ABISSNET SUPERIORE/ Flet për “Telegraf”ish-futbollisti e trajneri i disa skuadrave, Artan Mergjyshi
Agron KAJA

Futbollist dhe trajneri me eksperiencë në Superioren shqiptare, Artan Mergjyshi, në analizën e tij në pragun e startit të kampionatit 2025-2026, fokusohet më shumë te skuadra e Vorës, të cilën ai e projektoi dy sezone më parë si një “hirushe” që do ngjitej në elitën e futbollit shqiptar. Për gazetën “Telegraf”, Mergjyshi shprehu besim se të gjitha skuadrat i kanë bërë përgatitjet e kësaj faze me llogari e seriozitetin e duhur. “Besoj se të gjitha skuadrat i kanë bërë përgatitjet e tyre për përfaqësim dinjitoz. Duke ju referuar situatës përgatitore, mendoj se do jetë një garë e fortë e rivalizuas, sepse veç përgatitjeve, të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime cilësore. Do jetë një garë me rivalitet dhe për këtë Vora ka kohë që përgatitet si ekip profesionist, me staf të kompletuar dhe kushte optimale. Përgatitjet janë zvendosur në dy periudha: në Maqedoni e Korçë. Gjatë kësaj periudhe kanë zhvilluar edhe miqësore dhe kanë bërë përforcime, dhe sot skuadra është drejt kualidimit. E mendoj befasi në Superiore”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit, Artan Mergjyshi, i cili duke qënë në stafin e Vorës dhe Drejtor i Akademisë së këtij klubi, e shikon me optimizëm garimin e saj si debutuese në Abissnet Superiore. “Vora nuk do jetë inferiore në këtë kampionat, edhe pse në historinë e saj e ka pjesëmarrjen e parë. Ekipi i ka tashmë bazën e kampionatit të kaluar që doli kampion në Kategorinë e Parë, njëherësh janë bërë edhe përforcime në të gjitha repartet. Por unë mendoj se edhe ndeshjet miqësore që janë zhvilluar në këtë periudhë, do kenë ndikim pozitiv për skuadrën, sepse rëndësi ka patur testi me lojtarët jo rezultati. Në kampionatin që do nisë këtë javë, zhvillimi i ndeshjeve në fushë asnjëanëse do ketë ndikim në fillim sa skuadra të përshtatet, por nuk mund ta quaj të përfillshëm. Sepse sot në Superioren tonë nuk ndjehet shumë fusha ku luhet. Për pak kohë do luajë në stadiumin e vet, dhe nuk do ta ketë problem që në ndeshjen e javës së parë me Partizanin. Ndeshen dy skuadra me histori të ndryshme, por do jetë një ndeshje e hapur ku Vora do dalë e pamundur, edhe pse do ta ndjejë mungesën e sulmuesit kryesor Ruzgis. Ndërsa në ndeshjet e tjera të kësaj jave të parë, spikat ndeshja Vllazia-Egnatia, e cila mund të quhet si ndeshja “Big” e javës së parë të kampionatit. Ndoshta Egnatia do jetë më e gatshme fizikisht, por edhe Vllaznia është në ritmikë të mirë përgatitore. Të dyja kanë ambiciet e tyre, dhe mendoj se do kemi një çelje spektakli të këtij kampionati”, kështu u shpreh dje specialisti i futbollit shqiptar, Artan Mergjyshi.
FSHF bën ndryshime në rregullore, portierët 8 sek me topin

Duke qënë se trokitjet e sezonit të ri 2025-2026 po afrojnë startin, FSHF-ja nuk ka vonuar që të sjellë edhe një risi në rregulloren e lojës. Këtë fundjavë ajo organizoi një takim me klubet e Abissnet Superiore dhe të Kategorisë së Parë, ku u prezantoi atyre ndryshimet në rregulloren e lojës. Sektori i Arbitrimit, në bashkëpunim me Departamentin e Garave që e organizoi këtë takim, kishte ftuar kapitenët dhe zëvendës kapitenët, drejtorët sportivë dhe personat përgjegjës për median. Ndryshimet kryesore përfshijnë kohën e mbajtjes së topit nga portieri në zonë, e cila nuk duhet të kalojë mbi 8 sekonda, prekjen e dyfishtë të lojtarit që godet penalltinë, si dhe komunikimin direkt midis arbitrit dhe kapitenit gjatë ndeshjes. Takimi synoi të informojë klubet mbi rregullat e reja dhe të sigurojë zbatimin korrekt të tyre në kampionat. Abissnet Superiore rikthehet më 22 gusht me sfidën Vllaznia-Egnatia, ndërsa Kategoria e Parë do të startojë më 23 gusht.
Shqipëria U21, me miqërore “Big” më 5 dhe 8 shtator

Ekipi ynë kombëtar U-21, gjatë muajit shtator do të luajë ndeshje miqësore, të cilat janë të rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Alban Bushi, në kuadër të përgatitjeve të saj me elementë, të cilët trajneri mendon ti ketë në dispozicion për veprimtaritë ndërkombëtare të radhës. Dhe do të nisin këto miqësore “Big” me Gjermaninë U21 në datën 5 shtator, ndeshje e programuar të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndërsa do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Zvicrës U21 më 8 shtator 2025, dhe për këtë Departamenti i Komunikimit në FSHF njoftoi dje se është zyrtarizuar edhe ora dhe stadiumi ku do të luhet kjo përballje. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Brügglifeld” të qytetit të Aaraut, në orën 18:30. Kjo është miqësorja e dytë e planifikuar për kuqezinjtë gjatë muajit shtator, pas sfidës prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21, që do të luhet më 5 shtator në “Elbasan Arena”. Këto ndeshje miqësore do sjellin elementë të rinj në skuadër.
Partizani më shumë largime, afrimet me lojtarë kombëtaresh
Në këtë sezon, Partizani ndryshoi strategji në merkato. Deri tani kanë qenë 9 largime, ndërsa janë afruar 7 të rinj në skuadër dhe të tjerë priten në vazhdim. Por e veçanta mbetet se shumë nga të afruarit në merkaton e verës kanë eksperienca me kombëtaret respektive. Dhe po ashtu të kuqtë kanë shfrytëzuar tregun, për t’i afruar me parametra zero. Skuadra është përforcuar nga mbrojtja në sulm, ku afrimet më të shumta janë në repartin e sulmit.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 1
E premte, 22 gusht 2025
Vllaznia-Egnatia 20:00
E shtunë, 23 gusht 2025
Bylis-Tirana 17:00
Elbasan-Flamurtar 20:00
E dielë, 24 gusht 2025
Partizani-Vora 20:00
Teuta-Dinamo C 20:00
KAMPIONËT NË VITE
Tirana 26 herë
Dinamo 18 herë
Partizani 17 herë
Vllaznia 9 herë
Skënderbeu 8 herë
Teuta 2 herë
Elbasani 2 herë
Egnatia 2 herë
Flamurtari 1 herë
Kukësi 1 herë
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e Parë
E shtunë, 23 gusht 2025
Iliria-Laçi 17:00
Kukësi-Apolonia 17:00
Luftëtari-Korabi 17:00
Besa-Kastrioti 17:00
Skënderb.-Burreli 20:00
E dielë, 24 gusht 2025
Pogradec-Lushnja 17:00



















