SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Armando Cungu, shprehet se kampionati është ndarë në dy grupe.
Golin shumë të bukur ndaj Anglisë, por që fatkeqësisht u anullua padrejtësisht nga arbitri norvegjez, e ka shënuar Sulejman Demollari më 28 prill 1989, në ndeshjen kualifikuese Angli-Shqipëri 5-0.
Në javën e 30-të u shënuan 7 gola, por ajo që u veçua më shumë në këto pesë ndeshje, ishte vëndet e skuadrave në renditje që nuk ndryshuan dukshëm. Këtë fakt e pranon edhe specialisti i futbollit Armando Cungu, i cili dje për gazetën “Telegraf” tregoi se deri tani verdikti për të gjitha skuadrat është i drejtë, edhe pse sipas tij, niveli i Superiores ka qënë në rënie. “Në këto 30 javë të luajtura, mendoj se Abissnet Superiore ka nivel në rënie, ndërkohë që verdiktet e skuadrave në tabelën e renditjes i mendoj të drejta. Sepse ekipet kanë marrë atë që kanë merituar në këto 30 javë, ku katërshja e parë ka krijuar diferenca që nga faza e tretë, ndërsa të tjerat janë në pozicionet që kanë treguar forcën e tyre reale në fushën e lojës. Unë mendoj se kampionati është ndarë në dy grupe, me katër të parat që do luajnë “Final 4” për titullin kampion, dhe gjashtë të tjerat që do të luajnë për t’iu shmangur rënies, apo edhe Play-out-it. Çdo gjë mund të ndodhë, kryesisht në vëndet e fundit të tabelës”, kështu e nisi dje bisedën Armando Cungu, i cili u shpreh se gjatë garës ka patur edhe drit hije. “Në këto 30 javë të kampionatit, ka patur ndeshje të bukura dhe me rivalitet, thuajse nga të gjitha skuadrat, madje edhe ato që renditen nga fundi i tabelës. Dhe këtu le të kujtojmë ndeshjen e fundit Vllaznia-Skënderbeu 1-2. Por ekipet kanë bërë edhe gabime gjatë rrugës, madje edhe Egnatia, Partizani, Dinamo e Vllaznia, që kryesojnë në renditje. Edhe kjo katërshe e parë ka patur dritëhijet si çdo skuadër. Por, ato skuadra që përbëjnë gjashtëshen e dytë, kanë gabuar më shumë garës. Nuk janë skuadrat në vlerat reale, por në renditje të merituar”. Ndërsa për javën e 30-të ku u shënuan 7 gola në 5 ndeshje, nga të cilat katër përfunduan në barazime, specialisti Cungu shprehet se kjo ndodh vit pas viti në këtë periudhë të kampionatit. “Së pari, ky tregues në golat e shënuar (7) tregon shterpësinë në aspektin sulmues të skuadrave, dhe kjo ndodh vit pas viti. Sepse skuadrat nuk duan të pësojnë gol, dhe kështu rritet presioni për fazën mbrojtëse. Është një strategji jo e drejtë, por e imponon vetë niveli i këtij kampionati. Edhe ndërprerja zyrtare 10 ditore e tij për shkak të dy ndeshjeve të Kombëtares, nuk do ketë ndikim në vazhdimin e garës tek të gjitha skuadrat. Sepse aktualisht jemi drejt fundit të kampionatit dhe një ekip serioz përgatitjet kryesore i bën gjatë verës. Tani është e kotë të pretendohet për këtë ndërprerje. Përfitoj të uroj Kombëtaren për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Botërorit”, kështu e mbylli dje bisedën specialisti i futbollit Armando Cungu.
Sulejman Demollari i “golit të madhërishëm” që ju anullua në Angli
Në ndeshjen me Anglinë në vitin 1989 në Londër, Sulejman Demollari ishte një nga pikat më të forta dhe kryesore në Kombëtare. Gjatë ndeshjes në “Uembli”, ai ka patur rastin që t’i shënojë gol Anglisë në përballjen e 28 prillit 1989, por anulimi i tij edhe sot diskutohet si një peng i madh. Ai mbetet si eurogoli i shënuar nga Demollari, dhe i anuluar në mënyrë absurde nga gjyqtarët. Ende, edhe sot e kësaj dite kjo ka lënë pa fjalë gjithkënd, ndërsa vetë Sula është shprehur për gazetën “Telegraf” më 27 mars 2021, para sfidës Shqipëri-Angli 0-2, se: “ Ishte një natë magjike në “Uembli”. Tashmë për mua është vetëm nostalgji, e cila më është rikujtuar kur shkova si trajner i Kombëtares në Angli. Ky gol u shënua kur rezultati ishte 0-2. Tashmë mbetet goli më nostalgjik në karrierën time me Kombëtaren …”.
DEKLARUAN DJE
Befason Asllani: Tek Interi tallen me Shqipërinë!
Dje në mesditë, mesfushori i Kombëtares Kristian Asllani, ka dalë në konferencë për shtyp, dhe në deklarimet e tij ai solli edhe të veçanta nga atmosfera zikaltër te Interi ku ai luan në Serie A. “Na duhet që të luajmë me shpirt dhe zemër, dhe në Angli të mos shkojmë si turistë. Ne do të shkojmë atje me shumë shpirt, edhe pse e dimë se në 70-80% topin do ta kenë ata, dhe ne do na duhet që të luajmë si ekip me shpirt e zemër, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Natyrshëm ndeshja fillon 0-0, por më kanë thënë do merrni 6-7 gola dhe do ikni në shtëpi. Mendoj se një rezultat barazim do të ishte shumë mirë për ne, dhe këtë do ta synojmë”.
Nedim Bajrami nuk i frikësohet Anglisë: Jemi gati!
Mesfushori i Shqipërisë, Nedim Bajrami, dje në konferencën për shtyp, mes të tjerave u shpreh se me rikthimin e Armando Brojës, skuadra është më gati se kurrë për të bërë mirë në fushën e lojës. “Anglia luan shumë fort, por të gjithë çunat në Kombëtaren tonë janë gati. Ne nuk duhet të frikësohemi, madje me rikthimin e Brojës, them se jemi më shumë se kurrë gati. Ne kemi luajtur me anglezët edhe katër vite më parë (më 12 nëntor 2021, Kualikueset e Botërorit, Angli-Shqipëri 5-0), por ajo ndeshje ka kaluar. Tashmë është një sfidë tjetër, ndaj edhe konkurrenca është e madhe. Trajneri e di mirë këtë, dhe përgatitjet po i zhvillojmë mirë”.
Java e 31-të vjen me “derbin” e 177-të, Dinamo C-Partizani
Abissnet Superiore ka nisur “pushimet” për dy ndeshjet e Kombëtares, por do rinisë më 26 mars 2025 me javën e 31-të, në të cilën spikat “Derbi” i 177-të i Kryeqytetit, Dinamo-Partizani. Dikur ky quhej “derbi ushtarak”, pasi Dinamo përfaqësonte Ministrinë e Brëndshme dhe Partizani ishte i Ministrisë së Mbrojtjes. Në tre ndeshjet e këtij kampionati, janë shënuar këto rezultate: Java 4, Partizani-Dinamo C 2-2; Java 13, Dinamo C-Partizani 1-2; Java 22 Partizani-Dinamo C 1-1. Interesante do të jetë se ku do të luhet ky “derbi”, i fundit u luajt në “Elbasan Arena”.
ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 30
E mërkurë, 26 mars 2025
Dinamo C-Partizani 15:00
Egnatia-Vllaznia 15:00
Tirana-Bylis 15:00
Laçi-Elbasani 15:00
Teuta-Skënderbeu 15:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 30 54
2.Dinamo City 30 51
3.Vllaznia 30 50
4.Partizani 30 44
5.AF Elbasani 30 37
6.Laçi 30 33
7.Bylis 30 32
8.Tirana 30 31
9.Skënderbeu 30 30
10.Teuta 30 30