Transferta “ferri” për Skënderbeun e Laçin

542
Sigal

Do të luhen sot dy nga gjashtë ndeshjet e javës së 24-t. Në aksion zbresin dy vendet e para

Dy skuadrat kryesuese të Kategorisë Superiore, Skënderbeu dhe Laçi, do të luajnë sot në transfertë, respektivisht kundër Lushnjës dhe Bylisit, në ndeshjet hapëse të javës së 24-t. Lushnjarët janë në emergjencë për pikë, kështu që do të bëjnë ç’është e mundur për të ndalur liderin e kampionatit. I njëjti argument vlen edhe për Bylisin, që përballë laçianëve u vlen vetëm fitorja. Skënderbeu nuk humbet prej 13 ndeshjesh (humbja e fundit është ajo me Bylisin, 1-0, më 9 nëntor 2013), teksa në takimin e luajtur në “Roza Haxhiu” kundër Lushnjës fitoi 1-0 me një gol të realizuar nga mbrojtësi Ditmar Bicaj në minutën e parë. Skënderbeun dhe Lushnjën i ndajnë jo pak, por 25 pikë. Skënderbeu ka aktualisht 11 pikë avantazh nga vendi i dytë që mbahet nga Laçi, kështu që nuk e ndjen presionin e fortë të kurbinasve, të cilët e kanë të qartë se tashmë duhet të luftojnë për të mbrojtur vendin e dytë. Laçin e pret një takim i vështirë në Ballsh, pasi humbën edhe në fazën e dytë me rezultatin 1-0 pas një goli të nigerianit Izuçuku. Nga katër takimet e së dielës, Vllaznia-Partizani dhe Tirana-Kukësi. Për shkodranët, ende pa një trajner zyrtar, sfida ndaj Partizanit ka rëndësi jetike, kështu që drejtuesit e klubit kanë vendosur që të vënë sërish çmime simbolike biletash. Kjo bëhet me qëllim për afrimin e sa më shumë tifozëve për këtë ndeshje ashtu si në takimin e para tre javëve po ndaj kësaj skuadre ku ishin të pranishëm mbi 6 mijë tifozë shkodranë. Kuqeblutë kanë nevojë për tifozët edhe ngaqë skuadra nuk është e plotë as në takimin ndaj Partizanit. Tirana, e cila nuk ka humbur asnjë ndeshje gjatë vitit 2014, do të përballet me Kukësin, të cilën e mposhti 3-1 vetëm dy javë më parë. Flamurtari do të presë Teutën, me shpresën e marrjes së fitores së parë në shtëpi për këtë vit. Besa, e cila është duke bërë një sezon të pëlqyeshëm, do të përballet me Kastriotin e vendit të fundit.

KATEGORIA E SUPERIORE

JAVA 24

Sot, 15 mars

Bylis-Laçi                 14:00

Lushnja-Skënderbeu      14:00

Nesër, 16 mars

Besa-Kastrioti          14:00

Vllaznia-Partizani    14:00

Flamurtari-Teuta            17:00

Tirana-Kukësi          17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu       23   +18 48

2     Laçi                    23   +5  37

3     Partizani             23   +6  36

4     Kukësi         23   -1   34

5     Besa                   23   +3  33

6     Teuta           22   +3  32

7     Flamurtari          22   0     30

8     Tirana          23   -6   27

9     Vllaznia             23   -1   26

10   Bylis                   23   -4   24

11   Lushnja              23   -13 23

12   Kastrioti             23   -10 22

Nuri e Libohova, zëvendësit e Dukës

 Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i votuar në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF, më 28 shkurt zhvilloi mbledhjen e tij të parë. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, të dhjetë anëtarët e Komitetit të ri, diskutuan sipas rendit të ditës. Sipas statutit të FSHF, është proceduar me zgjedhjen dy zv/presidentëve të FSHF. Komitetit ka zgjedhur si zëvendëspresident të parë të FSHF, Lutfi Nurin dhe si zëvendëspresident të dytë, Edvin Libohovën. Për zotin Nuri, ky është mandati i tretë radhazi në këtë post.

 Trajneri verdheblu flet për gazetën “Telegraf”: “Jemi në rrugën e duhur”

 Ilirjan Filja: “Elbasani im ngjitet në Superligë”

 Era ÇELA

 Elbasani i këtij sezoni është duke ecur në rrugën e duhur, në atë rrugë që ka vetëm një dalje: Superioren. Kur janë luajtur 20 javë nga kampionati i Kategorisë së Parë, verdheblutë e drejtuar nga tekniku Ilirjan File, kanë grumbulluar 42 pikë, duke e ndarë vendin e parë me Apoloninë që ka po kaq pikë. Janë plot tre vite që sportdashësit elbasanas janë duke pritur rikthimin në Superiore, aty ku gjatë gjithë historisë 100-vjeçare si klub ka fituar edhe dy kampionate. Ky duket sezoni i duhur për verdheblutë, edhe për faktin se do të ketë një stadium modern…

Ecuria

Elbasani e mbylli fazën e parë në krye të klasifikimit dhe tregoi se do të ishte një “kockë” e fortë këtë kampionat për ngjitjen në Superiore. Por, që në takimin e parë pësoi një humbje në Pukë, teksa u mund nga Tërbuni vendas dhe u parakalua nga Apolonia. Mirëpo, menjëherë elbasanasit “u shkundën” dhe morën tri fitore radhazi, duke u renditur sërish në krye, por mjaftoi humbja në Burrel, ku edhe u dhunuan fizikisht, për të lëshuar kryesimin, por të paktën tani e ndan këtë pozicion me Apoloninë.

Trajneri

Në një prononcim për “Telegraf” tekniku i Elbasanit, Ilirjan File, flet për gjendjen që po kalon skuadra dhe për objektivat e saj deri në përfundim të kampionatit. “Faktikisht këtë sezon ne jemi projektuar që në fillim për t’u ngjitur në Superiore. Me pikë jemi mirë, pasi jemi të parët, ndonëse e ndajmë këtë pozicion me Apoloninë. Mund të them që po kalojmë një formë të mirë sportive, pavarësisht humbjes së fundit në Burrel. Detyra jonë është që të bëjmë menjëherë kthesën në ndeshjen e radhës, atë me Tomorrin. Personalisht mendoj se nuk do ta kemi të lehtë në këtë sfidë, por nëse jemi në një ditë të mirë dhe japim maksimumin duhet të fitojmë. Elbasani duhet të ngjitet në Superiore, sepse aty e ka vendin dhe po punojmë shumë për këtë gjë”, përfundon prononcimin e tij, tekniku elbasanas.

KATEGORIA E PARE

JAVA 21, 15.03.2014

Shkumbini-Dinamo        15:00

Luftëtari-Ada           15:00

Terbuni-Burreli        15:00

Elbasani-Tomori             15:00

Elbasani-Tomori             15:00

Apolonia-Veleçiku 17:00

Pogradeci-Albpetrol       15:00

Mamurrasi-Himara         15:00

RENDITJA

1     Apolonia            20   +19 42

2     Elbasani             20   +11 42

3     Dinamo              20   +10 35

4     Butrinti        20   +12 34

5     Tomori        20   +1  34

6     Tërbuni       20   +10 33

7     Pogradeci           20   +7  31

8     Shkumbini         20   +2  29

9     Burreli         20   -5   22

10   Luftëtari             20   -6   22

11   Ada                    20   -11 22

12   Himara        20   -3   20

13   Veleçiku            20   -13 18

14   Albpetrol           20   -9   17

15   Kamza                20   -17 16

16   Mamurrasi         20   -8   15

 Besart Berisha, gol dhe karton i kuq pas ndërhyrjes horror

  Besart Berisha u shndërrua në personazhin e ditës në Australi, pasi sulmuesi kosovar shënoi gol dhe mori një karton të kuq, pas një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit, por dhe simulimit të të tij për të shmangur kartonin e kuq. Gjithçka ndodhi në ndeshjen Sidnej-Brisbejn Roar, të vlefshëm për javën e 23-të të kampionatit australian.

GOLI ME KOKË

Brisbejn Roar u ndal në një barazim 1-1 me Sidnejin, në një ndeshje të zhvilluar më shumë në mesfushë në pjesën e parë. Besart Berisha krijoi shansin e parë për ekipin e tij, Brisbejn Roar, por përpjekja e tij nuk rezultoi produktive. Sulmuesi shqiptar u bë sërish pjesë e sulmit, por kësaj radhe ai shënoi në minutën e 27-të një gol të bukur me kokë në anën e djathtë të portës pas pasimit të Tomas Broih. Sidneji barazoi me anë të një goli më kokë të Sebastian Rual në minutën e 35-të. Ndërkohë që pesë minuta më pas, erdhi dhe ndëshkimi me karton të kuq i kosovarit në minutën e 40-të.

KOMPLET KLLOUN

“Kur sulmuesi i Brisbejn Roarit, Besart Berisha, bëri një sparkatë të tmerrshme ndaj Sebastian Ruallit në përballjen me Sidnejin, ai mund ta kishte parashikuar se do të ndëshkohej me kartonin e kuq. Sfida e egër midis dy lojtarëve erdhi pas një seri përplasjesh midis Berishës dhe Ruallit, por pasi fluturoi në ajër dhe u përpoq të kapte mbrojtësin e Sidnejit, Berisha u përpoq të shmangte kartonin e kuq, duke bërë gjeste të tillë sikur ishte ai pala e dëmtuar, por nuk ia doli t’i hidhte gjyqtarit. Ai u soll komplet si një kloun”, shkruante portali anglez Metro.co.uk. Ky ishte kartoni i dytë i kuq i Besart Berishës, pas atij të marrë kundër Perthit, më 17 janar të këtij viti.

KRYEGOLASHËNUES

Me golin e realizuar kundër Sidnejti, Besart Berisha u ngjit në kuotën e 11 golave (në 16 ndeshje), po aq sa Tagart i Njukasëllit. Sulmuesi kosovar shihet si pretendenti kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë” në Australi, arritje që e ka realizuar edhe në sezonin 2011-2012, kur shënoi 21 gola dhe u shpall kampion i Australisë me Brisbejnin. Berisha luan prej tre sezonesh me Brisbejnin, ndërkohë që edicionin e ardhshëm do të luajë pikërisht për Sidnejin.

Hënes: “Do të shkoj në burg”

 Uli Hënes nuk do të jetë më Presidenti i Bajernit të Munihut. Pas vendimit të gjykatës, që e dënoi me 3 vjet e gjysmë heqje lirie për evazion fiskal, presidenti i bavarezëve zyrtarisht ka paraqitur dorëheqjen përmes një letre emocionale të publikuar në faqen zyrtare të klubit. “Kam instruktuar avokatët që të mos apelojnë, duke marrë kështu përsipër çdo përgjegjësi personale. Evazioni ishte një gabim i madh në jetën time, pasojat e të cilit duhet t’i paguaj unë. Veç të tjerash, detyrat e mia si president i Bajernit ia kam dorëzuar menjëherë bordit supervizor për të shmangur çdo dëm që mund t’i shkaktohet klubit. Puna që kam bërë gjatë gjithë jetës në shërbim të Bajernit do të jetë aty”, është shprehur Hënes.