Artan Hoxha: Lamtumirë Sylvinho, tani bëjeni çmimin e biletave 200 euro

16
Sigal

Gazetari i njohur Artan Hoxha ka reaguar me një postim të fortë në rrjetet sociale pas barazimit të dytë radhazi të Shqipërisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, duke shprehur zhgënjimin e tij ndaj trajnerit të Kombëtares, Sylvinho.

“Respekte Silvinjo… Shumë faleminderit për kualifikimin surprizë në Europianin Gjermani 2024”, shkruan Hoxha në fillim të postimit, duke vlerësuar suksesin historik të arritur kundër Polonisë dhe Çekisë në Tiranë.

Megjithatë, ai kritikon ashpër trajnerin për rrëzimin nga Liga B në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe për “shpërdorimin e një brezi të artë futbollistësh” që kishte në dispozicion për të tentuar kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.

Artan Hoxha e cilëson si një gabim vendimtar mënyrën sesi Sylvinho e menaxhoi ndeshjen me Letoninë dhe akuzon trajnerin se “këmbënguli në gabim deri në marrëzi”, duke humbur një mundësi historike për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për Botërorin e Amerikës në vitin 2026.

Në fund të postimit të tij, gazetari nuk kursen ironinë edhe për çmimet e larta të biletave në “Arenën Kombëtare”, duke ironizuar se në ndeshjen e radhës me Letoninë, bileta mund të shkojë edhe 200 euro, dhe të luajnë vetë ata që vendosin.

“Faleminderit për gjithçka na dhe. Por tani, koha jote mbaroi”, përfundon mesazhin e tij Artan Hoxha.

Postimi i plotë:

Respekte Silvinjo….

Shumë faleminderit për kualifikimin surprizë, që na dhurove në europianin Gjermani 2024.

Nuk do të harrojmë kurrë për fitoret spektakolare ndaj Polonisë dhe Çekisë në Tiranë.

Por nga aty e mbrapa, na rrëzove nga Liga B në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Shpërdorove një rast të artë për të shkuar në botëror, kur kishe në dispozicion një brez të shkëlqyer futbollistësh.

More vendim të gabuar në ndeshjen historike me Serbinë.

Sot këmbëngule në gabimin tënd deri në marrëzi, pa hequr dorë as në sekondën e fundit të ndeshjes.

Ëndrra e shqiptarëve për botërorin Amerika 2026, mori fund.

Edhe një herë faleminderit për gjithçka na dhe.

Por tani, koha jote mbaroi.

Që të mos harroj.

Në ndeshjen e radhës në “Arenën Kombëtare” me Letoninë, mundësisht çojeni çmimin e biletës në tribunën përballë, jo 150 euro sa ishte bileta me Serbinë, por 200 euro dhe pak e keni.

Tani bëjini “shurrën” biletave super të shtrenjta në “Arenën Kombëtare” dhe futuni luani vetë deri sa të vilet rrushi nga vjeshta e 2026-ës.