Analiza për Telegraf.al nga Ahmet Shqarri: Ky ishte Botërori i futbollit argëtues i Lionel Messi-t

154

KËNDVËSHTRIM/ “Katar 2022” në lupën e Mjeshtrit të Madh të gazetarisë shqiptare

Sigal

Ahmet Shqarri është një ndër gazetarët sportivë më të mëdhenj në Shqipëri, por edhe më me përvojë, sot Mjeshtër i Madh. Nga viti i largët 1969, sportdashësit e futbollit në vendin tonë u rritën me zërin e tij në transmetime e kronika sportive. Me një karrierë gjysmëshekullore si gazetar i mikrofonit, ekranit, por edhe i shtypit të shkruar, ai kishte kënaqësinë që të mos mungonte në gazetën “Telegraf” me emocionet e tij për Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Dhe sipas tij, ky botëror ka vetëm një emër: “Botërori i Lionel Mesit”.

Intervistoi: Agron KAJA

Para finales, gazeta “The Guardian” ka botuar thënien e një gazetareje një TV të Argjentinës, e cila gjatë bisedës me Messi-n, mes të tjerave citohej: “… Sido që të jetë rezultati final, ti i ke bërë njerëzit të lumtur. Ke ndikuar në jetën e të gjithëve …”.

Linja për ju zoti Shqarri…!

Ju faleminderit që më kujtoni me këtë shprehje, e cila më shumë se sa profesionale, tashmë për mua është dhe shumë emocionale, pse jo dhe nostalgjike. Më kujton kohën time më të bukur në mikrofonin e Radio Tiranës, por edhe në gjysmëshekulli karrierë në gazetarinë sportive.

Si e ndoqët Kampionatin Botëror “Katar 2022”?

Pas Botërorit që u luajt në vitin 2018 në Rusi, i cili shënoi fundin e karrierës sime si gazetar aktiv në media (Radio-Televizion-Gazeta), në këtë Botëror isha i lirë për ta ndjekur nga ekrani, vetëm në shtëpi. Them se e përjetova shumë mirë.

Duke qenë pa një angazhim të drejpërdrejtë profesionalisht, sa ju tërhoqi ky Botëror?

Përtej sloganeve apo perifrazimeve për botërorët e futbollit, unë do t’i shmangem fraziologjizmave apo “filozofive”, si “Botëror i një stili të ri”, si “shkollë e re futbolli” apo “futboll i çudirave”. Duke e përsëritur, për mua ky botëror ka vetëm një emër, ishte “Botërori i Lionel Mesit”.

Pse duhet ta mendojmë kështu këtë Botëror?

Për shumë arsye. Do të thoja se që nga Pele, që me plot gojë quhet “Mbret i futbollit”, tek Maradona i quajtur “Magjistari i topit”, Benkenbaueri si  “Kajseri i futbollit”, Krojfi “Holandezi fluturues”, Ronaldo “Fenomeni” apo Kristiano Ronaldo si “Makineri golash”, e deri te Mbappe që e quaj e ardhmja e futbollit botëror, Mesi bëri më të veçantën në Katar.

Dukeni i dhënë pas argjentinasit, çfarë shfaqi më shumë ai në këtë botëror?

Unë mendoj se ai dha në fushën e lojës ato vlera të papërsëritshme që pas shtatë “Topi Artë”, do të jetë një rekord i përjetshëm për të, tani i japin atij edhe privilegjin të quhet nga bota edhe si “Gjeni” i futbollit”.

Ndryshe nga 21 të tjerët, ky Botëror u luajt në stinë dimri, si mendoni se ndikoi te skuadrat?

Si përgjigje, më përforcohet edhe një herë ideja e gjenialitetit të Messi-t. Sepse ndërsa thuhet se kjo stinë i vuri në vështirësi skuadrat dhe lojtarët në Botëror, me paraqitjen e tij, Messi i hodhi poshtë këto pretendime.

Ndryshe nga specialistë të ndryshëm futbolli, ju mendoni se Messi mbetet pasqyra e këtij Botërori?

Natyrisht që po. Sepse ai shfaqi ato vlera, për të cilat futbolli është krijuar. Me lojën e tij ai i argëtoi miliona shikues në mbarë Botën, dhe këtu të kujtojmë vetëm golin e tretë ndaj Kroacisë që ai e krijoi përmes një veprimi të jashtëzakonshëm, pse jo, edhe paraqitjen e shkëlqyer e me dygolësh në finale.

Nga një këndvështrim profesional gazetaresk, si do ta përshkruani ritmikën e këtij Botërori?

Sa u shpreha më sipër, mendoj se janë esenca e këtij botërori, ndërsa nëse ka një “trishtim” që më la ky Botëror, ishte transmetimi i ndeshjeve në televizionin tonë. Të ashtuquajtur komentatorë të ndeshjeve, në vend që të ndiqnin ecurinë e lojës, përkundrazi e kthenin transmetimin e ndeshjeve sikur të ishte një treg shit-blerje apo pazar: “Sa kushton ky apo ai lojtar, ky luan këtu e do të shkojë atje, etj”. Ndërkohë që, çuditërisht nuk transmetohej ajo që zhvillohej në fushë!

Ndoshta ky është vetëm mendimi juaj?

Jo vetëm mendimi im, por sepse ashtu si ata transmetuan, ishte i mbushur më shumë me broçkulla se sa me komente serioze, që e meritojnë të transmetohen në shfaqje të tilla të mëdha futbollistike. Këtë mangësi ma kanë thënë edhe shumë specialistë e qytetarë, aq sa thonin se ndeshjet në RTSH po i ndjekin pa zë, sepse nuk ju pëlqente transmetimi.

Tjetër, çfarë mund të thoni për këtë Botëror që dje e uli siparin e tij?

Do të bëja “mëkat” nëse nuk do të veçoja lojën plot ngjyra të Francës, ku përvoja ende rezultative e Zhiru u gërshetua mjeshtërisht me Mbappe dhe të rinjtë e tjerë të talentuar, që futbolli francez i ka me shumicë. Kroacia ishte solide, ndërsa arritja e Marokut mbetet për t’u veçuar në këtë Botëror.

Dhe ju mendoni se Argjentina e meritoi këtë Botëror, i cili është i treti në historinë e saj në botërorët që ka luajtur?

Patjetër që e meritoi. Fituesi nuk gjykohet; e rëndësishme është të pohojmë se të dyja finalistet ishin të denja për njera-tjetrën. Nuk po e teproj ta ripërsëris, se: Ky ishte Botërori i futbollit argëtues i Lionel Messi-t.

NDESHJA FINALE

E dielë, 18 dhjetor 2022/ Ora 16:00, në “Lusail Iconic Stadium”

ARGJENTINË-FRANCË      3-3 (p4-2)

Shënues: Messi 23’ (p), 109’, Di Maria 36’ / Mbappe 80’ (p), 82’, 118’ (p)

Argjentina: E. Martinez, Molina (Montiel 91’), Romero, Otamendi, Taliafiko (Dybala 120’), Fernandez, De Pol (Paredes 102’), Mek Alister, Di Maria (Akunja 64’), Alvarez (Martinez 102’), Messi (Kap). Trajner: Lionel Skaloni

Franca: Loris (Kap), Kunde, Upamekano, Varan, T. Hernandez (Kamavinga 71’), Tçuameni, Rabiot (Fofana 96’), Griezman (Koman 71’), Dembele (Muani 41’), Mbape, Zhirud (Thuram 41’). Trajner: Didier Deshamp

Arbitër: Szymon Marciniak (Poloni)

Kartonët: KV: Fernandes, Akunja, Paredes, Montiel / Rabiot, Thuram, Zhirud

Shikues: 86 mijë

Deri në finale

 

Argjentina

Nd 6, F 4, B 1, H 1, G 13:4

Franca

Nd 6, F 5, B 0, H 1, G 13:5

Libri i Artë i Botërorëve

Viti      Skuadra         Herë

1930    Uruguai           (1)

1934    Italia                (1)

1938    Italia                (2)

1950    Uruguai           (2)

1954    Gjermania       (1)

1958    Brazili (1)

1962    Brazili (2)

1966    Anglia (1)

1970    Brazili (3)

1974    Gjermania       (2)

1978    Argjentina       (1)

1982    Italia                (3)

1986    Argjentina       (2)

1990    Gjermania       (3)

1994    Brazili (4)

1998    Franca (1)

2002    Brazili (5)

2006    Italia                (4)

2010    Spanja (1)

2014    Gjermania       (4)

2018    Franca             (2)

2022    Argjentina       (3)

 

Rekordet e Messit në Botërorë

Nuk ka asnjë futbollist që në finale të ketë luajtur në pesë Kampionate Botërorë.

Në ndeshjen finale kundër Francës, Lionel Messi luajti ndeshjen e 26-të në Botërorë me Argjentinën, theu rekordin e gjermanit Lotar Mateus me 25 të tilla.

Messi ka 19 paraqitje si kapiten në Botërorët ku ka marrë pjesë, duke thyer rekordin e argjentinasit tjetër Gabriel Batistuta me 12 paraqitje.

Messi është golashënuesi më i mirë i Argjentinës në Kupën e Botës me 13 gola, 3 gola më shumë nga Gabriel Batistuta 10, rekord që prej 20 vjetësh.

Finalja e Kupës së Botës 2014 ndaj Gjermanisë, ishte edhe finalja e parë e Messi-t në Botëror.

Në ndeshjen finale, Messi e thyeu rekordin e Paulo Maldinit si futbollisti me më shumë minuta të luajtura në Kupat e Botës.

Përballjet mes tyre në Kupën e Botës

Viti      Ndeshja                      Rez.

1930    Argjentinë-Francë       1-0

1978    Argjentinë-Francë       2-1

2018    Francë-Argjentinë       4-3

2022    Argjentinë-Francë       3-3

Bilanci:

Nd 4, F 2, B 1, H 1, G 9-8

 

Në ndeshje miqësore

Viti      Ndeshja                      Rez.

1965    Francë-Argjentinë       0-0

1971    Argjentinë-Francë       3-4

1971    Argjentinë-Francë       2-0

1972    Francë-Argjentinë       0-0

1974    Francë-Argjentinë       0-1

1977    Argjentinë-Francë       0-0

1986    Francë-Argjentinë       2-0

2007    Francë-Argjentinë       0-1

2009    Francë-Argjentinë       0-2

Bilanci:

Nd 9, F 4, B 3, H 2, G 9:6