plejade të tërë notarësh kampionë e rekordmenë dhe solli një epokë të re në not përsa i përket metodave e ngarkesave në stërvitje. Notari Jani Hondro është i pari që bëri notin delfin në vendin tonë dhe vendosi rekordin kombëtar në këtë stil, në 100 dhe 200 m. Thomai, përveç kërkesës së llogarisë ishte i dashur dhe me takt.  Ai bënte shpesh shakara me notarët. I ngacmonte dhe qeshte me ta. Më shumë me Shkëlqimin sepse ai ishte në ekip notari më me humor. Në vitin 1969-70 ekipi i Flamurtarit pothuaj u shkri sepse shume notare u larguan ne shkollë në universitet dhe shkuan ushtarë. Por, Thomai nuk u tërhoq.  Ai vazhdoi punën duke sjellë në ekip notarë të tjerë me perspektive si: F.Iljazi, R.Zhupa, F.Nikolla, L.Zhupa, I.Levani , A.Fejzo etj.. Por, atë nuk do ta harrojmë kurrë edhe për punën që bënte për bazën materiale të notit për ndërtimin e zadrave.  Vetë me notaret punonte, për rregullimin e tyre që shërbenin për stërvitje. Noti në ato vite u bë shumë i dëgjuar në Vlorë. Për këtë notarët merrnin edhe falënderimet nga tifozë e sportdashës. Edhe sot, disa prej tyre ruajnë respekt për ne, për punën që kemi bërë. Pse mos të themi që, ishim të nderuar sepse edhe shtypi e propagandonte për notin në ato vite. Meritë të jashtëzakonshme kishin trajnerët Thoma e Sotiraq Papa. Ne jemi krenarë për punën e tyre dhe i kujtojmë me respekt!

Përgëzimi i Mjeshtrit, Isa Tare

 Më kujtohet, një ditë te Turizmi, sa dolëm nga stërvitja takuam Mjeshtrin e Merituar të Sportit në atletikë, z.Isa Tare. Ai na kishte parë në stërvitje dhe na tha: “Bravo ju qoftë, unë ju ndoqa me vëmendje në stërvitje dhe po ju them që unë po të kisha bërë këtë stërvitje në atletike do të kisha dalë kampion ballkanik”. Unë e njihja Isain që në shkollë të mesme në Teknikumin e Fizkulturës. Atë ditë bëmë 24×100 m përveç të tjerave. Jani Hondro arriti 40×100 m sepse kishte bërë dhe paradite 16 x100 m të tjerë. Për atë kohë këto ishin shumë. Madje, kur u thoshim shokëve në Sarandë, për këtë stërvitje, ata nuk na besonin.