INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh Andrea Marko, analizon ritmikën e garës
Agron KAJA

Java e 10-të e Superiores sikur i trazoi vëndet në renditje, ku ishin surprizat e kësaj jave?
Surpriza më e madhe mbetet fitorja e Bylisit në Tiranë, e cila me dy gabime foshnjarake në mbrojtje ia bëri dhuratë fitoren ballshiotëve. Por edhe fitorja e Elbasanit në Vlorë, ishte e mundimshme ndaj Flamurtarit të etur për pikë.
Si i përshkruani të pesta ndeshjet e javës së 10-të, të pritshme apo ndeshje të rradhës?
Të gjitha këto rezultate tregojnë se skuadrat kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Fitoret, barazimet apo humbjen, i kanë pozicionuar në vëndet e tyre, tashmë me një “pit stop” të shkurtër, për t’u nisur më fuqishëm në javën pasardhëse.
Dy fitore në transfertë dhe tre barazime, çfarë treguesish janë këto për javën e 10-të?
Fitoret e barazimet në transfertë tregojnë diferencat që kanë skuadrat mes tyre gjatë garës. Por unë do e veçoj ndeshjen Egnatia-Vllaznia, ku spektakli tregoi se ka ende nerv për ta mbajtur gjallë futbollin elitar, ku dominoi grinta e lufta sportive.
U shënuan 7 gola në javën e 10-të, është kjo një shifër e dobët për shterpësinë e sulmuesve?
Futbolli bëhet më i bukur kur ka edhe gola. Por e kemi vënë re që në fillim se kampionati ka defekte në lojën sulmuese, mungojnë sulmuesit tipikë. Kanë luajtur të mbyllur dhe nuk janë shfaqur mirë. Mangësia e golit çdo javë është e dukshme.
Duke qënë se janë mbyllur 10 javë, si e lexoni renditjen nga kreu në fundin e saj?
Renditja tregon se skuadrat janë aty për atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Një renditje pa surpriza, madje janë vendosur që në javën e parë. E vetmja skuadër që bën të veçantën është Teuta, por që duhet të përmirësohet në shënimin e golit.
Java e 11-të nisi dje me sfidën e parë Bylis-Flamurtari 0-1, si e përshkruani ndeshjen?
E përshkruaj si një ndeshje ku të dyja skuadrat sikur synonin të mos pësonin, kryesisht në pjesën e parë. Në pjesën e dytë vlonjatët ishin më të qartë, ndërsa Bylisi nuk i shfrytëzoi mundësitë që ju krijuan. Ndeshje e barabartë, goli bëri diferencën.
Nisur nga kalendari, si i klasifikoni ndeshjet e javës së 11-të për nga rëndësia e tyre?
Kryendeshje do ti quaj sfidat Vllaznia-Dinamo dhe Elbasani-Egnatia. Janë interesante se do ti pozicionojë mirë skuadrat në renditje. Egnatia është e fortë për tu mundur, por edhe Vllaznia ka krijuar portretin e një skuadre të fortë. Dinamo është e qetë ndaj çdo kundërshtari, ndërsa Elbasani ka rritje në lojë.
Nesër luhen dy ndeshje dhe mbyllen të dielën me dy ndeshjet e fundit, cili është parashikimi juaj?
Ndeshjet e tjera janë për pikë, ku te Bylis-Flamurtari vlonjatët e shfrytëzuan me fitore fushën e tyre. Tirana duhet të tregojë dhëmbët ndaj Vorës, dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Partizani në Durrës. Por, Partizani ka probleme në bankinë.
Pas javës së 11-të do ndërpritet kampionati, si do shfrytëzohet kjo hapësirë nga trajnerët?
Gjithë përqëndrimi i futbollit tonë është tek ekipi ynë Kombëtar në këtë periudhë. Trajnerët kanë kohën për ndonjë rikuperim, por edhe moment shlodhës. Do ketë mundësi përmirësimi, po hyjmë në mesin e kampionatit e çdo ndeshje luhet e kalkuluar.
Si ish-futbollist i Kombëtares, si e shikoni listën që Silvinjo paraqiti dje, në prag të ndeshjeve me Andorrën dhe Anglinë?
Normale si listë, sepse ata futbollistë kemi. Janë dy ndeshje delikate, ku me Andorrën të fitojmë me çdo kusht, do jetë impuls për vazhdimësinë afër ëndrrës. Nuk duhen hapa fallco, ndërsa me Anglinë është një ndeshje prestigji.
Bylis-Flamurtari 0-1, vlonjatët i largohen fundit
Duke qënë se në fazën e parë, Flamurtari si pritës nuk e kishte stadiumin e tij të gatshëm, ndeshja midis këtyre skuadrave u luajt në Ballsh, me të drejtën që ndeshja e fazës së dytë me Bylisin si pritës të luhej në Vlorë. Dhe kështu ndodhi, ku dje në mbrëmje ishin vlonjatët ata që iu gëzuan fitores, me një gol të Maksutit në minutën e 63-të, pas një lëmshi brënda zonës së Bylisit. Rezultati mbeti i tillë deri në mbyllje, për ti dhënë Flamurtarit tri pikët e largimit nga vëndi i fundit në tabelën e renditjes. Në tërësi, një ndeshje e barabartë ku vetëm goli bëri diferencën.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 11-të
E premte, 7 nëntor 2025
Bylis-Flamurtari 0-1
E shtunë, 8 nëntor 2025
Tirana-Vora 14:00
Vllaznia-Dinamo City 17:00
E dielë, 9 nëntor 2025
Teuta-Partizani 17:00
AF Elbasani-Egnatia 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Vllaznia 10 20
2.AF Elbasani 10 20
3.Egnatia 10 19
4.Dinamo City 10 18
5.Teuta 10 15
6.Bylis 11 12
7.Vora 10 11
8.Partizani 10 9
9.Flamurtari 11 8
10.Tirana 10 6
KATEGORIA E PARË
Java e 11-të luhet në tre ditë, mbyllet faza e parë

Me ndeshjen e javës së 11-të të Kategorisë së Parë që u luajt dje, Burreli-Pogradeci 2-0, nisi java e fundit e fazës së parë të kampionatit. Janë 20 pikë ndajnë kreun nga fundi, një dëshmi se ky sezon po zhvillohet me ekuilibër të fortë e surpriza. Kjo javë do luhet në tre ditë, dje, sot dhe nesër, me duele që prekin çdo segment të tabelës. Skënderbeu dhe Laçi janë favoritët për ngjitjen, por Pogradeci, Iliria dhe Apolonia i ndjekin. Në zonën e mesit të tabelës, çdo pikë mund të vlejë si “oksigjen”. Sot luhen katër ndeshje, për t’u mbyllur ditën e dielë me ndeshjen Apolonia-Skënderbeu. Faza e dytë pritet të nisë me ndarje të qarta mes atyre që luftojnë për Superiore dhe atyre që do luftojnë për mbijetesë. Por më parë, java e fundit e fazës së parë ka gjithçka për të dhuruar.
Ndeshjet-Java e 11-të
(E fundit, faza e parë)
E premte, 7 nëntor 2025
Burreli-Pogradeci 2-0
E shtunë, 8 nëntor 2025
Besa-Laçi 14:00
Kastrioti-Luftëtari 14:00
Korabi-Kukësi 14:00
Lushnja-Iliria 14:00
E dielë, 9 nëntor 2025
Apolonia-Skënderbeu 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 10 25
2.Laçi 10 20
3.Pogradeci 11 18
4.Iliria 10 16
5.Burreli 11 16
6.Apolonia 10 13
7.Korabi 10 10
8.Besa 10 10
9.Kastrioti 10 10
10.AF Luftëtari 10 9
11.Lushnja 10 9
12.Kukësi 10 5



















