Antonio Konte: Juvja, hap i rëndësishëm për mua, por tani dua të fitoj me Interin!

501
Sigal

Antonio Konte do të jetë për herë të parë kundër Juves së tij në një ndeshje zyrtare që kur mori stolin e Interit. Pak e provoi në miqësoren kineze, por se çfarë do të jetë sfida e nesërme, atë do të mund ta thotë vetëm pas 90 minutave. Natyrisht që ka presion të madh ndaj tij, ish-kapiteni kampion dhe trajneri kampion me Juventusin, tani kërkon të bëjë diçka të tillë me Interin dhe kjo ka krijuar shumë pakënaqësi në ambientin bardhezi, aq sa mjaft tifozë kanë kërkuar heqjen e yllit të tij nga “Juventus Stadium”, por presidenti Anjeli është shprehur kategorikisht kundër.

Çfarë ndeshje do të jetë?

Pres një ndeshje mes dy ekipeve që janë në krye të tabelës, ekipe që kanë bërë shumë mirë. Do i shohim më vonë vlerat e vërteta. Duhet të kemi dëshirën dhe kurajën të luajmë këto ndeshje, më pas do e shohim sa vlejmë.

A është ndeshje decizive?

Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, çdo ndeshje është një hap nga rritja, në të gjitha pikëpamjet. Nga humbja me Barcelonën duhet të mësojmë shumë gjëra. Ndaj Juves është një test me rëndësi sepse unë kam punuar aty për shumë vite. Juvja është një klub shembull. Juvja ka bërë ligjin për 8 vitet e fundit në Itali, dhe kanë bërë shumë mirë në Europë.

Momenti i Interit…

Pas ndeshjeve të Kombëtareve, pres që të mbështetem akoma më shumë tek lojtarët. Duhet që të fusim të gjithë kontingjentin ën fushë që të menaxhojmë energjitë. Deri tani nuk kam pasur mundësi të aktivizoj të gjithë, sepse dikush mund të na jetë bashkuar më vonë. Këto janë ndeshjet që të japin energjinë, dhe në këtë takim futemi me entuziazmin e duhur.

Gjendja e Lukakut…

Ai do të luajë nëse do jetë në fushë dhe nëse na jep garanci, përndryshe vendin e tij do ta luajë dikush tjetër.

Rritja e skuadrës….

Jemi në nisje të një udhëtimi. Kemi ndryshuar thelbësisht situatën krahasuar me vitet e kaluara. Kemi bërë shumë ndryshime. Rritja e këtyre çunave do jetë shumë e rëndësishme për ne. Do duhet kohë, por po bëjmë një punë të mirë. I falënderoj çunat për gatishmërinë e tyre. Duhet të bëjmë shumë hapa përgjatë viteve. Po punojmë ditë e natë që makina të ecë me 200 km/h.

Kritikat për arbitrimin në Barcelonë…

Shpreha diçka që e pashë dhe nuk më pëlqeu, por kjo nuk mund të jetë alibi për humbjen. Barcelona fitoi sepse bëri diçka më shumë se ne, dhe ne bëmë gabime që duheshin shmangur.

Peticion për të hequr yllin e Kontes nga stadiumi i Juves…

Ata nuk janë tifozë, por injorantë. Diçka vulgare dhe janë persona që nuk i njohin vlerat.

Juvja dhe Sarri…

Juvja ka një ide për futbollin dhe nuk e ka humbur ende. Është një skuadër me lojtarë me eksperiencë dhe që kanë arritur shumë fitore. Ata janë rritur gjithmonë prej 8 vitesh. Kanë krijuar një distancë me ekipet e tjera që nuk është e lehtë të mbushet.

Mesazh për tifozët…

Ky është thjesht sport, dhe jo luftë, ndonjëherë e harrojmë këtë gjë. Nuk duhet të ketë dhunë, përndryshe jam unë i pari që largohem. Jetojmë në një shoqëri ku ka urrejtje dhe dhunë. Në Angli nuk ndodh diçka e tillë.