Andrea Xheblati: Stadiumet po i keqpërdorin, mungojnë anekset stërvitore

729
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri i Tomorit të Beratit në 15 vite resht, skanon Kategorinë Superiore
Vite më parë një trajner i suksesshëm, si si jeton Andrea Xheblati me futbollin beratas, dhe atë shqiptar në tërësi?
Shpirtërisht jam në çdo moment me futbollin, në të gjitha format e mundësitë që më jepen. Të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore shqiptare i ndjek, madje edhe ato të Kategorisë së Parë këtu në Berat. Si ndjehem? Sinqerisht ju them se më duket sikur jam ende aty në bankinë, pasi edhe media na e bën më të lehtë komunikimin me këtë futboll, duke na mbajtur më pranë me të.

Cili futboll ju tërheq më shumë sot, ai vendas, apo i huaj?
Secili ka vendin e vet. Për mua, Kategoria Superiore shqiptare dhe La Liga e Spanjës janë më tërheqëset. Futbolli spanjoll është më tërheqës për mua, pasi në këtë kampionat, brenda tij ka shumë art, nuk janë “rob” të pikës. Moshat dhe të rinjtë këtu në Berat i ndjek periodikisht.

Pas largimit nga skuadra e parë, keni qenë drejtues klubi, trajner te moshat, por provuat edhe analistin e gazetarin sportiv, si erdhi kjo përvojë e re për ju?
Unë asnjëherë nuk e kam quajtur veten gazetar sportiv, por, për mua ka qenë një përvojë shumë e bukur në vitet 1995-2002, si analist në Radio Tirana, për ndeshjet e Tomorit të Beratit. Të flasësh në median e folur dhe atë vizive, mendoj se është një përgjegjësi e madhe profesionale, të cilën unë jam munduar ta bëj mirë.

Si ish-trajner, si e shikoni tregun e trajningut sot, është në raport të drejtë me nivelin e kategorive përfaqësuese në futbollin tonë?
Në të gjithë tregun e trajnerëve në futbollin shqiptar, ka një mungesë mosbesimi. Ka shumë arsye, por unë mendoj se është ana manaxheriale jo në nivelin e profesionizmit që e ka sjellë këtë situatë, si edhe futja në këtë treg e shumë trajnerëve të huaj. Edhe pse këta të fundit nuk kanë bërë shumë diferencë me trajnerët shqiptarë, janë përdorur edhe si pjesë marketingu nga presidentët në skuadrat respektive.

Ndërkohë që, klubet e skuadrat i drejtojnë presidentët, sekretarët e klubeve mbeten përherë “pronë” e pushtetit lokal. Duhet të ndahet kjo hallkë?
Klubet e futbollit në vendin tonë, nuk kanë pavarësi administrative e vendimmarrëse. Ato mbeten gjithmonë strukturë nën sqetullën e pushtetit lokal, por forcimi i Ligjit për Sportin, njëherësh edhe krijimi i Ligës Profesioniste, duhet që ti japin vendin e duhur kësaj hallke, jo pa rëndësi.

Ditë më parë ka përfunduar sezoni futbollistik 2016-2017 në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar, çfarë veçoni si dukuri më të spikatura?
Ka shumë, që nga Superiorja e deri tek moshat e vogla. Nga viti në vit ka ndryshime, por nuk ka shumë dallime, sepse më shumë ka munguar edhe progresi profesionist në të gjitha struktura e kategoritë e futbollit tonë.

Në Kategorinë Superiore, pati rivalitet deri në javën e fundit, ishte ky një efekt i formulës me 10 skuadra në përbërjen e saj?
Edhe formula ka pasur ndikimin e saj në këtë rivalitet. Unë jam i mendimit që Kategoria Superiore e futbollit tonë të ketë minimalisht 12 skuadra, por jo si Tërbuni një vit më parë, dhe këtë sezon që u mbyll Korabi, pasi pjesëmarrje të tilla e dëmtojnë garën. Formula me 10 skuadra le shumë shtigje për aleanca, ndërsa me më shumë skuadra do të ishte një kategori më përfaqësuese.

Çfarë tregon për ju rënia e Tiranës në Kategorinë e Parë?
Mendoj se, për këtë dështim, e para arsye e rënies është mungesa e harmonisë në klub, edhe pse cilësisht nuk ishte skuadër për të zbritur në Kategorinë e Parë. Kishte edhe gabime në menaxhim e drejtim që e sollën këtë situatë te Tirana, ku nga një skuadër me historinë më të madhe si Kampione, zbret në inferiore. Ky është futbolli shqiptar sot.

Po infrastruktura aktuale, si ka shërbyer në ecurinë e garës për sezonin që u mbyll?
Në krahasim me një periudhë pesë, apo dhjetë vjeçare, ka ndryshim, por duke mos pasur anekse stërvitore, shumë skuadra i kanë dëmtuar stadiumet e tyre. Në këtë drejtim, duhet që ti kushtohet më shumë kujdes infrastrukturës stërvitore, gjë të cilën pushtetet lokale duhet ta kenë seriozisht në konsideratë.

Janë bërë arbitrat faktor në garën e sezonit 2016-2017?
Për mendimin tim po, madje ata kanë qenë faktor vazhdimisht. Si specialist futbolli, them se ka arbitra që kanë drejtuar ndeshje me nivel të mirë, por kishte shumë prej tyre që u treguan të njëanshëm, duke qenë shpesh edhe përcaktues në rezultate. Ata duhet të jenë të pavarur nga FSHF-ja, dhe Akademia e Arbitrimit që do të krijohet këtë vit, do të risë sa do pak nivelin e tyre tekniko-gjykues, i cili duhet të shtrihet i tillë deri te moshat.

Po për Kategorinë e Parë, cili është këndvështrimi juaj teknik e profesional?
Më vjen keq që e them kështu publikisht, por në këtë kategori vetëm dy, tre apo katër ekipe janë me nivel, të tjerët plotësojnë numrin. Duken si inferiorë në rritje, por ata duhet të ngrihen në interes së cilësisë, jo të interesave të ndryshme politike e jashtë saj. Të funskionojë me një grup, do ti shërbehej më shumë cilësisë në këtë kategori.
Për sezonin e ri futbollistik, mendoj se formula e Kategorisë Superiore të rrite me 12 skuadra, ndërsa Kategoria e Parë me një grup. Por, duhet të përmirësohen më shumë infrastruktura stërvitore dhe ajo mbështetëse, të kemi arbitra më cilësorë e të pavarura nga FSHF-ja. Ndërsa klubet, sa më shpejt duhet të shkëputen nga pushteti lokal, e më mirë flasin Skënderbeu, Kukësi, Partizani apo Flamurtari në Superiore 
Në 15 sezone (1977-1992), dyshja e suksesshme Mukli-Xheblati
Në fakt, në trajningun e futbollit beratas, trajnerët e zëvendësat e tyre kanë bërë histori. Jo vetëm për rezultatet, të cilët ishin në nivele modeste, por edhe për jetëgjatësinë e bashkëpunimit mes tyre në drejtimin e ekipit të futbollit Tomori. Njëra prej tyre ishte ajo mes Guxim Muklit dhe Andrea Xheblatit, e cila nisi në shtatorin e vitit 1977 dhe përfundoi në muajin maj të vitit 1992, për tu pasuar më dy vite më vonë nga Kristaq Mile e Përparim Kovaçi. Për kontributin e tyre në këto 15 vite, pushteti lokal në Berat e ka vlerësuar figurën e trajnerëve Mukli e Xheblati, të cilët trajnuan talente si: Kovaçi, Mile, Matrapazi, vëllezërit Kokalari, Bakalli, vëllezërit Çilingiri, Kadena, vëllezërit Karkanjozi, Leci, vëllezërit Arbri, Tahiraj, vëllezërit Zinxhiria, Firaj, Bakiri, Tole, Bozgo, e shumë të tjerë, të cilët në përbërjen e Tomorit u bënë protagonistë në këtë periudhë, si në Kampionat, dhe në Kupë. Sukseset e kësaj kohe ishin: një herë vendi i katërt në Superiore, dhe një herë pjesëmarrje në Kampionatin Ballkanik për klubet.
Sigal