Arrestohet sulmuesi i Manchester United për dhunë fizike ndaj të dashurës

197
Sigal

Policia e Manchesterit ka arrestuar sulmuesin e ri të “Djajve të Kuq”, Mason Greenwood, i cili akuzohet për dhunë fizike ndaj së dashurës së tij.

Paraditen e kësaj të diele në rrjet qarkulluan fotot dhe videot e një femre të dhunuar fizikisht, me hematoma të shumta në trup dhe me fytyrë të gjakosur, me gishtin e akuzuar të drejtuar pikërisht drejt lojtarit anglez.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe klubi i Manchester United, që e ka përjashtuar nga stërvitja dhe ndeshjet zyrtare, derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht:

“Ne jemi të vetëdijshëm për imazhet dhe pretendimet që qarkullojnë në rrjetet sociale. Nuk do të bëjmë asnjë koment të mëtejshëm derisa të vërtetohen faktet. Manchester United nuk fal asnjë lloj dhune”.

Policia e Manchesterit tha se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Greenwood, 20 vjeç, nga Bradfordi, ka luajtur 129 herë për Manchester United, duke përfshirë 24 paraqitje për klubin këtë sezon. Ai është aktivizuar në një ndeshje edhe me përfaqësuesen e Anglisë.